Ndërlidhjet

RUSIA DO TË KETË NJË ROL MË TË THEKSUAR NË NATO


Kathleen Knox Nato, tashmë, i ka bërë publike propozimet për marrëdhënie më të afërta me Rusinë, që do ti mundësonin Moskës që të shprehet më zëshëm për çështjet e Aleancës. Shpresohet se një marrëveshje e re për marëdhëniet Nato – Rusi do të mund të arrihej në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Natos, që do të mbahet në Islandë, gjatë muajit Maj të këtij viti.

Natoja ende nuk ka qartësuar se çfarë marëdhëniesh do të ndërtojnë të 19 shtetet aleate me Rusinë. Megjithatë, sipas disa detajeve që tashmë dolën në opinion, mund të thuhet se Rusisë do ti jepet qartazi një rol më i rëndësishëm, që nënkupton edhe të drejtën e votës për disa çështje.
Mirëpo, zëdhënësi i aleancës veriatlantike, Mark Laity thotë se, pavarësisht nga epilogu i bisedimeve, Rusia nuk do ta ketë të drejtën e vetos në aksionet e Natos ose vend në Këshillin veriatlantik. Kjo, sipas zëdhënësit Mark Laity, do të thotë se Natoja nuk do ti zgjeroj klauzolat e mbrojtjes së ndërsjellë, me Rusinë. Ai thotë, poashtu, se shpreson se detajet e marrëveshjes së re do të dihen gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Natos në Islandë:

- Nëse ia dalim ta kemi këtë marrëveshje në Rejkjavik në Maj, do të ishim shumë të kënaqur. Por edhe nëse nuk ia dalim - kjo nuk do të jetë shumë dëshpëruese – thotë Mark Laity.

Vëzhgues në Bruksel thonë se ekziston propozimi sipas të cilit Rusisë do të mund ti jepej një vend në trupën e emërtuar “Natoja në shkallën 20”, që do të kishte një hapësirë të kufizuar në marrjen e vendimeve në krahasim me Këshillin Atlantik. Në këtë aspekt, Rusia do të mund të votonte për çështje që kanë të bëjnë me misionet paqeruajtëse, me operacionet e kërkim-shpëtimeve dhe me aspekte të armatimit. Por, Rusia nuk do të kishte të drejtën e vetos lidhur me “interesat vitale” të secilit shtet të Natos për çështjet që kanë të bëjnë me vendime ushtarake. Këto çështje do të vazhdojnë të trajtohen nga 19 anëtarët e plotfuqishëm të Natos.

Njëra nga klauzolat që po diskutohet është edhe gjetja e një mekanizmi mbrojtës për të evituar ndonjë patpozicion të mundshëm në trupin e ri “Natoja në shkallën 20”. Parashihet që të 19 vendet anëtare të rregullta të kenë të drejtën e heqjes nga rendi i ditës i ndonjë pike për të cilën mendojnë se është vështirë të arrihet konsenzusi. Ky sistem i propozuar është i ngjashëm me sistemin “konsenzusi minus një” - parim ky që zbatohet në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Ky nen ishte marrë në konsiderim pas vërejtjeve të Shteteve të Bashkuara, të Gjermanisë dhe të Francës, që kishin shprehur brengosje lidhur me synimet për ti dhënë Rusisë një rol më të theksuar në punët e Natos.

Analisti Daniel Keohane nga qendra për reforma evropiane me seli në Londër, lidhur me këtë nen, thotë:

- Në një mënyrë ky nen është një version i përparuar, që i jep Rusisë me të vërtetë një involvim substancial në çështjet e transferit të teknologjisë raketore, të reformave ushtarake, pastaj në luftën kundër terrorizmit. Të gjitha këto janë çështje për të cilat Rusia dhe Natoja kanë interesa të përbashkëta për ti diskutuar – tha analisti Keohane.

Analisti i çështjeve të mbrojtjes, Aleksandr Goltz nga Moska, thotë se zyrtarët rusë nuk shohin dallime të mëdha ndërmjet marrëveshjeve ekzistuese dhe propozimeve të reja.

- Problemi qëndron në faktin se ne mund të arrijmë marrëveshje dhe vendime të ndërsjella edhe pa këtë organ të ri…në këtë aspekt mos harroni se çka ndodhi pas 11 Shtatorit të vitit të kaluar. Ajo që Rusisë i duhet është mundësia e pjesëmarrjes në procesin vendim-marrës, kur ka ndonjë çështje kontestuese, siç ishte, për shembull, lufta në Jugosllavi. Problemi është që të arrihet marrëveshja kur ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Mendoj se Rusia nuk do të jetë plotësisht e kënaqur me këtë marrëveshje – tha analisti moskovit, Aleksandr Goltz.
XS
SM
MD
LG