Ndërlidhjet

MUSA LIMANI: PËR TË PASUR SUKSES PRIVATIZIMI - DUHET TË NXIRRET LIGJI I ANTIKORRUPSIONIT


“Unë me këtë rast do të thosha se me privatizim formohen fonde për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, ndryshohen strukturat, forcohet e përkrahet investitori i huaj dhe ai vendor… formohen fonde për problemet sociale, të cilat janë prezente në Kosovë, siç është rasti i invalidëve të luftës, i invalidëve të tjerë, i pensionistëve…” - thotë, pos tjerash, Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se janë krijuar kushtet për të filluar procesin e privatizimit në Kosovë?

MUSA LIMANI
Për fat të mirë tani nga Këshilli i Sigurimit është dhënë sinjali i gjelbërt, me aprovimin e projekt- rregullores mbi formimin e Agjencisë për Mirëbesim. Kryeadministratori ndërkombëtar, ja dorëzoi kryeministrit këtë projekt-rregullore, nëpërmjet të cilës dha sinjalin e gjelbër, se duhet të vazhdohet procesi i privatizimit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë përparësitë e procesit të privatizimit?

MUSA LIMANI
Njerëzit duket se nuk e kuptojnë drejt çështjen e privatizimit. Privatizim nuk do të thotë transformimi i pronës shoqërore ose shtetërore, në pronë private. Privatizimi paraqet një proces të tërë të reformave ekonomike, prandaj duhet të informojmë në kohë opinionin publik, se cilat janë dobitë që sjell privatizimi. Unë me këtë rast do të thosha se me privatizimmin formohen fonde për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, ndryshohen strukturat, forcohet e përkrahet investitori i huaj dhe ai vendor, si dhe formohen fonde për problemet sociale, të cilat janë prezente në Kosovë, siç është: rasti i invalidëve të luftës, i invalidëve të tjerë, apo i pensionistëve. Me fjalë të tjera, me procesin e privatizimit duhet të përfitojë e tërë popullata, nëpërmjet formimit të fondeve të caktuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të stimulohen investitorët e huaj, që të marrin pjesë në procesin e privatizimit të ekonomisë kosovare?

MUSA LIMANI
Po ju keni të drejtë që duhet të stimulojmë investitorin e huaj, sepse ai do të sjellë kapitalin, do të sjellë përvojën e meanxhimit, do të sigurojë tregun, do të ndikojë ndryshimin e strukturës egzistuese. Me fjalë të tjera do të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Mirëpo për ta stimuluar ne duhet që të kemi një politikë shumë të drejtë fiskale dhe politikë të zbatuar ekonomike. Duhet t’i japim garanci shumë të sigurta për kapitalin e investuar, duhet ta lirojmë nga doganat, nga tatimet etj, forma këto që ndikojnë në mënyrë stimulative.
Investitorët, me rastin e avancimit, duhet të shohin përfitimet e veta, sepse qëllimi i çdonjërit prej tyre është fitimi. Pra në bazë të kësaj, ne mund ta tërheqim investitorin e huaj, i cili është në interes për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, por në të njëjtën kohë nuk duhet të destimulojmë investitorin e brendshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në opinioni kosovar egzistojnë keqkuptimet se ky proces do të kryhet shpejt. Cili është mendimi i juaj?

MUSA LIMANI
Është e vërtetë. Madje ka dhe deklarata të ministrave, të cilët thonë se për tre vjet do të kryhet procesi i privatizimit. Unë do të isha njeriu më i lumtur në qoftë se një gjë e tillë do të realizohej. Por për tre vjet mendoj se nuk mund ta realizojmë, sepse nuk kemi as infrastrukturën juridike për të filluar këtë proces. Përvoja e vendeve të Evropës Juglindore ka treguar se procesi i privatizimit zgjat një periudhë të gjatë kohe. Unë mendoj se për shkak të situatës specifike, si politike, ashtu dhe ekonomike, me të cilat ballafaqohet Kosova, procesi i privatizimit do të zgjatë një periudhë mjaft të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë duhet ndërmarë që procesi i privatizimit të ketë sukses?

MUSA LIMANI
Për të patur sukses procesi i privatizimit, duhet të merren disa masa paraprake. Ndër të tjera, unë mendoj se duhet të nxirret ligji i antikorrupsionit. Përvoja e vendeve të Evropës Juglindore, si dhe e atyre që kanë qenë në periudhën e tranzicionit dhe kanë realizuar procesin e privatizimit, ka treguar se pikërisht në institucionin, i cili ka kryer privatizimin, si dhe në vetë procesin e privatizmit, është shfaqur korrupsioni.
XS
SM
MD
LG