Ndërlidhjet

"PARULLAT KUNDER UNMIK-ut - PARULLA KUNDER INTERESAVE TE KOSOVES"


MUHAMEDIN KULLASHI



Para mëse një viti, gjenerali Momçillo Perishiç, tani nënkryetar i qeverisë së Serbisë pati deklaruar: “Armata jonë do të kthehet në Kosovë, atëhere kur bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se shqiptarët janë popull me të cilin askush nuk mund të jetojë”. Gazetari i Beogradit Stipe Sikavica e cilësoi këtë deklaratë si raciste. Sido që të jetë edhe në mbështetje të qëndrimeve të tjera shpresat e nacionalizmit serb për t’u kthyer në Kosovë, mbështeten në keqësimin e mëtejshëm të marrdhënieve midis kosovarëve dhe organizmave ndërkombëtare që gjenden aty. Manifestimet e fundit në Prishtinë dhe sidomos konfrontimi me policinë e UNMIK-ut sikur i ushqejnë këto shpresa. Natyrisht mund të thuhet se e drejta e manifestimit është e drejtë elementare në një shoqëri demokratike, mirëpo kjo vlen vetëm nëse ato nuk marrin trajta të dhunshme dhe nëse zhvillohen brenda suazave ligjore. Manifestimet kundër arrestimit dhe hetimeve ndaj tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, janë problematike sa në aspektin juridik aq dhe në atë politik. Në aspektin e parë, kjo do të thotë se organet gjyqësore nuk do të kishin të drejtë të bëjnë hetime ndaj disa individëve për shkak të meritave nga lufta, gjë që do të thotë se këta individë do të ngriheshin mbi ligjet që duhet të vlejnë për të gjithë.
Mirëpo në çdo shoqëri sado pak të qytetëruar asnjë individ nuk mund të pretendojë imunitet ndaj procedurave ligjore të hetuesisë për deliktet e mundshme. Këto procedura nënkuptojnë edhe të drejtën e mbrojtjes ligjore.Kështu individi nën hetime është i pafajshëm përderisa gjyqi kompetent nuk e merr vendimin definitiv. Ndërkaq fajësinë apo pafajësinë e individëve e vërtetojnë instancat kompetente gjyqësore. Në Kosovë egziston megjithatë një hapësirë publike ku mund të kritikohen masat apo veprimet e instancave të ndryshme. Sfera e drejtësisë konsiderohet si një nga tre sferat kyçe të shoqërisë moderne, krahas pushtetit ligjvënës dhe atij ekzekutiv. Instancat gjyqësore sapo kanë filluar të funksionojnë në Kosovë. Vështirësitë që pengojnë funksionimin e tyre janë të shumta, por kryesorja vjen nga kërcënimet dhe shantazhet e individëve apo të grupeve që i bëhen gjyqtarëve në punën e tyre. Këto pengesa bëhen më të mëdha nëse popullsia nxitet të shprehë mllef ndaj masave të organeve policore ose të atyre gjyqësore. Në këtë mënyre mund të rrënohen nga themeli, institucionet që tani janë tejet të brishta, dhe me këtë do të rrënohet perspektiva për ndërtimin e një shoqërie të organizuar e të mos flasim për shtetin juridik dhe shoqërinë demokratike, prej të cilave ende jemi larg. Rrjedhojat politike të këtyre tendencave janë edhe më të dëmshme. Kjo do të thotë se paralizës së institucioneve politike do t’i shtohej paraliza e instancave të rendit dhe të drejtësisë. Në këtë mënyrë, kosovarët si dhe përfaqësuesit e tyre politikë pothuajse po bëjnë përpjekje ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se ata nuk dinë ose nuk duan të ndërtojnë dhe të respektojnë institucionet elementare të një shoqërie të organizuar. Njëkohësisht dëshmojnë më shumë aftësi për t’u mbyllur brenda kokëfortësive dhe interesave të kufizuara sesa aftësitë politike për të komunikuar mes tyre ose me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, pra që bëjnë përpjekje ta dobësojnë gjithmonë e më shumë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Pikërisht këtë e dëshiron edhe nacionalizmi serb. Nga kjo nuk mund të dalë asgjë tjetër veç kaosit dhe anarkisë.
Athua sakrificat e shumta që kanë bërë kosovarët në dhjetë vitet e fundit duke përfshirë këtu edhe luftën e armatosur duhet të çojnë në këtë drejtim???
Është e qartë se parrullat kundër UNMIK-ut janë parrulla kundër interesave jetike të Kosovës, se forcat që pengojnë hyrjen e sërishme të tankeve serbe në Kosovë janë forcat e Kombeve të Bashkuara. Të ngrihesh kundër tyre do të thotë të punosh kundër vetvetes!!!
XS
SM
MD
LG