Ndërlidhjet

HASANI:"FERKIMET ME UNMIK-un PASOJE E KORNIZES LIGJORE"


Dr. Enver HASANI, profesor ne UP

"Ferkimet ndermjet UNMIK-ut dhe vendoreve jane pasoje imediate e kornizes ligjore, e cila ekziston ne Kosove, e rezolutes 1244 dhe e kalkulimeve te gabura...", thote dr. Enver Hasani ne intervisten per radion Evropa e Lire, qe e ka zhvilluar Zijadin Gashi.
----------------------------------------------------------------------

Radio Evropa e Lirë
Zoti Hasani si i shpjegoni ju fërkimet kushtimisht thënë midis autoriteteve të administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore rreth asaj që UNMIK-u e quan ngatërresë kompetencash, kurse institucionet vendase kompetenca të vogla për zgjidhjen e problemeve siç janë Mitrovica, kufijtë dhe çështje të tjera?

Enver Hasani
Këto fërkime janë pasojë imediate e kornizës ligjore,
e cila ekziston në Kosovë, domethënë jo vetëm e kornizës kushtetuese, por edhe e rezolutës 1244 dhe e kalkulimeve të gabuara të atyre që i kanë përpiluar këto dokumente, duke shpresuar se përmes forcës ligjore mund të ndikojnë në forcimin e trendeve të caktuara politike dhe shoqërore në Kosovë.
Unë mendoj se kjo ka qenë dhe mbetet gabim. Ky është vetëm fillimi dhe çdo ditë e më shumë do të shihet se dokumentet e oktruara legale në Kosovë, domethënë prej rezolutës, kornizës dhe shumicës së rregulloreve të UNMIK-ut, do të jenë dhe janë shkaktari kryesor i ngatërrimit të proçesit politik në Kosovë.

Radio Evropa e lirë
A konsideroni atëherë se këto dy dokumente nuk i përgjigjen kohës apo momentit në të cilin është Kosova edhe kur dihet se subjektet politike e pranuan kornizën kushtetuese, si akt juridik që përcakton punën e institucioneve të përkohshme të Kosovës?

Enver Hasani
Unë mendoj se nuk janë të vjetëruara, ato kanë qenë të tilla dhe kur janë nxjerrë dhe është ditur ajo.
Unë mendoj se subjektet politike e kanë ditur me kohë si për rezolutën, si për kornizën se çfarë përmbajtje kanë dhe çfarë do të sjellin. Megjithatë besoj se subjektet politike, kanë shpresuar dhe shpresojnë se përmes proçesit politik do të arrijnë të krijojnë hapësirë për të vepruar. Sa do të jetë kjo reale, sa është reale mbetet për t’u parë.

Radio Evropa e Lirë
Ditën e mbajtjes së seancës së fundit të parlamentit, kryadministratori Michael Steiner, u ka rekomanduar deputetëve, që të mos merren me punë, që janë në kompetencat e tij. Si konsideroni se do duhet të vepronte kuvendi në këtë rast?

ENVER HASANI
Deklaratën e Steinerit e shikoj si diçka krejt normale që del nga dokumentet legale në Kosovë, Rezolutës 1244 në fuqi dhe kornizës kushtetuese.Kjo do të thotë se ai ju ka thënë deputetëve që mund të debatojnë, mund të kenë mendimin e tyre, por atë mendim ta mbajnë për vete. Dhe ndërkohë që vendimet e Kuvendit nuk mund të shkojnë në drejtim të diskutimit apo vendosjes për çështjen e kufirit apo Mitrovicës, të cilat janë kompetencë ekskluzive dhe do të thoja edhe krijesë e bashkësisë ndërkombëtare, që personifikohet përmes personalitetit të përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë
Grupet parlamentare kërkojnë miratimin e një rezolute si mbështetje për tërësinë territoriale të Kosovës. Cila do të ishte fuqia e rezolutës së Kuvendit të Kosovës?

Enver Hasani
Ato nuk kanë asnjë fuqi. Do të jenë rezoluta, në të cilat shprehet vullneti politik i popullsisë shumicë në Kosovë. Fuqia politike do të varet nga ajo se sa do të jenë të aftë ata politikanë dhe popullsia shumicë në Kosovë për t’ju ndenjur prapa atyre deklaratave dhe rekomandimeve të rezolutave që nxjerr ky kuvend dhe sa të zotët do jenë politikanët dhe popullsia shumicë e Kosovës për t’i mbrojtur këto deklarata.

Radio Evropa e Lirë
A konsideroni se administrata e UNMIK-ut mundet t’i zgjidhë këto probleme edhe pa vendorët?

Enver Hasani
Unë përkundrazi mendoj se ata ja dalin dhe kanë përcaktimin dinamik tjetër të zgjedhjes së këtyre problemeve, të ndarë nga dinamika e popullit shumicë të Kosovës. Sigurisht që po deshën e realizojnë edhe e rregullojnë sepse kanë pushtet. Ata janë mbajtësit e pushtetit, nuk janë strukturat vendore, as qeveria, as presidenti i Kosovës. Ajo është çështje e cila tanimë është e qartë për të gjithë.por është shumë e sigurt që këto probleme janë pjesë e statutit final të Kosovës. Zgjidhja apo moszgjidhja e tyre lidhet në mënyrë direkte me statusin final të Kosovës. Do të thoja janë produkte të statusit të pazgjidhur final të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë
Në bazë të kësaj zoti Hasani, a prisni ju që këto fërkime të rriten në të ardhmen?

Enver Hasani
Unë pres që këto fërkime do të jenë çdo ditë e më të mëdhaja sepse vendorët dhe ndërkombëtarët duhet të shikohen në sy për çështjet thelbësore të Kosovës dhe se si do të tejkalohen është çështje e atyre palëve, por jam i sigurt se çdo ditë e më shumë do të reflektohet dallimi esencial midis vendorëve dhe ndërkombëtarëve, përsa i përket çështjeve më vitale ekonomike, politike, sociale, kulturore të Kosovës dhe të perspektivës së saj.

XS
SM
MD
LG