Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

ZBULOHET PRANIA TERRORISTE EDHE NE SHQIPERI


ALBAN BALA


Nëse në Nju Jork rrëzimi i Kullave Binjake i dha fytyrë sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, në Shqipëri prania e terrorizmit u zbulua bashkë me ngritjen e dy Kullave Binjake, një projekt godinash 15-katëshe në zemër të Tiranës. Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar tashmë vënien e tyre nën sekuestro ruajtëse, derisa hetimet e nisura për lidhjet e njërit prej investitorëve me qarqe terroriste ndoshta dhe me Al Qaeda-n, të kenë një përfundim. Fjala është për shtetasin arab Yassin Kadi, i cili zotëron 55% të Kullave Binjake të Tiranës, një ndërtim solid diku 50 metra larg dritareve të kryeministrit Ilir Meta.
Prokurori që po merret me çëshjten, Aleksandër Goga refuzoi çdo koment mbi këtë dosje. Zëdhënësi i Prokurorisë së përgjithshme Ardian Visha tha se hetimet sapo kanë nisur, por as ai nuk bëri komente rreth tyre.
“Ka filluar, është vendosur sekuestro nga gjykata e Tiranës me kërkesën tonë. Nuk bëhet koment fare nga prokuroria për më tej”, thotë lidhur me rastin Ardian Visha.
Yassin Kadi, i cili ka qenë i pranishëm prej disa vitesh në Shqipëri, është shpallur tashmë në kërkim dhe vendodhja e tij nuk dihet. I afërm i mbretit të Arabisë Saudite, Kadi konsiderohet një prej atyre që kanë pastruar para për llogari të rrjetit Al Qaeda. Nga hetimet më të fundit është zbuluar se në Shqipëri ai ka qarkulluar vetëm gjatë pesë viteve të fundit rreth 3 milionë dollarë, nga të cilët 2 milion e 350 mijë nëpërmjet Bankës Shqiptaro- Arabo-Islamike dhe 500 mijë dollarë të tjerë nëpërmjet Bankës Malajziane.
Por guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani thotë se nga xhiro- llogaritë e dyshimta nuk janë prekur vetëm këto dy banka. Sipas tij informacionin e disponon Ministria e Financave.
“ Po e para lidhet përsëri me të njëjtën përgjigje, që është Ministria e Financave që i ka të tëra këto dhe është institucioni përgjegjës. Nuk janë dy banka, por janë disa banka”- thotë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani.
Yassin Kadi ka pasur një lidhje mjaft të dyshimtë me një person me origjinë jordaneze, i cili u dëbua nga vendi në nëntor të vitit 1999. Abdul Latif Saleh, mjek- i diplomuar në Britaninë e Madhe, drejtonteFondacionin bamirës e fetar të Jetës dhe të Shkencës, ndërsa prej 1dhjetorit 1995 mbante nënshtetësinë shqiptare. Emri i tij është madje i publikuar në murin e Gykatës së Lartë, ndërsa ai ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare për “dëbimin e paligjshëm, pasi shteti nuk mund të dëbojë shtetasin e vet”, thuhet në padinë e z.Saleh.
Dy javë pas sulmeve të 11 shtatorit ambasadori amerikan në Tiranë shprehu madje shqetësimin e administratës së z.Bush për disa nënshtetësi që presidenti Berisha u kishte njohur gjatë mesviteve 90 disa elementëve të dyshimtë. Por zyrtarë të lartë që kanë shërbyer pranë z.Berisha thanë se asnjë nënshtetësi ndaj të huajve nuk është njohur pa u konsultuar më parë me shërbimin amerikan. Ish-nënkryetari i Shërbimit Sekret Shqiptar gjen.Bujar Rama deklaroi jashtë mikrofonit se një zyrë e posatshme amerikane në Tiranë është konsultuar gjithnjë për raste të tilla. Shtypi ka hedhur dyshime mbi disa prokura të çuditshme dhe shumë të gjera përfaqësimi, madje dhe testamente trashëgimie në rast vdekjeje për pronat në Shqipëri, që Abdul Latif Saleh i ka nënshkruar në vitin 1996 të kërkuarit të fundit në Tiranë, Yassin Kadi. Saleh ka drejtuar për disa vite edhe firmën e ndërtimit Karavan, e cila gjithashtu është vënë nën sekuestro.
Në Kullat Binjake të Tiranë si bashkë-pronarë renditen edhe një sërë biznesmenësh të njohur, shumica pranë qeverisë. Ish-pronarët e truallit, që ishin shpronësuar nga regjimi komunist, i thanë Europës së Lirë pa pranuar të identifikohen se ata ishin shtrënguar ta shesin truallin pasi nuk kishin mundur të siguronin lejet përkatëse të ndërtimit.

XS
SM
MD
LG