Ndërlidhjet

JANUSZ BUGAJSKI: MENDOJ SE PARLAMENTI DHE QEVERIA DO TË BËJNË PRESION NË DISA FUSHA QË TË KENË TË DREJTA…AUTORITET MË TË MADH


“Por, unë nuk mendoj se, thjesht, Amerika ka për qëllim të largohet nga Ballkani, sepse ajo e kupton se situata nuk është 100% e sigurt. Deri sa të kemi integrim të plotë të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në Nato, siguria absolute ende nuk është ndërtuar” – thotë Janusz Bugajski, drejtor për Evropën Lindore në Qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare, me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht dëshiroj të fokusohem në marëdhëniet ndërmjet dy autoriteteve në Kosovë. Në njërën anë janë zyrtarët ndërkombëtarë…ndërsa në tjetrën qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe institucionet e tjera demokratike. Kishte disa mospajtime serioze ndërmjet tyre. Si i parashihni marëdhëniet e ardhshme ndërmjet dy palëve?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se, me gjasë, do të ndodhin dy gjëra. Në disa fusha ata duhet të bashkëpunojnë në ndërtimin e institucioneve, në udhëheqjen e reformave ekonomike…për shembull, në privatizim, në çështje bankare, financiare, sociale e të tjera. Por në çështjen tjetër madhore, në atë politike, imagjinoj se do të ketë konflikte periodike, veçanërisht lidhur me çështje të statusit, për shkallën e përgjegjësisë për çështje të jashtme, marëdhëniet me fqinjë…Mendoj se parlamenti dhe qeveria do të bëjnë presion në disa fusha që të kenë të drejta…autoritet më të madh. Kjo gjë, me gjasë, do të hasë në vështirësi nga rrezistenca e autoriteteeve të Unmikut.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti i fundit i ICG-së, ishte kritik karshi administratës së Kombeve të Bashkuara. Situata në Mitrovicë ishte përshkruar si një pikë e zezë. Si e vlerësoni ju këtë raport?

JANUSZ BUGAJSKI
Po, për së shpejti kalova nëpër të sepse nuk e kam lexuar ende. Unë isha në Mitrovicë javën e kaluar, për ta parë situatën për së afërti. Ky është një qytet i ndarë…ashtu siç e kam parë Mostarin, ashtu siç serbët dëshironin ta krijonin Sarajevën. Thjesht, është e papranueshme në epokën bashkëkohëse me integrim kah Evropa, për të pasur një geto të vetë-imponuar. Aktualisht popullata serbe në pjesën veriore të qytetit dhe në hapësirat përreth, me gjasë, do të vuajë më tepër, për arsye se nuk do të ketë qasje në burime ekonomike dhe zhvillime politike…në agjencitë ndërkombëtare, që do ti ketë shumica. Mendoj se sa më parë që këto hapësira të integrohen në Kosovë, që autoriteti qendror të jetë i aftë të ushtroj kontroll, do të jetë më mirë. Atëherë do të jetë një presion më i fuqishëm i Unmikut dhe i Natos për ç’armatosjen e çfarëdo bandave që veprojnë për ndarjen e mëtejshme të qytetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më parë ju ishit në Mitrovicë, siç thatë dhe në Prishtinë. Çfarë përshtypjesh keni për situatën politike atje dhe për marëdhëniet ndërmjet komuniteteve?

JANUSZ BUGAJSKI
Në aspektin e situatës politike, qartazi, ne tashmë kishim zgjedhjet…më vonë gjatë vitit do ti kemi zgjedhjet lokale. Tash është çështja e politikës. Partitë më të mëdha duhet të jenë të afta të punojnë së bashku në Kuvend, në implementimin e reformave të rëndësishme politike, brenda mandatit të kufizuar që u është dhënë. Në disa fusha duhet ta zgjerojnë mëtutje këtë mandat. Mendoj se mbi bazat e të arriturave, të stabilitetit dhe të aftësisë për të punuar së bashku do të përcaktohet e ardhmja e Kosovës. Me fjalë të tjera…a janë ata partnerë përgjegjës që do të arrinin shtetësinë për Kosovën ose do të ndërtonin shtetësinë për Kosovën, gjatë viteve që po vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është momenti i përshtatshëm për të diskutuar për statusin final të Kosovën?

JANUSZ BUGAJSKI
“Është çdoherë moment i drejtë të diskutohen çështjet. Nuk besoj në vonesën e gjërave sepse aty qëndron një problem…vonesa nuk arrinë kurrë. Edhe nëse vjen ju zë në befasi dhe ju kthen parapa. Mendoj se është me rëndësi që procesi të filloj tash për t’ju dhënë shpresë kosovarëve se ata nuk do të kthehen prapa në ndonjë lloj strukture pas–jugosllave dhe se ata nuk do të varen përgjithmonë nga komuniteti ndërkombëtar.
Ata vetëm synojnë të qëndrojnë në këmbët e veta dhe mendoj se kjo është aspiratë shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Akktualisht është e qartë se në të ardhmen, prania e Natos në Ballkan do të reduktohet. Zoti Rumsfeld tha se kjo gjë tregon se Natoja ka qenë e suksesshme atje. Çfarë është e ardhmja e pranisë politike dhe ushtarake amerikane, veçanërisht në Kosovë?

JANUSZ BUGAJSKI
Natoja ishte e suksesshme…por, për fat të keq, disa organizata të tjera ishin më pak të suksesshme. Amerika, natyrisht, do të dëshironte që partnerëve të saj në Evropë tu kalonte më tepër përgjegjësi, sespe ajo ka preokupime gjithkah nëpër botë karshi terrorizmit ndërkombëtar. Por unë nuk mendoj se, thjesht, Amerika ka për qëllim të largohet nga Ballkani, sepse ajo e kupton se situata nuk është 100% e sigurt. Deri sa të kemi integrim të plotë të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në Nato, siguria absolute ende nuk është ndërtuar. Mendoj se interesat amerikane do të vazhdojnë edhe me rol të reduktuar ushtarak…në mënyrë politike, diplomatike dhe në mënyra të tjera; mendoj se Uashingtoni do të mbetet i angazhuar. Frika është, poashtu, se largimi i thjeshtë dhe pastaj pamundësia e evropianëve që të merren me ndonjë krizë… kjo do të mund të bëhej zonë e hirtë për terrorizmin ndërkombëtar. Kjo është gjëja e fundit që Uashingtoni e dëshiron.
XS
SM
MD
LG