Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

NË TIRANË U TAKUAN PANDELI MAJKO DHE BAJRAM REXHEPI


Alban Bala, Tiranë “Do të ishte shumë ironike për faktorin shqiptar… për shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës, të diskutonin për integrimin në Bashkimin Evropian, pa diskutuar problemet e standartizimit të integrimit të shqiptarëve te njëri-tjetri” – tha Pandeli Majko.

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës thanë pa mëdyshje se bashkëpunimi i vendeve të tyre, mbetej përparësi e rendit të parë. Dy kryeministrat thanë se kishin gjetur për të gjitha çështjet, më shumë se një gjuhë të përbashkët, ndërsa me një kënaqësi të shpallur Bajram Rexhepi deklaroi:

“Mendoj se Kosova ka hyrë në një fazë të re përkundër përkufizimeve që ka në rezolutën 1244 dhe kornizën kushtetuese. Megjithatë, Kosova është e hapur për bashkëpunim rajonal dhe bashkëpunimi më i natyrshëm është me Shqipërinë, edhe për shkak të lidhjeve… të gjuhës, por edhe të një ekuivalence në aspektin ekonomik. Prandaj mundësitë e bashkëpunimit janë shumë të mëdha si në aspektin e edukimit, kulturës, ekonomisë, ashtu edhe në segmente të posaçme si turizmi, bashkëpunimi në energjetikë, infrastrukturat që u përmendën, edhe infrastruktura rrugore, e telekomunikacioneve etj”.

Kryeministri i Kosovës informoi gjithashtu se mes dy qeverive po përgatiten memorandumet e bashkëpunimit: “Ne jemi në përgatitje të memorandumeve për bashkëpunim. Çdo ministri përkatëse do të ketë marrëveshje, memorandume të posaçme, ndërsa ne si kryeministra, pjesën fillestare e përfunduam dhe sigurisht pas një kohe shumë të shkurtër do të zyrtarizohen të gjitha këto marrëveshje”.

Zoti Rexhepi tha gjithashtu se do të nxiste biznesin e Kosovës për të investuar në rrugën e re Durrës- Morinë. Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko paralajmëroi se Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm do të mbështetnin së afërmi projektin.

Zoti Majko tha:
“Jo vetëm se nuk ka projekt më strategjik për Shqipërinë, por sepse për herë të parë ky lloj projekti është bërë edhe me propozimin e lobit të biznesit në Shqipëri dhe është një nga projektet më të rëndësishme, i cili ka të bëjë me logjikat e tregut, me logjikat e integrimit që ne po përpiqemi ti orientojmë në Europë. Do të ishte shumë ironike për faktorin shqiptar, për shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës të diskutonin për Bashkimin Evropian, pa diskutuar problemet e standartizimit të integrimit të shqiptarëve te njëri-tjetri”.

Pak ditë më parë ministrja shqiptare e tregtisë Ermelinda Meksi, nënshkroi një marrëveshje për lehtësimin perspektiv të ngarkesës doganore. Kosova dhe Shqipëria, me gjithë afinitetin publik mes tyre, kanë një nivel tejet të ulët në shkëmbimin e mallrave, që në bilancin doganor të Shqipërisë përbën 1%.
XS
SM
MD
LG