Ndërlidhjet

NEXHAT DACI: UNË NUK JAM ASPAK I KËNAQUR ME REZULTATET TRI-VJEÇARE TË UNMIKUT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë Parlamentarët kosovarë thanë se përvoja nga toleranca që manifestohet në parlamentin irlandez kur diskutohet për dallimet ndërmjet entiteteve kundërshtare, duhet të shërbejnë si shembull për ndërtimin e një dialogu konstruktiv edhe në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, ka deklaruar të mërkurën se mbështet plotësisht raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) lidhur me situatën në Mitrovicë, me shkaktarët e mënyrat e zgjidhjes së problemit.

“Raporti është përpunuar në bazë të grumbullimit të një faktografie të gjallë në Kosovë, prandaj e mbështes plotësisht këtë raport” - ka thënë kryeparlamentari Daci.

“Unë nuk jam aspak i kënaqur me rezultatet tre-vjeçare në këtë aspekt, sepse UNMIK-u nuk ka arritur që të respektojë obligimet e veta, që i ka marë mbi vete, si qeveri e vetme” - tha zoti Daci.
Ai tha, megjithatë, se të gjithë duhet t’i kryejnë detyrat e tyre, dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë ndërkombëtarët për zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë, pa u përzier në kompetencat e garantuara të tyre.
Këto komente zoti Daci i ka bërë në një konferencë shtypi, e cila ishte thirrur për të treguar rezultatet e vizitës disa ditëshe të Kryesisë së parlamentetit të Kosovës në Britani të Madhe. Në këtë takim me gazetarët zoti Daci shoqërohej edhe nga anëtarë të tjerë të kryesisë, të cilët e vlerësuan të dobishme vizitën e tyre në Belfast dhe në Londër.
Oliver Ivanoviq, anëtar i kryesisë së Kuvendit nga koalicioni “kthimi”, tha se përvojat parlamentare nga Belfasti mund të shërbejnë për situatën aktuale në Kosovë.

“Do të thosha se të dy subjektet politike atje janë marë vesh për gjëra të rëndësishme, për të cilat mund të merreshin vesh menjëherë, pra që të përmirësohen kushtet e jetës, shëndetësia, shkollat dhe ekonomia, ndërsa çështjet e vështira politike janë lënë për një kohë të ardhshme më të përshtatshme” - tha Ivanoviq, duke vlerësuar se edhe në Kosovë duhet një qasje e tillë shumë praktike e marrjes me probleme të ndryshme. Parlamentarët e Kosovës nuk deshën t’i përgjigjeshin drejtpërdrejt pyetjes, nëse mesazhi i vizitës së këtij delegacioni në parlamentin irlandez, ishte ngjashmëria në statusin e këtij parlamenti dhe të institucioneve irlandeze në raport me Anglinë.
Sidoqoftë parlamentarët thanë se “ishin të kënaqur nga një vizitë në Ministrinë e Jashtme Britanike, në sektorin për Çështjet e Evropës Juglindore, ku ka një seksion të veçantë për Kosovën” - tha Fatmir Sejdiu.

“Vizioni i tyre thjesht dashamirës që proceset paqësore dhe proceset e ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë të Kosovës, zgjidhjes së statusit final në sajë të mirëkuptimit, të jenë një mbështetje e fuqishme” - tha zoti Sejdiu.

Parlamentarët kosovarë thanë se përvoja nga toleranca që manifestohet në parlamentin irlandez kur diskutohet për dallimet ndërmjet entiteteve kundërshtare, duhet të shërbejnë si shembull për ndërtimin e një dialogu konstruktiv edhe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG