Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

AZEMI:"PENGJET E RAPORTEVE BRENDAPARTIAKE"


Emin Azemi, botues i "FAKTI" ne Shkup

Radio Evropa e Lirë
Zoti Azemi, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në partinë e Prosperitetit Demokratik pas zgjedhjes së kryetarit të ri?

Emin Azemi
Po PD-ja në shikim të parë duket forcë monolite, por nëse bëjmë një analizë më të thellë do të shikojmë se brenda saj ka një reliev mjaft të zhubravitur, ku gjejnë shprehje shumë ambicje dhe vija jo të profilizuara deri në fund të ambicjeve. Ky mosprofilizim u shpreh edhe së fundi me zgjedhjen e liderit të ri. Kjo zgjedhje për mendimin tim ishte një zgjedhje jostatutore, e parregullt, sepse asnjëherë deri më tani nuk ka ndodhur që kryetari i një partie politike të zgjidhet në atë mënyrë. Ajo u pa më pas edhe në disponimin e një pjese të madhe të pjesëmarrësve në këtë kuvend, i cili nuk ishte kuvend zgjedhor, por ishte kuvend i njerëzve vullnetarë që paraprakisht e kanë ditur se si do të vejë puna. Mund të pritet që njerëzit e pakënaqur të kësaj partie të jenë një barrë plus për këtë parti, gjë që sipas mendimit tim nuk është e mirë, por megjithatë, ata do të duhet të gjejnë një modus, që zhvillimin e tyre të mëtejshëm politik ta kanalizojnë në suazat e një shtrati normal partiak.

Radio Evropa e Lirë
Mospajtime vërehen edhe në Këshillin Koordinues Ndërshqiptar. A ka gjasa që të mbijetojë ky subjekt mbipartiak i shqiptarëve në Maqedoni?

Emin Azemi
Këshilli si ide është shumë e mirë. Por nëse nuk funksionon, atëhere ajo është një utopi. Ndoshta këtu është dashur të studjohet edhe më mirë mënyra e formimit të Këshillit. Unë kujtoj se ka patur defekte në këtë aspekt, sepse është munduar të krijohet një alkimi artificiale e forcave politike, pa ndonjë analizë, apo studim paraprak të asaj çfarë duam dhe si e duam. Shumë pak mund të pritet që Këshilli Ndërpartiak, i formuar kohë më parë, do të funksionojë, pikërisht duke patur parasysh disa elementë apo faktorë. Fillimisht sjelljet e partive politike, kushtëzimet, që dolën dhe tani ambicjet parazgjedhore për ndonjë subjekt të ri politik sikundër flitet.

Radio Evropa e Lirë
Duke patur parasysh këto zhvillime sipas jush sa ndikojnë ato në shoqërinë shqiptare?

Emin Azemi
Këto ndikojnë tek njerëzit, ndikojnë tek shoqëria shqiptare. Fatkeqësia është se shoqëria shqiptare në Maqedoni nuk funksionon dhe ne jemi peng të relacioneve politike brendapartiake. Tek ne funksionojnë partitë politike dhe nuk funksionon shoqëria shqiptare, nuk funksionojnë intelektualët, nuk funksionojnë shoqatat, nuk funksionojnë mediumet, nuk funksionojnë debatet e ndryshme dhe këtu krijohet një vetmi e madhe, një vetmi kozmike e pakuptimtë. Shoqëria shqiptare në Maqedoni, duhet patjetër të ndërtojë marrëdhënie të mirëfillta me politikën dhe me opinionin, në mënyrë që të krijohet një masë kritike, do të thosha unë. Pavarësisht nga zhvillimet politike ajo masë kritike do ta kontrollonte politikën shqiptare përmes qelizave të ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga shoqatat, nga klubet, nga mediumet, organizatat e ndryshme e kështu me radhë. Me një funksionim të tillë mund të tejkalohet, mund të flaket vetmia, përndryshe kështu do jemi njerëz të vetmuar, që vazhdojmë të jemi peng të një klime të kontaminuar politike dhe asgjë më shumë.
XS
SM
MD
LG