Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

META DEKLARON DOREHQJEN


ALBAN BALA



Kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta deklaroi sot dorëheqjen e tij, duke pranuar pamundësi në ushtrimin e detyrës, nga kundërvënia me kryetarin e shumicës socialiste Fatos Nano. Zoti Meta e quajti këtë një presion destruktiv dhe një agresion të pashembullt sulmesh, shpifjesh, qëndrimesh të papërgjegjshme dhe pa themel moral. Duke shpjeguar dorëheqjen e tij kryministri Meta tha:
“Në kushtet kur edhe lëvizja ime e fundit për të pranuar një strukturë të re të qeverisë me ligj, duke qënë i hapur për të përfshirë në qeverinë e re të gjitha figurat më të njohura të Partisë Socialiste dhe të maxhorancës, pa paragjykime, në mënyrë që të garantohej qeverisja afatgjatë, e cila ka marë si përgjigje kushte destruktive, të cilat kërkojnë të mbajnë qeverinë peng të qëllimeve personale të kryetarit të Partisë Socialiste zotit Nano, detyrohem të heq dorë nga funksioni i kryeministrit, duke shprehur besimin se një gjë e tillë do t’i shërbejë hapjes së rrugës për krijimin e një qeverie të re”, deklaroi kryeministri Meta.
Ilir Meta tha se kërkesat e papranueshme të zotit Nano, ishin: siguria për zgjedhjen e tij si president në verën e këtij viti dhe ndërtimi i një qeverie të përkohshme deri në përfundim të referendumit në bazën e Partisë Socialiste.
Meta tha se këto kushte e izolonin vendin dhe i rihapnin rrugë destabilizimit të tij. Zoti Meta, i bëri thirrje Partisë Socialiste për të marë situatën nën kontroll, ndërsa u shpreh:
“ Në këto kushte është përgjegjësi e Partisë Socialiste që të zgjohet, që të mos e lërë veten peng të asnjë personi, dhe të mos e lërë Shqipërinë peng të asnjë grupi të papërgjegjshëm”, tha kryeministri Meta
Opozita e përshëndeti tërheqjen e Kryeministrit duke e çmuar atë një hap në të mirë të vendit. Kryetari i opozitës Sali Berisha përsëriti kërkesën ndaj Fatos Nanos, që “proçesi i integrimit evropian të vendit të mos dëmtohej për interesa personale”.
Lidhur me aktin e dorëheqjes, kryetari i opozitës, tha:
“Jam i sigurt që e ka bërë për të ndihmuar vendin e tij. Sërish i përmbahem asaj se janë rezultante e mësimit të thellë për politikanët se nuk duhet dhe nuk mund të luajnë me vullnetin e lirë të shqiptarëve”.
Kryesia e Partisë Socialiste, ka nisur ndërkaq me dyer të mbyllura, një mbledhje në mbrëmje, për t’i dhënë përgjigje situatës së re të krijuar. Drejtuesit kryesorë socialistë nuk kanë preferuar të flasin. Analistët besojnë se Partia Socialiste është sot më pranë se kurrë rrezikut të ndarjes së saj.

XS
SM
MD
LG