Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

NYSRET SHABANI: EDHE UNË DO TË ISHA BËRË PJESËTAR I UÇK-SË PO TË DIJA SE ÇFARË DO TË NDODHTE


Augustin Palokaj, Hagë Për herë të parë në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit sot në Hagë, si dëshmitar është paraqitur një ish-oficer i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po ashtu ka dëshmuar për situatën në Reçak dhe rrethinë, në prag dhe gjatë masakrës së 15 janarit të vitit 1999.

Sot dëshmuan tre dëshmitarë, ndërsa koha më e gjatë është shpenzuar për dëgjimin e dëshmive të Shukri Bujës, të cilin e prezantuan si ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës. Zoti Buja për masakrën e Reçakut tha se “ka qenë një aksion i planifikuar nga forcat serbe” dhe për të mbështetur këtë pohim ka përmendur rastet e shumta të pozicionimit paraprak të forcave serbe rreth këtij fshati. Prokurori e ka pyetur dëshmitarin Buja lidhur me disa emra të të vrarëve që ishin gjetur në Reçak, duke kërkuar nga ai të përgjigjet nëse ndonjëri prej tyre ishte pjesëtar i UÇK-së apo jo, pasi dëshmitari si komandant e ka ditur se kush ka qenë në UÇK e kush jo. Ndërsa dëshmitari u përgjigj se “asnjëri nga emrat e përmendur nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së”.

Gjatë dëshmisë së Shukri Bujës, ish komandantit të UÇK-së për zonën e Nerodimës, u paraqitën incizimet e të vrarëve në masakrën e Reçakut që ishin bërë në kohën e vizitës së shefit të atëhershëm të Misionit verifikues ndërkombëtar, William Walker, ndërsa dëshmitari tha se asnjë prej tyre nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Po ashtu prokuroria ka paraqitur një dokument - raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë - ku thuhej se në Reçak janë likuiduar 60 pjesëtarë të “bandave shqiptare”.

Dëshmitari tha se e kanë përgjuar në disa raste edhe komunikimin e forcave serbe midis tyre dhe se sipas tij “policia, ushtria, paramilitarët dhe civilët serbë të armatosur, vepronin së bashku dhe bashkarisht kishin bërë edhe masakrën e Reçakut. Gjatë këtyre kontakteve mes serbëve dëgjoheshin edhe thirrje për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri” ka thënë dëshmitari. Prokurori e pyeti po ashtu dëshmitarin Buja, nëse i kishte përdorur UÇK-ja në rrethinën e Reçakut, civilët shqiptarë si mburojë të gjallë.
“Kurrsesi. Ne nuk e kemi bërë atë. Civilët ishin shqiptarë, ata ishin pjesëtarë të familjeve tona, ishin vëllezërit dhe motrat tona” - tha ai.
Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe dy orë gjatë ditës së nesërme.

Ndërkaq më herët para se të paraqiteshin dëshmitari Shukri Buja, në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit kishin dëshmuar edhe dy fshatarë nga Reçaku. Ishin ata Nysret Shabani dhe Xhemail Beqiri. Njëri prej tyre kishte filluar dëshminë një ditë më parë, ndërsa në vazhdim tha se “forcat serbe, të vrarëve ua kishin hequr edhe organet e brendshme, sytë dhe zemrën”. Dëshmitari Shabani tha se “ishte në kolonën e njerëzve, të cilët policia serbe i kishte ndarë nga gratë dhe fëmijët, por arritën të ikin bashkë me katër persona të tjerë dhe të fshihen në një gropë. Nga aty dëgjoheshin britmat e tmerrshme dhe klithjet”- tha dëshmitari, duke shtuar se më vonë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka parë trupat e 25 civilëve të vrarë, midis të cilëve ishte edhe biri i tij Bajrushi. Edhe dëshmitari Shabani tha se në Reçak nuk ka pasur UÇK, por ata kanë qënë në kodrat e afërta. Ai përmendi se një djal i tij ka qenë anëtar i UÇK-së. “Edhe unë do të isha bërë pjesëtar i UÇK-së po të dija çfarë do të ndodhte” - ka thënë dëshmitari.

Dëshmitë për Reçakun do të vazhdojnë edhe më tutje.
XS
SM
MD
LG