Ndërlidhjet

N. KELMENDI:"NUK KA MARREVESHJE PER POSTIN E KRYEMINISTRIT"


NEKIBE KELMENDI, sekretare e pergjithshme e LDK-se

EVROPA E LIRE
Që nga takimi i fundit ndërmjet Dr. Ibrahim Rugovës dhe ambasadorit Xhon Menzis, kanë qarkulluar informacione se Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëvizur nga pozicionet e saj të mëparshme dhe ka lëshuar postin e kryeministrit për Partinë Demokratike të Kosovës, si kompromis për krijimin e një koalicioni të gjerë qeveritar?

N. Kelmendi
Unë me sa di prej atij takimi nuk ka patur asnjë lëvizje dhe asnjë lëshim. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dhënë një komunikatë të vetën, ku i ka shprehur qëndrimet e veta, të cilat i ka rikonfirmuar. Kështu që në atë aspekt nuk ka asnjë ndryshim qëndrimesh apo ndonjë lëvizje tjetër.

Evropa e Lirë
Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës kishte lëshuar edhe një komunikatë, e cila ishte komentuar nga partitë rivale si një qëndrim i vetëm një pjese të kryesisë së saj?

N. Kelmendi
Në të vërtetë ajo komunikatë është nxjerrë në bazë të mediave, që kanë shkruar për disa emërime për postin e kryeministrit etj. Kështu që Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka parë të arsyeshme të dalë para opinionit kosovar dhe ta njoftojë atë se nuk është fjala për asnjë marrëveshje dhe se nuk ka patur asnjë marrëveshje, në bazë të së cilës Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë koncesion për sa i përket postit të kryeministrit. Ajo ka qënë arsyeja kryesore që dezinformatat, të cilat shpërndaheshin nëpër mjetet e informimit të dezavuohen, përkatësisht të qartësohet pozicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Evropa e Lirë
Sipas kësaj zonja Kelmendi, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka pranuar ofertën e fundit të ambasadorit Menzis, të cilën dy partitë e tjera në bisedime thonë se e kanë miratuar?

N.Kelmendi
Unë nuk di që ambasadori Xhon Menzis të ketë bërë një propozim të tillë. Përkundrazi ambasadori Menzis ka dalë atë natë me një komunikatë të vetën dhe i ka demantuar të gjitha dhe nuk kam çfarë t’i shtoj asaj.

Evropa e Lirë
Sa ka punuar ndërkohë LDK-ja në caktimin e zyrtarëve të saj rreth marrjes së posteve të ndryshme politike, dhe a ka LDK-ja kandidatin e saj për postin e kryeministrin e qeverisë së Kosovës?


N.Kelmendi
Lidhja Demokratike e Kosovës akoma nuk ka bërë përcaktimin e kandidatëve për postet, as për kryeministër, as për ministritë, dhe këtë nuk do ta bëjë përderisa nuk konstituohen të gjitha institucionet qëndrore të Kosovës.

Evropa e Lirë
Një delegacion amerikan pritet të vijë në Kosovë. A prisni që ky delegacion të japë kontributin dhe ndihmën e vet rreth daljes nga kriza apo bllokada institucionale?

N. Kelmendi
Unë nuk e di agjendën e këtij delegacioni amerikan, por gjithsesi në bazë të asaj që kam parë në shtyp, ata vijnë për të inçizuar gjendjen këtu dhe për të ndërtuar një strategji për ruajtjen e paqes dhe mirëqenies në Kosovë, për një dekadë të ardhshme. Nëse hyjnë edhe në bisedime lidhur me këto bllokimet që janë bërë nga partitë e tjera për konstituimin e institucioneve të Kosovës, ajo është çështje tjetër.

Evropa e Lirë
A i konsideroni bisedimet për një koalicion të gjerë si të dështuara, siç thuhet në komunikatën e lëshuar për shtyp?

N. Kelmendi
LDK-ja konfirmon edhe njëherë se nuk ka patur asnjë marrëveshje për ndarjen e postit të kryeministrit PDK-së dhe në këtë kuptim, atëhere, nuk kam çfarë të shtoj më tepër, sesa është thënë në komunikatën e saj.

Evropa e lirë
Dhe në fund zonja Kelmendi, a prisni që bisedimet me partitë e tjera parlamentare për një koalicion të gjerë të vazhdojnë edhe në të ardhmen?

N. Kelmendi
Nuk e di a do të vazhdojnë apo nuk do të vazhdojnë bisedimet, por ne kemi mbetur në atë pozicion që kemi patur. Evropa

XS
SM
MD
LG