Ndërlidhjet

KUSH E SHKAKTOI INCIDENTIN NË HARAÇINË?


Isuf Kadriu

Incidenti i mbrëmshëm në Haraçinë, ku sipas banorëve, në një pikë policore ishte keqtrajtuar një i ri shqiptar, ka rezultuar me tërheqjen e pjesëtarëve të policisë dhe zëvendësimin e tyre me forcat e përziera policore.

“Detyrën në këtë postbllok e morën në dorë policët e stacionit policor të Haraçinës dhe atë në përbërje të përzier, që do të thotë se nga gjashtë policët, tre do të jenë maqedonas, tre shqiptarë. Përgjegjës në postbllok do të jetë një shqiptar”- tha zëvendëskryeministri Qemal Musliu, i cili mbrëmë vonë ka realizuar takime me Ministrin e brendshëm Boshkovski dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend. Ndërkohë rreth incidentit të mbrëmshëm, ishin shkëmbyer akuza mes përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë maqedonase dhe zëdhënësit të Ministrisë së brendshme.

“Shoferi, pasi ishte ndalur nga policia, ka dalë nga vetura dhe ka fyer pjesëtarin e policisë, i cili është mbrojtur pas sulmit që ndërmori Selavdi Jusufi ndaj tij”- tha zëdhënësi i Ministrisë së punëve të brendshme, Vasko Sutarov. Nga ana tjetër zëvendëskryeministri, Qemal Musliu deklaron të kundërtën:

“Njëri nga policët në postbllok kishte keqtrajtuar një qytetar nga fshati Haraçinë edhe pse nuk ka patur asnjë arsye për të keqtrajtuar këtë person” - tha zëvendëskryeministri Musliu.

Banorët e Haraçinës ndërkohë kanë kërkuar edhe heqjen e orës policore, e cila ishte aplikuar që pas përfundimit të konfliktit të armatosur, ndërsa prefekti i komunës për të pestën herë kërkesën e ka dorëzuar në Ministrinë e punëve të brendshme.

Nga ana tjetër popullata shqiptare në disa fshatra të rajonit të Tetovës kishte bllokuar sot rrugët për forcat e kombinuara policore, të cilat duhej të depërtonin në komunat Kamjan dhe Bogovinë.

“Plani pilot në këtë rajon dështoi për shkak të bllokadave nga banorët vendës, të cilët kanë parashtruar disa kërkesa politike siç janë: sjellja e ligjit për amnisti, lirimi i të burgosurve, legalizimi i Universitetit të Tetovës, si dhe kërkesa të tjera”- tha zëdhënësi i trupit qeveritar, Zoran Tanevski.
XS
SM
MD
LG