Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

DANIEL SERWER: ËSHTË E QARTË SE QEVERIA VENDORE DUHET TË MARRË GJITHNJË E MË SHUMË PËRGJEGJËSI.


“Është shumë e rëndësishme që shteti ligjor të vendoset në Kosovë dhe që secili të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe ndershmërisht nëse dëshirohet zgjidhje e statusit final” – thotë Daniel Serwer, drejtor i iniciativave ballkanike në Institutin e SHBA-ve për paqe, me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj të fokusohem në përvejtorin e tretë të vendosjes së NATO-s në Kosovë dhe të administratës së Kombeve të Bashkuara atje. Si i vlerësoni të arriturat gjatë kësaj periudhe?

DANIEL SERWER
Mendoj se rezulltatet janë mikste. Problem i madh që doli menjeherë pas vendosjes së NATO-s ishte dështimi për të mbrojtur popullatën serbe të Kosovës. Por, parë në këndvështrimin e këtyre tri viteve ka pasur të arritura të dukshme. Misioni i Kombeve të Bashkuara është inauguruar. Aktualisht problem është kalimi i pushtetit nga Kombet e Bashkuara te përfaqësuesit e zgjedhur vendor.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të themi se tash, tri vjet më vonë, situata është më e mirë se më parë?

DANIEL SERWER
Nuk jam i sigurt se çka mendoni me termin më parë, por situata gjithsesi është më e mirë se tri vjet më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i parashikoni zhvillimet e ardhshme në ketë aspekt?

DANIEL SERWER
Atë që ne tash e shohim është rritja e pushtetit në duart e qeverisë së zgjedhur dhe parlamentit. Aktualisht, këtu në Uashington, gjatë kësaj javë, do të qëndrojnë 30 parlamentarë kosovarë dhe mendoj se ata duhet të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Sa do të jenë të efektshëm nuk jam i sigurt, por ata duhet të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe megjithatë besoj se ata do ti përmbushin detyrimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht kemi dy autoritete në Kosovë – zyrarët ndërkombëtar dhe qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe institucionet e tjera të zgjedhura në rrugë demokratike. Ka pasur mospajtime serioze ndërmjet tyre. Si i parashikoni raporte e tyre të ndërsjella?

DANIEL SERWER
Mendoj se ato raporte do të evulojnë relativisht mirë. Ka pasur mospajtime rreth rezolutës të Parlamentit, por mendoj se kjo do ti takoj të kaluarës shumë shpejt. Është e qartë se qeveria vendore duhet të marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë plane për rikthimin e personave të zhvendosur nga Kosova dhe veçanërisht të serbëve. A mendoni se ata mund ti jetësojnë këto plane?

DANIEL SERWER
Nuk e dij, sepse në masë të madhe do të varret nga reagimi i popullësisë shqiptare. Por, unë mund të them se për ata që po angazhohen për statusin final të Kosovës është esenciale që serbëve tu lejohet kthimi. Problemet e serbëve duhet të zgjidhen para zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Është në favorin e shqiptarëve që serbët të lejohen të kthehen.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet statusin final të Kosovës. Disa analistë thonë se tash është koha e përshtatshme të hapet kjo çështje, por të tjerët nuk pajtohen? Cili është pozicionimi i juaj?

DANIEL SERWER
Është koha për të filluar diskutimet jozyrtare. Zyrtarët ende nuk janë të gatshëm për këtë diskutim. Por, mendoj se këtu ekzistojnë disa opcione për statusin final të Kosovës dhe njerëzit jashtë qarqeve qeveritare duhet të fillojnë të diskutojnë këto opcione. Ky proces është duke filluar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të shkoj përpara ky proces?

DANIEL SERWER
Do të shkoj përpara, ndonëse do të marrë disa vite për tu zgjidhur. Unë mendoj se brenda 3 deri 5 viteve të ardhshme ne do të shohim situatën të zgjidhur në këtë ose atë mënyrë. Është shumë e rëndësishme që shteti ligjor të vendoset në Kosovë dhe që secili të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe ndershmërisht nëse dëshirohet zgjidhje e statusit final.
XS
SM
MD
LG