Ndërlidhjet

JANUSZ BUGAJSKI: HAGA - POROSI E FUQISHME PËR TË GJITHË MILLOSHEVIQAT E VEGJËL


“Ky është një turp i tmerrshëm…që kosovarët, për fat të keq, nuk ishin në gjendje të veprojnë së bashku politikisht për të formuar Qeverinë dhe Presidencën pas zgjedhjeve shumë të mira, në të cilat populli i Kosovës shprehu vullnetin e tij” – thotë Janusz Bugajski, drejtor për Evropën Lindore në Qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Hagë, ish presidenti jugosllav Millosheviq është i akuzuar për përgjegjësi për krime të luftës kundër njerëzimit në Kosovë, në Kroaci dhe në Bosnjë.
A ekziston ndonjë mundësi që ky proces gjyqësor të reflektoj në zhvillimet e ardhshme politike në Ballkan?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se gjykimi është shumë i rëndësishëm ngase i finalizon të gjitha ngjarjet gjatë një dekade të kaluar, me një fjalë, të gjitha luftërat, për të cilat Millosheviqi ishte përgjegjës… për vrasje masive, për nxitje të urrejtjes nacionaliste. Pra, në këtë kuptim, është një aspekt pajtimi por edhe indikacion për të ardhmen se s’ka më diktatorë…s’ka më tolerim për Millosheviqin në rajon. Shpresoj se ky tash është pozicioni i Bashkësisë Ndërkombëtare.
Mendoj se gjykimi dërgon një porosi të fuqishme te të gjithë Millosheviqat e vegjël, që janë të fshehur në vende të ndryshme të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ti kthehemi Kosovës. Kryeadministratori i ri, zoti Steiner tashmë është në Kosovë. Por, tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentaare atje nuk ka President dhe Qeveri. Si e shpjegoni ju këtë vonesë dhe në ç’mënyrë zoti Steiner mund të jetë i dobishëm për këtë proces?

JANUSZ BUGAJSKI
Ky është një turp i tmerrshëm…që kosovarët, për fat të keq, nuk ishin në gjendje të veprojnë së bashku politikisht për të formuar Qeverinë dhe Presidencën pas zgjedhjeve shumë të mira, në të cilat populli i Kosovës shprehu vullnetin e tij. Këto zgjedhje konsideroheshin nga më të lirat dhe më korrektet, që janë mbajtur në Ballkan gjatë viteve të fundit. Prandaj, është turp që në Kosovë nuk ka partner për përfaqësuesin e ri të lartë…
Ju do të keni situatën që ai do ti shtojë pushtetet qeverisëse dhe politike, që është në kundërshtim me atë që Kosovarët duan. Atyre u duhet që të mos jenë të varur nga ndërkombëtarët dhe të jenë më tepër të pavarur. Rruga kah kjo është që të formohet Qeveria legjitime kredibile, që mbështetet nga populli…që ajo të merret me ndërkombëtarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, ditë më parë, ndodhën kundërshtime të para të fuqishme të grupeve shqiptare karshi administratës ndërkombëtare. Si i komentoni ju këto ngjarje?

JANUSZ BUGAJSKI
Gjatë ditëve të shkuara kishte protesta. Vështirësi në Kosovë është se populli mund të manifestoj por nuk ka organ legjitim nëpër të cilin politika do të zbatohej dhe këto raste do të hetoheshin. Situata më e mirë do të ishte nëse atje ekziston qeveria legjitime dhe sistemi i drejtësisë nëpërmjet të të cilit do të bëhej hetimi brenda Kosovës. Kuptohet duhet të ketë bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe nëse ekzistojnë dëshmi kredibile se këta njerëz kanë bërë të këqia, se janë fajtorë, atëherë mendoj se faza e ardhshme do të duhej të ishte njëlloj hetimi dhe procesi gjyqësor. Unë do ti kuptoja protestat e mëdha kundër Bashkësisë Ndërkombëtare vetëm nëse ato janë mbi një bazë shumë kredibile. Por, kuptohet kosovarët mund të manifestojnë në mënyrë paqësore dhe lirisht, ngase kjo është diç që nënkuptohet në demokraci. Shpresoj se kjo është ajo që kosovarët po ndërtojnë.
XS
SM
MD
LG