Ndërlidhjet

TËRHEQJA NGA KOSOVA, NË PLANIN AFATSHKURTËR, NUK ËSHTË NË INTERESIN AMERIKAN


"Nëse mandati i Kombeve të Bashkuara vërtetë nuk shqyrton pavarësinë e Kosovës…atëherë ai mandat duhet të ndryshoj, sepse keni një situatë krejtësisht të re: keni autoritetin qendror në Prishtinë, keni vullnetin e popullit që ka votuar… para se gjithash, për pavarësi, e poashtu edhe për demokraci e sovranitet dhe për reforma ekonomike. Ju nuk mund ti mohoni për më gjatë aspiratat e popullit të Kosovës" - thotë Janusz Bugajski, Drejtor për Evropën Juglindore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Jemi në periudhën pas zgjedhjeve në Kosovë. Si do ta vlerësonit ju procesin e tërësishëm zgjedhor?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se është sukses shumë i madh. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte substanciale dhe përkatëse. Zgjedhjet ishin të lira dhe korrekte…pothuajse krejtësisht të qeta dhe legjitime; me pjesëmarrjen e minoriteteve, përfshirë këtu edhe një numër të mirë të serbëve. Pra, mendoj se vetë procesi ishte legjitim. Qeveria, që do të formohet, poashtu, do të jetë legjitime. Por, hapi i ardhshëm, natyrisht, është përpjekja për të krijuar ndonjë lloj koalicioni, sepse, siç duket, asnjë parti nuk mund ta tuboj shumicën. Prandaj, ky është testi i ardhshëm, i madh, për politikanët në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjitha partitë politike shqiptare, veçanërisht tri partitë më të mëdha, thonë se qëllim i tyre kryesor është pavarësia e Kosovës. Nga ana tjetër, Bashkësia Ndërkombëtare, e veçanërisht, administrata e Kombeve të Bashkuara, thonë se çështja e pavarësisë nuk është në mandatin e tyre dhe se nuk do të lejohet që kjo çështje të shtrohet në Kuvendin e Kosovës. Si i parashihni zhvillimet në këtë drejtim?

JANUSZ BUGAJSKI
Përpjekja për ta kthyer Kosovën në kuadër të Serbisë apo të Jugosllavisë do të kishte pasoja shkatërruese, që do të krijonte jo-stabilitet të ri në rajon. Nëse mandati i Kombeve të Bashkuara vërtetë nuk shqyrton pavarësinë e Kosovës…atëherë ai mandat duhet të ndryshoj, sepse keni një situatë krejtësisht të re: keni autoritetin qendror në Prishtinë, keni vullnetin e popullit që ka votuar…para se gjithash, për pavarësi, e poashtu edhe për demokraci e sovranitet dhe për reforma ekonomike. Ju nuk mund ti mohoni për më gjatë aspiratat e popullit të Kosovës. Mendoj se gjë e rëndësishme për t’u bërë tash është që të sigurohet se qeveria është shumëpartiake, demokratike, ka program të reformave. Duhet bërë presion në Kombet e Bashkuara që të lejoj qeverisjen…jo vetëm të bëhen negociata me komunitetin ndërkombëtar, por aktualisht të qeverisë në këtë territor. Ky do të jetë një indikator i madh për Kosovën se, me pjekuri, po lëvizë kah pavarësia, që ka të bëj me mandatin aktual të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo është e ndërlidhur me autoritetin e qeverisë së re. Duket sikur ajo do të ketë autoritet të kufizuar?

JANUSZ BUGAJSKI
Do të jetë autoritet i kufizuar, teknikisht, formalisht, sipas mandatit të Kombeve të Bashkuara dhe sipas disa qëndrimeve të diskutueshme të Bashkësisë Ndërkombëtare. Mirëpo, mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo të margjinalizohet; duhet sa më parë të inicohet programi afatgjatë dhe agjenda, jo vetëm në aspektin e çështjeve të brendshme, të politikës së brendshme, që është shumë e rëndësishme, por edhe në aspektin e punëve të jashtme, të sigurisë, në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe eventualisht në aspektin e integrimit në Nato dhe në Evropë. Mendoj se është përgjegjësi e Qeverisë ta inicoj programin afatgjatë në mënyrë që Bashkësisë Ndërkombëtare ti tregohet se ajo mund të qeverisë, se është e përgjegjëshme dhe se ka legjitimitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë tash janë brenda Parlamentit. Si e komentoni këtë..a do të thotë kjo se ata tash do të marrin pjesë në mënyrë të plotë në vendim marrje në parlament në të ardhmen?

JANUSZ BUGAJSKI
Të shpresojmë se ata do të marrin pjesë dhe nuk do ta bojkotojnë parlamentin. Ata do të marrin pjesë sipas raporteve të numrit të popullsisë. Në fakt, unë do të thoja se pakica nuk do të duhej të kishte fuqi ta bllokoj vullnetin e shumicës. Ata do të duhej të merrnin pjesë në institucionet e Kosovës, në programin e reformave dhe aktualisht të kontribuonin në arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e shtetit multi-etnik, demokratik dhe të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas ngjarjeve të 11 Shtatorit, shumë analistë kanë thënë se shqiptarët e Kosovës kanë një ndjenjë se prania e Shteteve të Bashkuara në Ballkan do të reduktohet. Nga ana tjetër, Evropianët do të udhëhiqnin atje. A mendoni se ky është një opcion real?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se është i pranishëm ndonjë reduktim politik apo ushtarak amerikan. Mendoj se çfarëdo tërheqje ushtarake amerikane nga Kosova do ta involvonte Beogradin dhe do të çonte në një jostabilitet; kjo gjë popullin e Kosovës do ta shqetësonte në mënyrë ekstreme. Kjo vërtetë do të krijonte mundësi për formimin e një force, të themi çlirimtare, brenda Kosovës për të mbrojtur atë që është arritur. Pra nuk mendoj se është në interesin amerikan, në planin afatshkurtër, për tu tërhequr nga Kosova. Në planin afatgjatë, natyrisht, do të ketë reduktime të forcave të Natos, të amerikanëve dhe të evropianëve. Por, kjo varet nga ajo se sa i sigurt, demokratik dhe stabil është ku territor. Personalisht mendoj se e vetmja mënyrë për të pasur siguri të plotë dhe demokraci është pavarësia.
XS
SM
MD
LG