Ndërlidhjet

J. BUGAJSKI:"ESHTE THELBESORE QE KOSOVARET TE FORMOJNE QEVERINE LEGJITIME...."


JANUSZ BUGAJSKI, drejtor i Institutit per Studime Strategjike ne Washington

EVROPA E LIRË: Zoti Bugajski, si e vlerësoni punën e parlamentit të Kosovës, një muaj pas mbledhjes së parë konstituive?

J. BUGAJSKI – Fatkeqësisht, një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, nuk po funksionon ende qeveria, presidenti dhe autoriteti. Mendoj se është thelbësore që kosovarët të formojnë qeverinë legjitime dhe të nisin procesin e arritjes së pavarësisë. Ky është proces afat-gjatë, por që pa qeverinë do të ishte një proces i pafilluar.

EVROPA E LIRË:Siç e dini Ibrahim Rugova dështoi të siguronte postin e presidentit pas tre raundesh votimi. Çfarë do të thotë kjo në kuptimin e së ardhmes politike, aftësisë për ndërtimin e insitucioneve dhe trasnferimit të pushtetit?

J.BUGAJSKI – Për fat të keq edhe pas tre raundesh votimi, partitë më të mëdha nuk kanë arritur ende të zgjedhin Ibrahim Rugovën president. Ndonëse njerëzit shprehën vullnetin e tyre dhe partia më popullore, më e votuar, është Lidhja Demokratike e Kosovës, disa kompromise sigurisht duhen bërë. Me fjalë të tjera, pozicione të larta mund t’u ofrohen dhe të pranohen nga dy partitë e tjera të mëdha shqiptare. Pa këtë shpërndarje mund të vihet deri tek situata e paralizës, deri tek konflikti. Bashkësia ndërkombëtare do të shihte se i gjithë procesi politik është në prag të dështimit kurse lidershipi kosovar do të diskretitohej.

EVROPA E LIRË: Çfarë mendoni për profilin politik të tre udhëheqësve kryesorë politikë shqiptarë të Kosovës: I. Rugovës, H.Thacit, R.Haradinaj. Si po pozicionohen ata?

J. BUGAJSKI – Të gjithë ata janë sjellë në mënyrë shumë racionale para zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat ishin të lira e demokratike, por politika nuk është vetëm zgjedhje, demokracia nuk është vetëm votim. Të nevojshme janë kompromiset, marrëveshjet politike. Prioritet duhet t’i jepet së ardhmes së Kosovës. Theksi duhet vënë aty e pastaj duhet menduar për të ardhmen e partisë. Sigurisht partia është shumë e rëndësishme, por automatikisht, çështje kryesore është ardhmëria e Kosovës. Dhe mendoj se besnikëria partiake duhet të renditet pas besnikërisë për vendin.

EVROPA E LIRË: Pas largimit të Hakerupit, pa një president të zgjedhur dhe në pritje të administratorit të ri, a mendoni se mund të flitet për një vakuum politik? Cfarë lloj fryme mund të krijojë administratori i ri, a do të jetë ajo patjetër më pozitive?

J. BUGAJSKI – Shpresoj që po. Mendoj se problemi i administratorit të mëparshëm, nga ç’kam parë e dëgjuar, është se ai nuk ishte i pranishëm sa duhej, nuk kuptonte gjendjen sa duhej, nuk ishte i angazhuar sa duhej. Ajo që nevojitej ishte dikush që të të kuptonte mënyrën si funksiononin gjërat, dikush që të ishte më i angazhuar në procese. Për fat të keq, nuk pamë dicka efektive në këtë drejtim. Tani Kosova është në zgrip. Autoritetet lokale nuk veprojnë politikisht as së bashku, as me komunitetin ndërkombëtar. I druhem rrëshqitjes, humbjes. Pa disa hapa të menjëhershëm nga partitë kosovare, situata do të përkeqësohet dhe e vetmja palë që do të fitojë, do të jetë qeveria federale në Beograd.

EVROPA E LIRË: Disa herë koalicioni “Kthimi”’, ka vizituar Beogradin për të marrë bekimin apo sugjerimet e tij për natyrën e marrëveshjeve me liderët shqiptarë të Kosovës. Si e komentoni këtë varshmëri?

J. BUGAJSKI – Për fat të keq, pjesa më e madhe e kryesisë së koalicionit “Kthimi”, është lojale ndaj Beogradit. Ata dëgjojnë se pari ç’u thotë Beogradi, janë qartas nën ndikimin e Koshtunicës apo një kaste ushtarake në Beograd. Dhe nëse vazhdojnë të shtrëngohen pas Beogradit, nuk do të ketë autoritet në Kosovë që do të ishte në gjendje t’u ofronte apo siguronte kompromise, pasi kjo do ta nxiste Beogradin të ndërhynte gjithnjë e më shumë në Kosovë. Nuk është situatë e pashpresë, por është një qark magjik, që nuk inkurajohet nga vakumi në Prishtinë.

EVROPA E LIRË: A ka një kufi në kompromiset që mund të arrihen?

J.BUGAJSKI - Gjithmonë ka limite. Nuk ka koalicion në Europë që të jetë arritur me 100% ujdi për të gjitha çështjet. Ka gjithmonë pika mospajtimi mes palëve, por ato bien dakort për disa çështje madhore e thelbësore. Kosova mund të ndjekë shembullin e Kroacisë apo Sllovakisë. Qeveritë e atjeshme kanë vënë në plan të parë interesat shtetërore, politike, interesat e përbashkëta. Sigurisht kjo nuk është rruga e vetme, por mendoj se secila palë mund ta bëjë të interesuar palën tjetër për qeverisje, duke i dhënë postin e kryeministrit apo duke i ofruar të tjera pozicione të larta. Mendoj se kjo është thelbësore.

EVROPA E LIRË: Dhe një pyetje të fundit. Zoti Bugajski, sa afër apo sa larg janë shqiptarët e Kosovës nga arritja e qëllimit të tyre final: pavarësimit të Kosovës?

J.BUGAJSKI: Qëllimi është i arritshëm, por ai duhet të sigurohet nga njerëzit e Kosovës, të drejtuar nga një udhëheqësi e mirë. Fatkeqësisht nuk shoh aftësi të mjaftueshme drejtuese në Kosovë për momentin. Pa këtë lidership, pa këtë drejtim, kam frikë se Kosova do të jetë në zgrip, ajo mund të gjendet pa rrugëdalje kur komuniteti ndërkombëtar të thotë: ata nuk dinë të qeverisin, pse atëherë u duhet dhënë pavarësia?
Nuk e shpreh dot me fjalë sa e rëndësishme është për Kosovën që qeveria të funksionojë, që të bëhen pakte me bashkësinë ndërkombëtare, që t’u jepet shtysë aspiratave të kosovarëve për formimin e shtetit.
XS
SM
MD
LG