Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

S. MILLOSHEVIQ AKUZON NATO-n DHE PERENDIMIN


AUGUSTIN PALOKAJ, Hage

Ditën e tretë të gjykimit të tij para Tribunalit të Hagës, Sllobodan Millosheviq realizoi atë që kishin paralajmëruar edhe bashkëpunëtorët e tij, pra se do të përqëndrohet gjatë fjalimit në akuza ndaj NATO-s dhe UÇK-së, e jo të merret me vetë krimet që i ngarkohen sipas aktakuzës. Millosheviqi fjalimin e tij të gjatë para gjyqit të Hagës e filloi sot me paraqitjen e një filmi kontravers dokumentar të televizionit gjerman, të titulluar:“E gjitha filloi me një gënjeshtër”. Një qasje e tillë e Millosheviqit siç u pa më vonë, kishte për qëllim të bindë opinionin se ky gjykim është një akt kriminal kundër tij dhe popullit të tij, siç tha ai.
Ja se çfarë tha vetë Millosheviq pas shfaqjes së këtij filmi.
“Kjo është më pak se një atom në oqeanin e rrenave dhe produkt i propagandës dhe abuzimeve të mediave si mjete të luftës kundër vendit tim”, tha Sllobodan Milosheviq.
Ai në vend që të adresojë krimet që i ngarkohen, u përqëndrua në akuza edhe ndaj prokurorit, që e kishte lexuar arsyetimin e aktakuzës kundër Millosheviqit në dy ditët e mëparshme.
“Ai - prokurori akuzoi Serbinë dhe gjithë serbët që më mbështetën dhe ata që vazhdojnë të më mbështetin në Serbi. Ai kështu akuzon tërë kombin serb”- tha Sllobodan Millosheviq, duke shtuar se Tribunali e akuzon edhe inteligjencën serbe dhe të gjithë serbët. Millosheviqi në vazhdim paraqiti disa fotografi të viktimave, që sipas tij, janë viktima civile të sulmeve të NATO-s. Ai, siç pritej, tha se deportimi i shqiptarëve në Kosovë nuk është ngritur nga veprimet e forcave serbe, por nga sulmet e NATO-s dhe urdhërat e terroristëve të UÇK-së, siç i quajti ai.
“Terroristët shqiptarë të UÇK-së madje vrisnin shqiptarët që nuk donin të largoheshin nga shtëpitë e tyre, sepse në këtë mënyrë dëshironin të krijonin kushte për agresion dhe krime kundër popullit tim”, ka thënë Millosheviq.
Kështu i akuzuari kryesor hodhi poshtë edhe akuzat për mosgadishmëri të zgjidhjes politike të problemit të Kosovës.
“Unë edhe me amerikanët, përveç disa takimeve me Rugovën, kam paraqitur projekte për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndërsa në ato projekte ka qënë pengesa kryesore në faktin se kemi insistuar që zgjidhja të jetë përmes barazisë së të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Millosheviq dhe ka nënvizuar se Serbia na paska qenë i vetmi vend ku nuk ka patur diskriminim dhe ku të gjithë popujt paskan jetuar në harmoni.
Pra për luftën dhe veprimet në Kosovë akuzoi NATO-n dhe UÇK-në, ndërsa për në Kroaci, tentimin e këtij shteti që me dhunë të shkëputet nga Jugosllavia. Në Bosnje Millosheviq tha se lufta kishte filluar me vrasjen e një serbi gjatë dasmës në Sarajevë, ndërsa gjithë kohën Millosheviqi është orvatur që të gjithë këto luftra vetëm t’i ndalë dhe të sigurojë paqen. Millosheviq pati dhe disa fjali tashmë të njohura nga retorika e tij për glorifikimin e popullit serb. Tha për shembull se fshatari serb është më i shkathti në botë, se serbët janë i vetmi popull në botë që ka arritur të rrëzojë të ashtuquajturin avionin e padukshëm amerikan, ndërsa i dha lëvdata dhe vetes për fjalimin e njohur në Gazimestan.
“Ky ka qenë një fjalim i shkëlqyeshëm i imi, dhe atij nuk mund t’i gjeni vërejtje, madje as tani nuk do të kisha ndryshuar asgjë në të”, tha Millosheviq dhe vazhdoi të lexojë në Gjykatë tërë fjalimin nga Gazimestani i vitit 1989, për të dëshmuar se sipas tij, Prokurori ka nxjerrë nga konteksti një fjali të parëndësishme ku ai paralajmëron se do të ketë luftra. Sidoqoftë asgjë e papritur dhe e panjohur nuk u dëgjua sot nga goja e të akuzuarit për krimet më të rënda në historinë e re të njerëzimit. Ai edhe nesër do të vazhdojë në fjalimin e tij në të njëjtën mënyrë, por me siguri kur të fillojnë të dëshmohen krimet një nga një, atij nuk do t’i lejohet një qasje e tillë e fjalimeve politike dhe akuzave ndaj të tjerëve, por do të duhet të përqëndrohet në pikat, për të cilat flitet në Gjykatë.
XS
SM
MD
LG