Ndërlidhjet

PS-JA TË BËJË SA MË PARË RIVLERËSIMIN E KAPITALIT POLITIK TË SECILIT GRUP BRENDA SAJ


GJERGJ BUXHUKU

Qeveria Majko 2 është rasti i parë në Shqipëri i formimit në kushte jo të jashtëzakonshme të një qeverie kompromisi midis palësh të përfaqësuara politikisht në parlamentin shqiptar. Deri më tash qeveritë shqiptare janë formuar pa diskutime dhe debate, drejtpërdrejt nga forcat politike që kanë fituar me shumicë absolute votat e elektoratit shqiptar. Pa dyshim në planin formal kjo është një risi për skenën politike shqiptare, por tej formalitetit të saj një zhvillim i tillë shfaqi hapur një sërë problemesh thelbësore që ekzistojnë në gjithë realitetin politik dhe institucional shqiptar.

Së pari - kompromisi u kërkua jo midis partive të ndryshme shqiptare, qoftë edhe të afërta politikisht, por drejtpërdrejt në mesin e partisë fituese të zgjedhjeve. Ndarja e prerë në dy kampe të mëdha e deputetëve dhe e përfaqësuesve në forumet drejtuese të PS-së, mungesa e figurave të rëndësishme të ndërmjetme, ashpërsia e përplasjes dhe, mbi të gjitha, temat shpërthyese të konfliktit, nuk lënë pikë dyshimi që vota e militantëve dhe e elektoratit socialist është tejet e komprometuar. Nëse do të kemi parasysh ekzistencën e moralit në politikë, përfundimisht Partia Socialiste është e detyruar të kërkoj, në një kohë sa më të shpejtë, rivlerësimin e kapitalit politik të secilit grup brenda saj, fillimisht në gjirin e saj nëpërmjet debatit politik dhe pastaj në publik nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Ajo që ndodhi në gjirin e Partisë Socialiste, tregon se në kushtet e një shteti me institucione kontrolluese dhe ndëshkuese për ekzekutivin krejt të dobëta, është fare e lehtë për individët të përvetësojnë fitoret politike të partive në favor të interesave pasurore personale.

Korrupsioni është një mjet efikas i ekzekutivit të formoj grupe interesi personale, të cilat nga njëra anë nuk kanë frikë nga ligji, për arsyen e thënë më sipër dhe nga ana tjetër nuk mbajnë përgjegjësi direkte ndaj elektoratit, sepse fshihen nën mantelin e fitores partiake. Pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme që kryetarët e partive fituese në zgjedhje, si figurat qendrore të kapitalit politik të zotëruar, duhet të kenë të drejtën unike të propozojnë drejtpërsëdrejti figurat kryesore ekzekutuese në të gjitha rastet kur nuk e marrin peronalisht këtë post që u është dhënë. Vetëm në këtë mënyrë përgjegjësia politike përputhet me përgjegjësinë ekzekutive përpara elektoratit dhe sigurohet kohezioni i partisë për qeverisje.

Eksperienca e krizës politike të tanishme kërkon detyrimisht që institucioni i presidencës në kushtet shqiptare, edhe në kushtet e republikës parlamentare, duhet të gëzoj legjitimitetin e besimit të votës së drejtpërdrejtë dhe jo indirekte të popullit. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet oponenca reale institucionale e domosdoshme për mënjanimin e anarkisë politike që të çon deri në anarki institucionale me pasoja të paparashikueshme.
XS
SM
MD
LG