Ndërlidhjet

ADEM DEMAÇI: NUK KEMI QENË TË PRANISHËM NË BISEDAT E MAHMUT BAKALLIT …POR NE I BESOJMË SE ASHTU KANË QËNË


“Këto kanë qënë përpjekjet e Serbisë për të gjetur eventualisht njerëz, të cilët do të ishin në gjendje të bënin diçka që ta sabotonin edhe më konkretisht edhe më fuqimisht, kryengritjen, e cila tashmë kishte filluar në Kosovë… Kjo përpjekje e tyre ka shkuar huq” – thotë Adem Demaçi, ish i burgosur politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshmitari i parë para Tribunalit të Hagës, Mahmut Bakalli ka zbuluar disa fakte që për opinionin e gjërë kosovar nuk kanë qenë të njohura. A po shpaloset me këtë rast edhe një pjesë e historisë së popullit shqiptar të Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Po... sigurisht që një pjesë e historisë së panjohur të disa përpjekjeve të shqiptarëve, që në një mënyrë ose një tjetër, të kontribuojnë në daljen nga katastrofa, nga kataklizma, nga tragjedia… që përgatitej kundër shqiptarëve, sigurisht që po zbulohet, por më interesante është se çfarë po ndodhë në realitet. Ne nuk kemi qenë të pranishëm në bisedat e Mahmut Bakallit që janë bërë por ne i besojmë se ashtu kanë qënë, siç thotë ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi si e vlerësoni ju zbulimin e këtyre fakteve që në njëfarë mënyre Kosovën kanë mundur ta shpëtojnë nga lufta?

ADEM DEMAÇI
Po, po them ai zbulim nuk është kurrfarë tragjedie, siç mundohen shqiptarët ta tregojnë, që ja paska qenë edhe ky në bisedime pa autorizime etj, etj. Kjo nuk ka aspak rëndësi… Por këto kanë qënë përpjekjet e Serbisë për të gjetur eventualisht njerëz, të cilët do të ishin në gjendje të bënin diçka që ta sabotonin edhe më konkretisht edhe më fuqimisht, kryengritjen, e cila tashmë kishte filluar në Kosovë. Domethënë këto kanë qënë ato përpjekje dhe për fat ato nuk i kanë gjetur ato pykat edhe njerëzit, të cilët do të ishin në gjendje që të sabotonin kryengritjen… Kjo përpjekje e tyre ka shkuar huq.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju zoti Demaçi a do të dëshmoni para Tribunalit të Hagës?

ADEM DEMAÇI
Unë nuk e di si është sistemi i dëshmitarëve atje. Mua deri tani nuk më ka ftuar askush, nuk më ka thënë askush asgjë. Nuk e di a është në stilin e tyre të thirren dëshmitarët pa pritur e pa kujtuar dhe pa e ditur ata se do të mund të dëshmojnë atje. Unë për veten time nuk besoj se do të më thërrasin atje, sepse kam përshtypjen se Tribunali ka marë një program tjetër dhe i përmbahet një vije tjetër të dëshmitarëve që në një mënyrë ose tjetër kanë qënë në kontakt me regjimin dhe me Milosheviçin dhe me të tjerët edhe që mund të dëshmojnë diçka më për së afërti. Por për mua si dëshmitar, një viktimë e gjatë e gjykimeve dhe padrejtësive të rregjimit serb, nuk besoj se do të ketë rend apo kohë për një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG