Ndërlidhjet

ISH - ANETARET E UCK-se I BEJNE VESHTRIM KONFLIKTIT NE MAQEDONI


JOLYON NAEGELE

Tetë muaj pas përfundimit të konfliktit në Maqedoni, kanë mbetur vetëm fare pak shenja të sjelljeve provokuese të shqiptarëve. Një duket në Shipkovicë, ku një flamur shqiptar valëvitet mbi minarenë e një xhamie. Patrullat e policisë së përzier etnike janë dukur së fundi këtyre anëve. Shumë ish-udhëheqës janë larguar nga Shipkovica por ish-komandanti i UÇK-së, majori Gëzim Ostreni, ka mbetur në fshat. I pajisur me disa telefonë celularë, një aparat faksi dhe disa harta, ai mbikqyr riintegrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në shoqërinë maqedonase.
Kur nisën luftimet e vitit të kaluar, Ostreni arriti të grumbullonte një forcë të madhe, të lëvizshme luftëtarësh shqiptarë, që në fund të konfliktit numëronte 5 mijë të tillë.
Në vetëm pak muaj dhe relativisht me pak humbje, UÇK-ja fitoi atë që politikanët shqiptarë në vend kishin dështuar ta arrinin në dhjetë vjet të plota. Ostreni përshkruan kështu strategjinë e UÇK-së:
“Kemi insistuar që ta fitojmë luftën me sa më pak humbje. Për ne fitimi i luftës do të ishte ndryshimi i kushtetutës, jo marrja nën kontroll e territorit të Maqedonisë, për shkak se nuk do ta bënte as dhe një laik shumë i thjeshtë. Në këto raste duhet të tregohej kujdes të mos ndodhte ajo që ndodhi në Bosnjë, që ndodhi në Kroaci, që ndodhi në Kosovë, që të ndërmerren aksione luftarake për spastrim etnik” – shprehet Ostreni.
Ish-drejtuesit e UÇK-së thonë se e gjithë kryengritja ishte planifikuar në ekzil, në afërsi të Lucernës së Zvicrës, prej vitit 1999. Me përjashtim të një përleshje në malet e Sharrit të të njëjtit vit, ata kishin planifikuar gjithë aksionet pasuese. Ideator i revoltës ishte Fazli Veliu, shqiptari që kaloi 20 vjet duke punuar në Zvicër. Ai e përshkruan kësisoj rolin e vet:
“Unë kam patur rol të organizimit tonë si shqiptarë, për të avancuar çështjen tonë për ndryshimin e kushtetutës, e cila ka qenë për shqiptarët jo në nivelin e duhur dhe që nga viti 1991 ka qenë një kushtetutë formale. Organizimi ynë ka qenë i bazuar në parimet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të një shtytjeje të re drejt realizimit të qëllimive tona, si popull, që radhitemi i dyti dhe që meritojmë të kemi avancimin e të drejtave tona”.
Kushëri i dytë i tij, Ali Ahmeti, ish-komandanti politik i UÇK-së e ndihmoi Fazliun ta bënte realitet ëndrrën, duke mbajtur kontakte,- së pari privatisht e më vonë edhe publikisht, - me udhëheqësit politikë shqiptarë në Maqedoni. Ai thotë se çelësi i suksesit ishte mbështetja e gjerë mes shqiptarëve në vend:
“Vërtet këtu ka patur një tension jashtëzakonisht të madh të brendshëm, popullata ka qenë jashtëzakonisht e pakënaqur, e përballur me dhunën, diskriminimin, kështu që vetë gjeneratori ka qenë brenda institucionit të shtetit, që nuk është marë me zgjidhjen e problemeve, por vazhdimisht ka shkuar duke i nxitur ato. Prandaj dhe është pritur një shpërthim i brendshëm i shqiptarëve, për arsye se janë përdorur të gjitha metodat, si në institucione, si në shprehjen e pakënaqësive në mënyrë publike me anë të protestave, me anë të peticioneve, mirëpo ato nuk kanë gjetur vendin e duhur të zgjidhen si probleme”.
Ndërkaq, profesionisti Ostreni, ushëhoqi pjesën ushtarake të kryengritjes. Ai i përshkruan si “shkencore” dhe jo emocionale argumentet që e shtynë të rebelohej kundër asaj që ai e percepton si diskriminim nga ana e maqedonasve etnikë:
“Sipas vlerësimeve të mia, dinjiteti, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, janë shkak për luftën në Maqedoni. Për këtë ka një mori faktesh, këto fakte janë prej mohimit të të drejtave ose diskriminimi i shqiptarëve në lëmin e shtetësisë, diskriminimi në lëmin e përdorimit të gjuhës, diskriminimi i shqiptarëve në pjesëmarrjen në pushtet, diskriminimi i shqiptarëve në arsim, keqpërdorimi i rregjistrimeve dhe manipulimi i numrave me pjesëtarët e kombit shqiptar. Në Maqedoni ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët akoma pa u dënuar nga gjyqi, vdesin në hetime, në kushte kur akoma nuk është provuar vepra kriminale e tyre”.
Ostreni vë në pah se 40-60 % të shqiptarëve në rajonin e Karadakut edhe sot e kësaj dite nuk u është dhënë shtetësia maqedonase megjithëse ata kanë shpenzuar gjithë jetën e tyre atje. Ai thotë se maqedonasit janë shumë të ndjeshëm ndaj trysnisë asimiluese të vendeve fqinje. Duke pranuar të drejtat e shqiptarëve, ata vetëm sa do të forcojnë në fakt, sensin e identitetit të tyre kombëtar – argumenton Ostreni
“Duhet të punohet shumë më tepër për ndërrimin e vetëdijes së pjesës sllave të popullatës në Maqedoni. Edhe ato duhet të jenë më të interesuar për këtë, megjithëse për fat të keq ndodh e kundërta. Them kështu për arsye se identiteti i tyre maqedonas, mund të ruhet vetëm në bashkëjetesën me shqiptarët” – thote ish-komandanti UÇK-së.
Ne dëshirojmë të jetojmë së bashku dhe të shmangim gjakderdhjen. Këtë jemi përpjekur ta arrijmë edhe gjatë kohës së luftës, sepse na duhet të bashkëjetojmë - shton më tej Ostreni.
Megjithatë ai vëren se gjendja e sigurisë mbetet ende e brishtë:
“Situata e sigurisë në Maqedoni varet nga fakti sesa shteti i Maqedonisë e kupton detyrën e tij në këtë moment, sa ai sistem dëshiron që të funksionojë në drejtim të implementimit të marrëveshjes. Çdo zvarritje, si ato që janë shfaqur deri tani, ka krijuar gjithmonë vakum, të cilin forcat destruktive pa dallim të cilës kategori janë ato, mundohen që ta shfrytëzojnë. Mendoj se në këtë gjendje, në situatën e sigurisë, në mënyrë pozitive ndikojnë edhe prania e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni, e prezantuar nëpërmjet forcave të NATOS, nëpërmjet Bashkimit Evropian, nëpërmjet përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Duke iu referuar problemit të thellë e shqetësues të korrupsionit politik në Maqedoni, Ostreni thotë se për të pasur demokraci e stabilitet, të tilla shtigje duhen eliminuar. Vëzhguesit ndërkombëtarë pajtohen se e ardhmja e Maqedonisë nuk është edhe aq e sigurtë – kryesisht për shkak të problemit të korrupsionit që nuk njeh kufinj etnikë. Të tjera pengesa për stabilitetin – diskriminimi etnik në arsim, ushtri dhe polici – duket se janë në rrugën e zgjidhjes. Por konflikti i vitit të kaluar duket se la një trashëgimi që do vite të kapërcehet: një mungesë të njëmendët komunikimi mes banorëve shqiptarë dhe atyre maqedonas.
XS
SM
MD
LG