Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

A. LE ROY:"NUK KA KURRFARE TERRENI PER OFENSIVE PRANVERE..."


ALAN LE ROY, emisar i Unionit Evropian per Maqedonine

EVROPA E LIRË: Zoti Le Roy, pas më shumë se dy muaj ndërmjetësimi dhe pranie konstante në Shkup, ç’do të thotë për ju miratimi i tekstit të ligjit për vet-qeverisjen lokale?

A. Le Roy - Jam shumë i lumtur që arritëm në këtë konkluzion, por mbetem ende i kujdesshëm sepse duhet që tani konfirmimin ta bëjë parlamenti. Sidoqoftë jam shumë i kënaqur që arritëm në këtë përfundim, kemi punuar një kohë të gjatë mbi të. Ky decentralizim është në fakt në zemër të marrëveshjes së Ohrit, është rezultat i marrëveshjes së Ohrit. Kryesore është që të arrijmë një decentralizim të vërtetë... kemi një marrëveshje tashmë të katër partive politike më të rëndësishme për ligjin, një ligj që fikson orientime të mëdha, të cilat përbëjnë ndryshime themelore për një vend që deri më sot ka qenë mjaft i centralizuar.

EVROPA E LIRË: A ka rrezik që ligji të vonohet apo të mos votohet në parlament?

A.Le Roy - Shpresoj që jo, pasi u dëshmua në takimin tek presidenti Trajkovski, të kryeministrit Georgievski, zotit Xhaferri, përfaqësuesit të Partisë së Prosperitetit Demokratik dhe atij të Social-Demokratëve se që të katër, pra katër partitë kryesore, duhet të mbështesin tekstin në parlament.

EVROPA E LIRË: Çfarë do të jenë konkretisht rezultatet e këtij ligji për komunat?

A. Le Roy -Ka shumë fusha, neni 22, ky ligj, tregon të gjitha fushat në të cilat komunat fitojnë pushtet më të madh, do të thotë kulturë, sport, dhe sidomos në dy sektorë shumë të rëndësishëm, themelor, siç janë shëndetësia dhe arsimi. Në tekst përcaktohet qartë se në çështjen e arsimit, ngritja, financimi dhe administrimi i shkollave fillore dhe të mesme, është përgjegjësi e komunave, në bashkëpunim kuptohet, me pushtetin qendror, por që sidoqoftë është përgjegjësi e decentralizuar, madhore. Edhe në fushën e shëndetësisë decentralizimi është gjithashtu shumë i rëndësishëm pasi do tu japë qartazi komunave, qofshin ato me shumicë shqiptare apo maqedonase, pushtet shumë të rëndësishëm. Kjo rezulton të jetë në të mirë të vendit, pasi prek aktivetete thelbësore si dhe mundëson marrjen e vendimeve që u përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe janë në interes të tyre.

EVROPA E LIRË: Fakti që keni vepruar i vetëm për një periudhë kohe, a do të thotë që Shtetet e Bashkuara ia kanë kaluar stafetën Bashkimit Europian?

A. Le Roy - Jo nuk besoj. Unë jam në kontakt konstant me homologun tim amerikan, ambasadorin Holms, të cilit kur nuk është këtu i telefonoj, mirëpo ai do të vijë shumë shpejt, jo më larg se të shtunën. Gjithashtu jam në kontakt konstant me ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Është pra një përçapje e përbashkët...unë jam mbase më i dukshëm, më i vërejtur, pasi qëndroj gjatë gjithë kohës në Shkup, por duhet thënë se ne kemi pasur pozicion të përbashkët, plotësisht të përbashkët me Shtetet e Bashkuara.

EVROPA E LIRË: Çfarë ndikimi do të ketë aprovimi i ligjit mbi Konferencën e Donatorëve? A është caktuar ndonjë datë për këtë takim?

A. Le Roy - Që prej ditës që ligji të miratohet në parlament, kujtoj atë që ka thënë komisioneri Paten, konferenca do të fiksohet në tre javët pasuese. Ky ishte kushti i fundit që duhej plotësuar.

EVROPA E LIRË: Si e vlerësoni ritmin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit?

A. Le Roy - Për momentin ka qenë shumë i ngadaltë, por tanimë ne kemi shtuar trysninë me qëllim që të ruhet ritmi dhe kjo u verifikua sërish të martën, kur ne arritëm pajtimin e katër partive kryesore që në fund të janarit, pa dyshim 29 ose 30 janar, të vendoset për kalendarin, pra kohën dhe datat e miratimit të të gjithë paketës së ligjeve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit, e që me siguri do të jenë në shkurt dhe mars. Ka pasur shumë vonesa, por tek e fundit është në mandatin tim që të nxis aprovimin e ligjeve sa më shpejt që të jetë e mundur. Edhe një herë konstatova vullnetin e mirë të të gjitha palëve, ndaj edhe kam besim se do tja dalim mbanë, kurse ju do të shihni se javën e ardhshme do të jetë miratuar shumica e ligjeve.

EVROPA E LIRË: Politikanët maqedonas, i referohem veçanërisht kryeministrit Lubçe Georgievski, kanë sinjalizuar mundësinë e riaktivizimit të konfliktit në Maqedoni. Cili është komenti juaj?

A. Le Roy - Rreth kësaj çështje mund të them vetëm se sipas burimeve tona të informimit, nga informacionet që ne disponojmë, nuk bëhet fjalë për përgatitje të ndofarë ofensive pranvere. Kemi ndjesinë se pavarësisht nga ato që fliten apo vëmendja që i kushtohet, nuk ka kurrfarë terreni për ndonjë ofensive pranvere, ndoshta mund të ketë ndonjë element individual, të izoluar që ka interesin të provokojë dhe tërheqë vëmendjen, kjo është gjithmonë e mundur, por besojmë se nuk ka asnjë tentavivë shqetësuese. Thjesht duhet që secila palë që qëndrojë e qetë, pasi mendoj se jemi në rrugën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, që është në interes të shqiptarëve, maqedonasve dhe Maqedonisë në tërësi.
XS
SM
MD
LG