Ndërlidhjet

A. XHAFERI:"DUHET MIRATUAR LIGJIN PER AMNESTI..."


ARBER XHAFERI, kryetar i PDSH-se


EVROPA E LIRE
Si i komentoni paralajmërimet e kryeministrit Georgievski për një ofensivë pranverore dhe po në këtë kontekst sipas mendimit tuaj , ku qendron gjeneza e këtyre sinjalizimeve?

ARBER XHAFERI
Tash është e vështirë të besosh apo mos besosh në paralajmërimet e ndryshme, për shkak se është bërë e qartë, se shumë vendime për çështje madhore si është lufta apo paqja, merren në zonat e hidhta të shoqërisë, jashtë institucioneve demokratike apo shtresave të popullatës, që kanë legjitimitet të përfaqësojnë popullin. Mendoj se popullit shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, familjes shqiptare, individit shqiptar, i nevojitet një paqe që ta rregullojë jetën, perspektivat individuale, familjare dhe së këndejmi kombëtare. Ne nuk marrim parasysh një fakt, se një kohë të gjatë jetojmë në një situatë të një destabilizimi permanent, shoqëror dhe familjar. Nga këto proçese megjithatë humbës dalim ne. Duhet pak a shumë t’i rikthehemi do vlerave të mëdha individuale dhe familjare, t’i rregullojmë pra këto raporte që janë prishur, raporte ndërnjerëzore, duke gjetur ura afrie mes veti, duke i ndërtuar qelizat shoqërore që krijojnë një komb. Atëhere mendoj se do të gjejmë dhe ura afrie me të tjerët.

EVROPA E LIRE
Si do t’i kishit vlerësuar plasaritjet e fundit që dolën në relacionin kryeministër - nënkryetare e qeverisë (Georgievski - Dimoska)?

ARBER XHAFERI
Unë mendoj se shpesh herë ndodh në histori një fenomen që forcat nacionaliste më lehtë merren vesh mes veti, sesa forcat e moderuara dhe forcat nacionaliste që i takojnë një kombi. Në Maqedoni përdoret një fjalor i ashpër nga përfaqësuesit zyrtarë maqedonas, por kujtoj se adresa e saktë është pala maqedonase jo pala shqiptare. Shpesh herë adresimet e këtilla, fjalore kaq brutale fshehin në vetvete një sens për legjitimin e atij faktori që po humb rejtingun. Dhe me marketing të tillë ata synojne ta pushtojnë terrenin në kuadër të kombit të vet, ndonëse mesazhet janë duke iu dërguar palës kundërshtare, pra shqiptare. Zakonisht prapa këtyre fenomeneve fshihet një luftë e egër për legjitimitet brenda atij kombi. Në Maqedoni ka filluar brenda komunitetit maqedonas një luftë e egër për legjitimim, për rejting, kush pra do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Këtu format janë të ndryshme, kanë një notë që mund të quhet antishqiptarizëm, por gjatë vitit të kaluar u panë kapacitetet luftarake. Mendoj që këtu egziston një faktor shumë i rëndësishëm ushtarak dhe politik ndërkombëtar, ai i NATO-s si dhe përfaqësuesit e ndryshëm politikë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asnjë aventurë e këtij lloji nuk do të lejohet.

EVROPA E LIRE
Në fundvitin e 2001 ju patët deklaruar se pengesë kyçe rreth implementimit të marrveshjes kornizë gjatë këtij viti do të jetë sindromi i luftës. Çfarë keni menduar më saktë?

ARBER XHAFERI
Mendoj se egziston një diskurs i luftës, një modë e luftës, apo një fjalor luftënxitës, sidomos në mediumet. Mendoj se këtë modë e nisi gazetaria serbe, meqë ata kishin projekt real për luftë dhe nevojitej një instrument që ta bindë popullin të pranojë luftën. Por ishte dhe një fakt tjetër. Ata kishin kapacitet për luftë, kishin armatë konkrete, struktura komanduese të vërteta, vendime të vërteta politike, qofshin ato publike apo sekrete. Në Maqedoni mungojnë disa faktorë për një fjalor, për një diskurs të tillë luftënxitës.
Në rend të parë: mungojnë mjetet financiare për një luftë të tillë si disa mediume e parapëlqejnë. Mungojnë strukturat e vërteta ushtarake, mungon një proçes i vendimmarrjes valide. Për të marë vendime valide për luftë duhet të eleminohen nga institucionet e sistemit shqiptarët. Nëse ata eliminohen, atëhere do të kemi krizë shoqërore të thellë dhe mobilizim të dyanshëm të popullatës. Në këtë proçes të homogjenizimit etnik, atëhere viktimë kryesore do të jetë vetë Maqedonia. Them që gazetaria maqedonase kopjoi modelin serb, mirëpo kapacitetet shoqërore dallojnë rrënjësisht dhe ky diskurs në Maqedoni është më tepër një mënyrë e importuar nga Serbia, sesa një kanosje reale.

EVROPA E LIRE
Dhe po në këtë kontekst në deklaratën e fundit i dërguari i posaçëm
i Bashkimit Evropian, Alen Le Rua, pati theksuar se shpreson se këtej e tutje do të përshpejtohet proçesi i implementimit të marrveshjes kornizë të Ohrit. Si e shihni ju këtë?

ARBER XHAFERI
Po ata janë tepër sistematikë në punët e tyre. Ai ka ardhur këtu si i dërguar i posaçëm i Unionit Evropian dhe vetes ja ka parashtuar detyrën që ta kryejë punën, pra puna e tij është implementimi i marrëveshjes së Ohrit. Aty ka dy anekse, aneksi A dhe aneksi B, pjesë e obligimeve politike që janë marë nga marrveshja e Ohrit. Këto ditë ai ka punuar një agjendë praktike, se cilat ligje, apo cilat nene të ligjeve egzistuese, duhet të ndërrohen që të implementohet në mënyrë sa më adekuate marrveshja e Ohrit. Pra ai është sistematik, këmbëngulës, metodologjik. Mendoj se punën do ta kryejë si duhet. Tashmë ka hartuar një agjendë se kur duhen filluar të botohen ligjet dhe cilat janë ato ligje që duhet të votohen.

EVROPA E LIRE
Mendoni se është krijuar një klimë e volitshme për miratimin e ligjit të amnestisë me të cilin do të kristalizoheshin çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së?

ARBER XHAFERI
Po ne duke patur parasysh këtë, insistuam që qeveria ta mbështetë këtë deklaratë, dhe u eliminuan motivet që ata hidhnin në opinion kundër nxerrjes së një ligji të këtillë. Meqë u pranua deklarata, tash duhet të hartohet edhe ligji dhe mendoj se janë arritur marrveshje të caktuara me faktorë vendosës maqedonas, që mbas reintegrimit të ashtuquajtur të zonave të krizës, do të dilet me një ligj për amnesti. Mendoj se edhe kjo fazë është tejkaluar dhe egziston një gadishmëri e madhe për nxjerrje të një ligji komplet për amnesti.

EVROPA E LIRE
Partitë politike tash janë duke u sjellë sikur të jenë në fushatë parazgjedhore. Po sipas jush, kur është koha më i volitshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

ARBER XHAFERI
Mendoj se për zgjedhjet e parakohshme momenti më i volitshëm është muaji prill, dmth të shpallen zgjedhjet dhe mbas 2 muajsh të organizohen, pra në qershor. Por deri në muajin prill duhet të votohen disa ligje që kanë të bëjnë me disa nga aspektet e marrëveshjes së Ohrit. Duhet të votohet ligji për vetqeverisjen lokale, pra për komunat, duhet të votohet ligji për amnesti, ligji për modelin zgjedhor, pra cilin model do ta zgjedhin. Duhet të votohet rregullorja e parlamentit, duhet të bëhen disa ndërrime në ligjin për punët e brendshme ku sipas marrveshjes së Ohrit, kryeshefi i policisë së komunave të ndryshme zgjidhet në bazë të propozimit që del nga këshilli komunal. Pra egziston një varg ligjesh dhe nenesh që duhet të votohen dhe ndërrohen. Neve duhet të kemi një orar, si thuhet tashti në gjuhën moderne, një tajming, që duhet ta respektojmë derisa të shpallen zgjedhjet e reja.
XS
SM
MD
LG