Ndërlidhjet

NËSE SHQIPTARËT NUK DËSHMOJNE SE DIJNË TË QEVERISIN ATA NUK DO TË KENË MUNDËSI PËR TË REALIZUAR PAVARËSINË


"Tash kemi komente të Solanës, Shirakut dhe të tjerëve, që sikur në rastin e ish Jugosllavisë, vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, të ndalin procesin e natyrshëm të dezintegrimit; në këtë rast qoftë të Malit të Zi, qoftë të Kosovës" - thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Pacifisti veteran, Ibrahim Rugova dështoi të fitonte përkrahje të mjaftueshme në legjislaturën e re të së enjtes, në mënyrë që të zgjedhej president i Kosovës. Është evidente se nuk ka marrëveshje për koalicion. A ekziston ndonjë rrezik për dëshprim të zyrtarëve perëndimor, të cilët u kishin sugjeruar liderëve të rinjë të sapo zgjedhur kosovar, që të shfaqin se janë të gatshëm të ballafaqohen me sfidën e qeverisjes?

PATRICK MOORE
Janë dy aspekte të kësaj çështje. E para ka të bëjë me faktin se nuk është befasuese dhe jo e pa-rëndomtë që, madje, edhe në demokracitë me përvojë dhe stabile duhet kohë për të bërë koalicionet. Askush nuk mund të pret as nga kosovarët që brenda natës të formojnë qeveri të përsosur. Raste të tilla keni në Itali, Izrael, ndërsa Berlinit kohë më parë i ishin dashur disa javë për të formuar koalicionin. Pra, askush nuk duhet befasuar nëse duhet pak kohë për të bërë këtë gjë edhe në Kosovë.
Aspekti tjetër ka të bëj me faktin se për dallim nga Italia, Berlini ose Izraeli sytë e botës janë të përqendruar në Kosovë dhe shqiptarët e dijnë se duhet të jetësojnë disa rezultate të fuqishme dhe të shpejta. Sepse nëse ata nuk dëshmojne se dijnë të qeverisin me veteveten ata nuk do të kenë mundësi për të realizuar pavarësinë, për çka atje të gjithë pajtohen. Sidoqoftë, nuk është befasi që duhet pak kohë dhe as fakti që partitë e dyta dhe të treta shqiptare për nga madhësia, synojn të sigurojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme. Por, megjithatë, mendoj se nuk do të jetë shumë e mençur nga shqiptarët nëse do të presin shumë gjatë. Nëse ata e bëjnë këtë, në Beograd dhe gjetkë, do të ketë të atillë që do të thonë: këta njerëz nuk dijnë të menagjojnë me çështjet e veta, ata jane duke luftuar si fëmijë të vegjël dhe si të tillë nuk e meritojnë pavarësinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tensionet në Maqedoni ende janë të larta. Paqja është duke u mbajtur, por implementimi i procesit paqësor është i ngadalshëm. Pse?

PATRICK MOORE
Nuk mund të pritet shumë nga politikanët, të cilët e dijnë se brenda disa muajve do të dalin në zgjedhje. Kjo ishte çështje problematike gjatë gjithë krizës maqedonase. Politikanët dhe veçanërisht - ata si zoti Georgievski, rejtingu i të cilit në anketime shënon rënie, nuk dëshirojnë të tregohen si njerëz të kompromiseve të mëdha, shumë të arsyeshme… sepse atyre u duhet të kënaqin votuesit ose votuesit potencialë, që mund të jenë idhtarë të vijës më të fortë.
Aspekti tjetër ka të bëjë me faktin se atje kemi dy shoqëri paralele. Ata jetojnë në të njëjtën hapësirë të Maqedonisë, por ato janë shoqëri të paintegruara ndërmjet veti, për shkak të mosbesimit që sivjet, siç e pamë, shumë shpejt u shndërrua në urrejtje. Në këto rrethana në çdo vend dhe gjithkund do të duhej kohë për të tejkaluar këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Lordi Rasel Johnston, kryetar i Asamblesë së Këshillit të Evropës këtë javë deklaroi se mbështetja e Unionit Evropian për vazhdimin e bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi është kundërproduktive. Si e komentoni qasjen e Unionit Evropian ndaj raporteve serbo-malazeze?

PATRICK MOORE
Isha këndshëm i befasuar të dëgjoja këto komente të Lordit Rasel Johnston, sepse deri tash kishim dëgjuar mesazhe të njëjta jo vetëm nga Unioni Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, se për disa shkaqe, duhet ruajtur bashkësine e Serbisë me Malin e Zi. Në këtë qëndrim të Unionit Evropian shoh dy probleme shumë të medha: korrespondenti i njohur zvicerano – gjerman, Viktor Majer, sivjet ka botuar një libër kushtuar ish – Jugosllavisë, në të cilën ai diskuton zhvillimet në 10 vitet e fundit. Ai pohon se dështimi qëndror i Perëndimit në përgjithësi, por në veçanti i Unionit Evropian, ishte devotshmëria gati në përmasa religjioze për të mbajtur të bashkuar Jugosllavinë e vjetër pavarësisht që ishte shumë transparente se ajo ishte në procesin e dezintegrimit. Tash kemi komente të Solanës, Shirakut dhe të tjerëve që vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, të ndalin procesin e natyrshëm të dezintegrimit, në këtë rast qoftë të Malit të Zi, qoftë të Kosovës. Viktor Majer këtë qëndrim e konsideron shumë të rrezikshëm dhe jo të urtë, për të mos thënë të marrë, dhe si jogatishmëri të Unionit Evropian për të mësuar nga gabimet e kohës së kaluar. Ky është një aspekt, ndërsa tjetri ka te bëjë me faktin se çfarë mesazhi dërgon Shiraku kur u thotë malazezëve “mund të beni ç’të doni, por duhet të veproni si ju themi ne”. Kjo nuk më tingllon shumë demokratike dhe kjo nuk u duket demokratike as miqve të mij në Malin e Zi. Përendimorët duhet të ballafaqohen me këtë problem dhe krejt çfarë mund të thonë është se ky është problem për të cilin mund të vendosin vetëm malazezët pa asnjë presion nga jashtë.
XS
SM
MD
LG