Ndërlidhjet

KULLASHI:"KRIZA PARLAMENTARE - MUNGESE E KULTURES POLITIKE..."


Dr. MUHAMEDIN KULLASHI, profesor i filozofise


Evropa e lirë
Zoti Kullashi, tash sa kohë subjektet politike shqiptare nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për zhbllokimin e krizës institucionale. Çfarë e bën kaq të vështirë arritjen e kompromiseve politike?

M.Kullashi
Kjo është vërtetë shqetësuese. Mendoj se mund të jenë shumë shkaqe, por shkurtazi mendoj që mund të emërtohen me një term: është fjala për një mospërgjegjësi të udhëheqësve, të prijësve të këtyre partive politike, është mospërgjegjësi përballë mandatit që kanë marë nga zgjedhësit, do të thotë që të themelojnë institucionet, do të thotë pikërisht të realizojnë nëpërmjet kompromiseve politike ndërtimin e institucioneve, prej të cilave Kosova pret shumë.
Është fjala në radhë të parë për mospërgjegjësi, jo vetëm thjesht për ambicje personale për poste, që është njëri nga motivet në këtë refuzim për të bërë lëshime njëri në raport ndaj tjetrit.
Është shprehje e një mungese të një kulture të mirëfilltë politike dhe mbyllje ndaj kulturës politike, është mbyllje ndaj gadishmërisë që të mësohet diçka. Mendoj që kjo mbyllje mund të cilësohet edhe si një autizëm politik, autizëm së pari ndaj asaj që po ndodh në Kosovë, do të thotë nevojat thjesht të kosovarëve, që janë të mëdha, për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike. Së këndejmi, kjo paralizë e skenës politike që e bllokon ndërtimin e institucioneve,
mjerisht e diskrediton shumë fort përpara bashkësisë ndërkombëtare kërkesën e kosovarëve për pavarësi, sepse si argument del se shqiptarët nuk janë në gjendje, nuk kanë prijës politikë që janë në gjendje të merren vesh as për të konstituar një qeveri. Sa do të jenë në gjendje ata pastaj të zgjidhin probleme të rënda ekonomike, sociale dhe politike.

Evropa e Lirë
Në qarqe të caktuara nuk kanë munguar cilësimet për një strukturë klanore dhe nacionalizëm ekskluziv në Kosovë. Si i komentoni këto deklarata?

M.Kullashi
Unë nuk mendoj se kjo është arsyeja kryesore, struktura klanore, sepse mendoj se në këto ndryshime sociale nuk kemi të bëjmë me ndonjë strukturë tradicionale klanore. Mendoj që më tepër është fjala vërtet për një mungesë të përgjegjësisë politike dhe të kulturës politike në një kuptim më të gjerë. Do të thotë është refuzim, që ata prijësa të hapen përballë proceseve që ndodhin në Kosovë, që ndodhin në Ballkan, apo në Evropë. Ata janë plotësisht të mbyllur. Kjo mospërfillje e përgjegjësisë dhe kërkesave të kosovarëve është shqetësuese. Mendoj që më tepër është kjo. Në njërën anë është shprehje e ambicjeve të ngushta personale, por më tepër është shprehje e një kokëfortësie, e një shpirtngushtësie. Është thjesht mospërgjegjësi ndaj kësaj situate të tillë, që është e rëndë dhe kjo ka pastaj mjerisht për statusin e Kosovës, apo për statusin e kosovarëve në përgjithësitë ndikim në skenën ndërkombëtare.

Evropa e Lirë
Duke u përpjekur të tregohemi optimalë, çfarë përpjekjesh mund të bëhen për ngritjen e një vetëdijeje dhe një kulture moderne politike tek klasa drejtuese?

M.Kullashi
Unë mendoj që sa është përgjegjësi e madhe e prijësve politikë, aq është e madhe edhe përgjegjësia e partive politike, meqë nuk shohim fare asnjë reagim nga ana e strukturave të brendshme të këtyre partive. Mendoj që është fjala edhe për të meta të vetë partive politike se normalisht një parti politike e strukturuar mirë do t’i detyronte udhëheqësit e vet të gjejnë kompromis. Ne shohim, lexojmë në shtyp bie fjala se gjoja njësi të ndryshme partiake përkrahin udhëheqësit e tyre për ato qëndrime. Del që baza po i përkrah faktikisht për paralizën e situatës politike. Kjo përkujton ato metoda, apo rituale politike të kohës së komunizmit kur baza politike çonte gjoja përkrahje majës së partisë. Së këndejmi, është kjo edhe vetë mungesë e përgjegjësisë së strukturave partiake të partive përgjegjëse, është edhe një mungesë e një reagimi më të fortë të vetë opinionit të intelektualëve dhe të opinionit më të gjërë ndaj dukurive të tilla, që e paralizojnë jetën politike, që e bllokojnë formimin e institucioneve dhe që do të thotë që pengojnë zgjidhjen e problemeve të rënda të Kosovës.

Evropa e lirë
Në një klimë zhvillimesh globale gjithnjë në ndryshim, kemi parasysh bisedimet për statusin e Malit të Zi, fokusimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, apo edhe zhvillimet brenda vetë Kosovës, si mund të rezultojë një vektor i forcave për një periudhë afatshkurtër në kuptimin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

M.Kullashi
Mua më duket se qëndrimi i strukturave ndërkombëtare është që tani për tani statusi final i Kosovës të mos diskutohet, që kjo çështje të shtyhet për një kohë dhe që theksi të vihet në ndërtimin e institucioneve në bazë të asaj që është kushtetuese dhe në zgjidhjen e problemeve në Kosovë, që janë të rënda. Mendoj që veprimet e udhëheqësve politikë kohët e fundit vetëm që e kanë forcuar këtë qëndrim të bashkësisë ndërkombëtare dhe këtë bindje që është e vështirë të ketë përkrahje për pavarësi të Kosovës tani për tani, bie fjala në rrethana kur partitë politike nuk janë në gjendje të merren vesh për çështjen më elementare në konstituimin e këtyre institucioneve. Prandaj çështja e statusit shtyhet. Është e qartë se kjo do të ndodhë, sepse nuk ka argumente për bashkësinë ndërkombëtare, që të përkrahin tani për tani statusin e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG