Ndërlidhjet

"LOJRAT POLITIKE ME TE BURGOSURIT...."


AFERDITA RUSHITI


“Ka ngjare ajo që më së paku e kam dëshiruar. Jam liruar i vetëm, jam liruar vetëm unë individualisht”, kishte deklaruar lideri studentor Albin Kurti, pas lirimit nga burgjet serbe, në dhjetor të vitit 2001.
31 Marsi i këtij viti, është afati i fundit kur qeveria e Beogradit duhet t’i plotësojë disa kushte, në mesin e të cilave edhe lirimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë, si parakusht për ndihma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti në kuadër të angazhimit të tij për lirimin e të burgosurve shqiptarë i ka dërguar një letër të hapur anëtarëve të Parlamentit Evropian, për të cilin thotë se nuk ka bere sa duhet në këtë drejtim.
“Unë isha i njoftuar me ato iniciativa që ishin ndërrmarë dhe me këtë rast u dërgova një letër, deputetëve të Paralamentit Europian, dhe nga ata kërkoja që sa më shpejtë që është e mundur të përdorin të gjithë influencën e tyre që e kanë, në mënyrë që Komisioni Evropian ndihmat që i jep Beogradit t’i kushtëzojë sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me çështjen e lirimit të pengjeve”.
Mirëpo, Natasha Kandiç, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë se lirimi i shqiptarëve mund të bëhet vetëm me një presion të mjaftueshëm politik dhe ekonomik ndaj qeveritarëve serb apo jugosllav.
“Nuk ekziston ndonjë interesim për të burgosurit e mbetur shqiptarë në burgjet serbe. Dhe tani pas ligjit për amnesti, rishqyrtimit të vendimeve të gjykatave, të burgosurit shqiptarë me të vërtetë gjenden në funksion të një loje politike. Përdersia askush nuk do të krijojë problem rreth kësaj çështjeje, atëherë ata edhe më tutje do të luajnë lojëra të ndryshme dhe do të japin propozime, si ajo që të burgosurit shqiptarë të lirohen me kusht të lirimit të të burgosurve serb”.
Më 5 Nëntor të vitit 2001 është nënshkruar një dokument i përbashkët ndermjet ish-kryeadminstratorit të Kosovës Hans Hakerup dhe zëvendës kryeministrit të Serbisë, Nebojsha Çoviç, në të cilin një ndër pikat kryesore është edhe transferimi i të gjithë të burgosurve shqiptarë në Kosovë, në mënyrë që të rishikohen edhe një herë proceset e tyre në bazë të standardeve ndërkombëtare. Suzan Manuell, zëdhënëse e misionit të UNMIK-ut në Kosovë për dokumentin në fjalë thotë:
“Kjo është dashur të jetë një nga prioritet, një nga pikat me veprim më të shpejtë, në dokumentin e përbashkët dhe ne duam të shohim një aksion shumë të shpejtë për këtë çështje”.
Vjosa Osmani, zëdhënëse e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, organizatë e cila merret aktivisht me çështjen e të burgosurve:
“Deri më tani nuk kemi kurrfarë konfirmimi lidhur me lirimin apo transferimin e tyre në burgjet e Kosovës, por posa te marrim lajmin se një gjë e tillë do të ndodhë ne menjëher do të informojmë anëtarët e familjeve të të burgosurve”.
Të burgosurit shqiptarë janë gjykuar në gjykime jo të drejta, të montuara dhe pa dëshmi, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Teki Bokshi avokat nga Fondi për të Drejtën Humanitare si dhe mbrojtës i një pjese të madhe të të burgosurve shqiptarë:
“Edhe qeveria e re e Serbisë, e krijuar pas datës 5 Tetor, ka thënë se ata janë denuar në gjykime jo të drejta dhe mbajtja e tyre e mëtutjeshme është absurde jo korrekte dhe jo-humane”.
Duke folur per trajtimin e te burgosurve shqiptare Albain Kurti thote:
“Gardianët, zakonisht kanë hyrë nëpër dhoma të ndryshme dhe i kanë nxjerrur të burgosurit shqiptarë dhe i kanë keqtrajtuar me rradhë. Thjesht ata me atë rast kanë pasur shfryrje jo-njerëzore, shtazarake të tyre ndaj pengjeve shqiptare dhe këtë pa kurrfarë arsye. Mendoj se ata me këto trotura nganjëherë kanë tentuar që ‘ti thyejn moralisht të burgosurit shqiptarë. Nganjëherë kanë tentuar që të zbrasen ata vetë dhe nganjëherë kanë pasur logjikën, pasi që ne kemi forcë ne mund të zbatojmë drejtësi, pra pasi mundemi të torturojmë pse mos të torturojmë. Kjo ka qenë njëfarë logjike e tyre, një logjikë e pa-logjikshme”.
Zonja Kandiç, thotë se shqiptarët më as moralisht e as juridikisht nuk e kanë vendin në burgjet serbe.
“Eshtë e shëmtuar, e keqe, në aspektin moral dhe të drejtësisë, që këta njerëz mbahen në burgje, pavarësisht a kanë qenë anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo jo. Asnjëri prej tyre nuk ka kryer ndonjë krim.
Ekziston një gjë çdo kund në botën e drejtësisë: kur përfundon konflikti i armatosur, ata të cilët dënohen për ndonjë akt jo të ligjshëm gjatë konfliktit të armatosur, pas ndërrimit të qeverisë lëshohen në liri. Personalisht nuk shoh ndonjë arsye që të burgosurit shqiptarë të mbeten në burgjet e Serbisë deri më 31 mars, kur edhe skadon afati i dhënë nga Kongresi Amerikan. Ata nuk e kanë më vendin këtu. Të burgosurit për krime ordinere e kanë vendin në Kosovë, atje ku familjet e tyre mund t’i vizitojnë, ndërsa të burgosurit politik më nuk e kanë fare vendin në burgje”.
Sipas avokatit Bokshi të burgosurit shqiptarë janë të irrituar nga pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare, mediave dhe më së shumti të spektrit politik shqiptarë, që sipas tyre, nuk po bëjnë presion të mjaftueshëm mbi qeverinë e Beogradit, që kjo çështje të zgjidhet.
“Unë mendoj së pari se i gjithë presioni i cili është bërë ndaj ndërkombëtarëve, si nga mediat e posaqërisht nga subjektet politike të cilat kanë pasur shansë të bëjnë më shumë. Pra, nuk ka ekzistuar një trysni konstante”.
Ismail Kadare, shkrimtar i njohur shqiptar kohë më parë i ka dërguar letër të hapur presidentit francez Zhak Shirak, për një rol më aktiv të këtij vendi në lirimin e te burgosurve shqiptare. Por, zoti Kadare, thote:
“Këtu kemi të bëjmë me një vend i cili vazhdon traditën e dy lloj dredhive. E dredhive të vjetra bizantine të Ballkanit dhe e dredhive të epokës komuniste. Jugosllavia është ende një vend gjysëm komunist, stalinist, për mendimin tim, megjithëse duket të hiqet sikur demokratik dhe ajo përdor metodat të tilla. Metodat që janë të fshehta, janë dredharake, dinake. I shmanget të vërtetës, nuk ka asnjë transparencë, s’ka asnjë mendim emancipues ende lidhur me popujt e tjerë që e rrethojnë, sidomos me shqiptarët. Prandaj, këtu unë nuk kam ndonjë besim se së shpejti do të zgjidhet në thellësi kjo gjë. Natyrisht të burgosurit mund të lirohen, por mundet të fshihen në mënyrë dredharake disa prej tyre. Të mos tregohen ku ndodhen, të mos tregohen ata që janë zhdukur. Me një fjalë kemi të bëjmë me një vend i cili mungesën e transparencës, e ka metodë të përditshme”.
Ndonëse, ende mbetet e paqartë nëse 31 marsi do të jetë dita e lirimit të të gjithë të burgosurve shqiptarë, për Albin Kurtin, një gjë është e qartë:
“Duhet të punohet më shumë me Brukselin dhe Uashingtonin duke qenë se ta zëmë për çështjen e pengjeve ata i kanë plotësisht mekanizmat që ta zgjedhin këtë çështje”.

XS
SM
MD
LG