Ndërlidhjet

MICHAEL STEINER: STATUSI I KOSOVËS VARET NGA PUNA QË BËHET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi “Lidhur me ministritë… Steiner ishte i qartë dhe na ofroi një vend ministror, por që ai të jetë në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare ku ne do të kishim përfaqësuesin tonë” - tha deputeti i koalicionit serb “kthimi” Saviq

“Serbët nuk do të mund të marrin një ministri më shumë nga ajo që u është ofruar” - ka deklaruar sot kryeadministratori i Kosovës Michael Steiner, pas një takimi të gjatë me deputetët e koalicionit të serbëve “Kthimi”, të cilët vazhdojnë të bojkotojnë qeverinë e Kosovës, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në qeveri edhe me një ministri për të zhvendosurit.
Zoti Steiner tha se Korniza kushtetuese e Kosovës precizon se çështja e të kthyerve dhe të zhvendosurve është në kompetencat e rezervuara për atë. Prandaj
“kjo është edhe arsyeja pse nuk mund të ketë ministri për të kthyerit dhe ministër për këtë punë, pasi unë nuk dua të tërhiqem nga detyrimet dhe funksionet që mi ngarkon rezoluta 1244 apo Korniza kushtetuese”- tha Steiner, duke shtuar se u kishte ofruar deputetëve serbë që të marrin një post në zyrën e tij për çështjen e të kthyerve.
Edhe përfaqësuesi serb Gojko Saviq tha se Steiner ua kishte bërë të qartë se nuk kishte ministri tjetër për ta.
“Lidhur me ministritë… Steiner ishte i qartë dhe ofroi një vend ministror, por që ai të jetë në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare ku ne do të kemi përfaqësuesin tonë” - tha Saviq duke vlerësuar se koalicioni “Kthimi” kërkon ministri të pavarur si të gjitha të tjerat dhe një vendim për të shqyrtuar ofertën e zotit Steiner, përfaqësuesit serbë do ta marrin pas konsultimeve brenda koalicionit. Zoti Steiner është prononcuar sot edhe për marrëveshjen për shuarjen e Jugosllavisë, dhe ka theksuar se kjo nuk do të ketë implikime të drejtpërdrejta për Kosovën.
“Kosova qeveriset nga rezoluta 1244, ndërsa lidhur me statusin e Kosovës është një interpretim specifik në rezolutë, që më ngarkon mua të organizoj zgjidhjen e statusit final kur të vijë koha për këtë” - tha zoti Steiner duke vlerësuar se “statusi i Kosovës varet nga puna që bëhet në Kosovë, por, padyshim, që edhe Beogradi do përfshihet në bisedimet për statusin final të Kosovës ashtu si dhe gjithkush tjetër në rajon” - përfundoi kryeadministratori Steiner.
XS
SM
MD
LG