Në Hagë, ish presidenti jugosllav, Millosheviq është i akuzuar për përgjegjësi për krime lufte kundër njerëzimit në Kosovë, në Kroaci dhe në Bosnjë. I gjithë procesi pritet se do të zgjasë dy vite. A ka gjasë që ky gjykim do të mund të reflektohet në zhvillimet e ardhshme në Kosovë…veçanërisht në procesin e statusit final të Kosovës?
DANIEL SERWER
Nuk mendoj ashtu. Mendoj se çështja e statusit final dhe çështja tribunalit nuk kanë të bëjnë shumë njëra me tjetrën. Çështja e Tribunalit është çështje e përgjegjësisë personale për krime të bëra dhe nuk është çështje që do të ndikoj në statusin final të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, në Kosovë ende ekziston një situatë pa qeveri dhe institucionet e tjera demokratike. Si mund të gjejnë liderët politikë zgjidhje dhe cila është mënyra më e drejtë për ta bërë këtë sipas mendimit tuaj?
DANIEL SERWER
Mënyra e drejtë për ta bërë këtë është që të bisedojnë mes veti dhe të gjejnë shtegdalje. Por, frikësohem se, në këtë aspekt, ata po presin ardhjen e Mihael Shtajnerit, që është për keqardhje…Mendoj se zoti Shtajner do të bëj përpjekje maksimale për të gjetur shtegdalje sa më shpejtë që të jetë e mundur.
RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se pa zotin Shtajner ata nuk do të bëjnë asgjë?
DANIEL SERWER
Natyrisht, ata mund të bëjnë çka të duan para ardhjes së zotit Shtajner…dhe besoj se ai preferon që ata të gjejnë zgjidhje para se ai të vijë. Mirëpo, ky është Ballkan dhe frikësohem se disa njerëz nuk dëshirojnë ta marrin përgjegjësinë. Ata preferojnë që ndërkombëtarët ta marrin përgjegjësinë. Kjo është për keqardhje dhe mendoj se do të ishte shumë më e preferueshme që ata ta zgjidhin këtë situatë tash menjëherë.
RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni, si mund të dërgohet porosi te këta liderë politikë që të marrin përgjegjësi për problemet atje?
DANIEL SERWER
Unë po u dërgoj porosi atyre duke biseduar me ju dhe nuk dij se ç’ka mund të bëj më tepër. Më duket se është e qartë se është përgjegjësi e tyre që ata duhet ta zgjidhin. Sa më shpejtë që ata të tregojnë se mund të gjejnë zgjidhje me forca të veta do të ishte më mirë për Kosovën. Qartazi, bota po e shikon Kosovën dhe thotë: a mund ta qeverisin vetveten këta njerëz? Tash për tash, nuk është e qartë se ata munden.
RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni ju, a munden ta qeverisin ata vetveten?
DANIEL SERWER
Jam i sigurtë se munden. Por, lypset që ti lënë anash disa mospajtime dhe inate të vjetra dhe të arrihen kompromise. E di se është vështirë …veçanërisht kur kishte, do të thosha, shumë inate personale, por mendoj se është koha që të arrihet kjo.
RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë ditëve të fundit kishte protesta kundër administratës ndërkombëtare në Kosovë. Ishte ky kundërshtimi i parë i fuqishëm nga grupe shqiptare karshi administratës ndërkombëtare. Si i komentoni ju këto ngjarje?
DANIEL SERWER
Mendoj se shqiptarët duhet ta kuptojnë se edhe atje ka përgjegjësi për krime. Ata duhet ti mbështesin përpjekjet për identifikimin e atyre që kanë bërë krime dhe për ti mbajtur ata përgjegjës.