Ndërlidhjet

ALEX GRIGOREV: SHQIPTARËT E KOSOVËS KANË KËRKESËN E TYRE PËR PAVARËSI…


Alexandra Poolos “Bashkësia ndërkombëtare administron Kosovën aktualisht dhe Bashkësia ndërkombëtare është përgjegjëse për ardhmërinë e Kosovës, për organizimin e bisedimeve, referendumit apo çfarëdo qoftë në të ardhmen” - thotë analisti, Alex Grigorev nga Shtetet e Bashkuara.

Analisti Alex Grigorev nga Projekti për Marëdhëniet Etnike me seli në shtetin federal amerikan Nju Xhersi, vlerëson se Marrëveshja është, në rastin më të mirë, një mekanizëm që synon “blerje kohe” derisa çështja e pavarësisë në Malin e Zi nuk mundet të injorohet më.
“Marrëveshja, në njerën anë, themelon një entitet të ri, kurse në anën tjetër, flet për shpërbërjen e atij entiteti. Është një çështje të shihet nëse është e mirë apo e keqe pavarësia e Malit të Zi dhe çështje tjetër të pranohet ai realitet”- thotë analisti Grigorev. Ai vlerëson më tej se Bashkimi Evropian, dhe diplomatët amerikanë kanë shtyrë që marrëveshja të nënshkruhet me qëllim të pengimit të të ashtuquajturit “efekt domino” në Ballkan.
“Natyrisht, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të brengosur nga një domino efekt. Sipas kësaj teorie, nëse Mali i Zi largohet nga Jugosllavia, do të fillonte një reagim zinxhiror. Kosova definitivisht do të largohej nga entiteti, pastaj ndoshta shqiptarët e Maqedonisë, dhe pastaj çfarë mund të ndodhte me Republikën e serbëve të Bosnjës dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit?”- analizon Grigorev.
Analisti amerikan shtron më tej pyetjen se kush mund ta dijë se cili do të ishte vijuesi, sepse në Ballkan akoma ka shumë minoritete etnike, por thotë se është gabim të mbahen peng zhvillimet në Malin e Zi me ato në Kosovë.
“Shqiptarët e Kosovës kanë kërkesën e tyre për pavarësi, pavarësisht nëse Mali i Zi dëshiron apo jo që të mbesë në Jugosllavi. Prandaj Mali i Zi nuk duhet të mbahet peng me atë se çfarë dëshiron të bëjë Kosova”- thotë analisti Grigorev.
“Kosova është pjesë e Jugosllavisë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Në atë rezolutë - Serbia nuk përmendet. Mirëpo me Marrëveshjen e re, nëse Mali i Zi zgjedh të tërhiqet nga Bashkësia pas tre vjetësh, Serbia do të bëhet trashëgimtar legal i Jugosllavisë, se me Serbinë si suksesore do të ndërlidheshin të gjitha dokumentet ndërkombëtare të RFJ-së përfshirë rezolutën 1244, që paralajmëron se Kosova do të mbetej brenda kufijve të Serbisë”- thekson Grigorev.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Suzan Manuel ka thënë se marrëveshja për bashkësinë e re shtetërore Serbi-Mali i Zi nuk ka efekt ndaj statusit të Kosovës. “Ne mendojmë se nëse Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen pasardhës të Jugosllavisë, atëherë nuk do të ketë efekt mbi statusin e Kosovës” - thotë Manuel.
Mirëpo,analisti Grigorev thotë se bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i zbusë orientimet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi me një formulim të tillë.
“Tashmë kemi deklarata nga Prishtina prej shumë politikanëve shqiptarë që thonë se…rrjedhimisht ne tani jemi të pavarur” - pohon ai.
Analisti amerikan vlerëson se kjo është brengë për Beogradin, por se është brengë edhe më e madhe për bashkësinë ndërkombëtare.
“Bashkësia ndërkombëtare administron Kosovën aktualisht dhe bashkësia ndërkombëtare është përgjegjëse për ardhmërinë e Kosovës, për organizimin e bisedimeve, referendumit apo çfarëdo qoftë në të ardhmen”- përfundon analisti Alex Grigorev nga Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG