Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BAJRAM REXHEPI:"MREKULLI - JO, ANGAZHIM - PO"


BAJRAM REXHEPI, kryeminister i propozuar i Kosoves

Evropa e lirë
Zoti Rexhepi, çfarë do të thotë për Ju marrja përsipër e drejtimit të qeverisë së parë të Kosovës?

B. Rexhepi
Kjo tani është një gjendje e përzier. Është një obligim, një sakrificë shumë e madhe, kërkon përkushtim të madh, por normalisht që është edhe krenari, prandaj dhe ndjenjat janë pak të përziera, për arsye se çdo punë, të cilën e marr përsipër e marr me përkushtim dhe nuk e kursej energjinë.

Evropa e Lirë
Zoti Rexhepi, cilat do të jenë prioritetet e punës si kryeministër i parë i Kosovës?

B. Rexhepi
Prioritetet më immediate janë së pari të kompletohet qeveria, pra të gjitha institucionet me resoret përkatëse, të kompletohet infrastruktura ligjore në mënyrë që të kemi mundësi të fillojmë realizimin praktik të disa prej objektivave që i kemi patur edhe në programin e partisë, ose ua kemi premtuar votuesve dhe që të fillojë të ngjallet jeta, pavarësisht se është shumë e vështirë që të bëhet ndonjë progres i madh. Mrekulli nuk mund të priten, pra nuk ka premtime të mëdha, por angazhimi nuk do të mungojë.

Evropa e Lirë
Zoti Rexhepi, karriera juaj praktikisht ka filluar dhe është ngritur në Mitrovicë, pasi dhe vini prej andej. A keni ndonjë strategji për zgjidhjen e problemit të qytetit të Mitrovicës?

B. Rexhepi
Po mendoj se ka patur një strategji të shkruar. E tillë ka qenë edhe në Këshillin e përkohshëm administrativ edhe në kuadër të partisë, por edhe në këshillin komunal. Objektivat egzistojnë, por tani do provojmë realizimin e tyre sa të mundemi edhe pse nuk presim që çështja e Mitrovicës të rregullohet tërësisht gjatë këtij mandati, por nuk do të rrimë duar kryq dhe shumë gjëra duhet t’i çojmë përpara.

Evropa e Lirë
Zoti Rexhepi edhe një pyetje të fundit: Ju jeni zgjedhur në postin e kryeministrit të Kosovës, që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt, në kuadër të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me bazë të gjerë. Cili do të jetë bashkëpunimi me partitë e tjera politike?

B. Rexhepi
Natyrisht që nga ana ime do të jem shumë korrekt dhe do të jetë bashkëpunimi i sinqertë. Pres që edhe nga të tjerët të veprohet në të njëjtën mënyrë.
XS
SM
MD
LG