Ndërlidhjet

"KU MBETEN PREMTIMET"


Ibrahim REXHEPI


Edhe pas tre vjetësh, Kosova jeton me pasojat e luftës. Ndonëse ka përfunduar faza e emergjencës, nuk është bërë rindërtimi i segmenteve kyçe, si i shtëpive dhe i infrastrukturës. Ende ka familje, të cilat dy dimra po i kalojnë në tenda. Ato frikësohen se kështu do të kalojnë edhe dimrin e ardhshëm. Shkalla e punësimit është e nivelit të ulët. Kjo gjendje mjaft mirë e ilustron edhe standartin e jetës. Të dhënat e institucioneve të besueshme si Banka Botërore, besojnë se 76% e popullsisë aktive është e papunë. Më shumë se gjysma e popullatës jeton në kufinjët e varfërisë, ndërsa 12 % e saj janë në varfëri të thellë. Ndonëse statistikat evidentojnë mbi 50 000 ndërmarrje të themeluara në Kosovë, megjithatë shkalla e zhvillimit e tyre është mjaft e ulët. Ato nuk kanë potencial të madh për krijimin e ndryshimeve, meqënëse pjesa më e madhe e tyre afron shërbime tregtare dhe hoteliere. Me një fjalë ato vetëm bëjnë plasimin e mallrave të huaja që hyjnë në Kosovë. Përse edhe pas tre vjetësh nuk ka një dinamikë më të madhe në ekonomi, përgjigjja nuk duhet kërkuar tek ndërmarrësit. Kjo ka ndodhur në mungesë të institucioneve dhe të përkrahjes së komunitetit të biznesit. Politika fiskale është konceptuar vetëm për politikat e hyrjeve për buxhet. Përqëndrimi i saj vetëm në pikat doganore, apo tatim mbledhëse, ka kufizuar mundësinë për investime në prodhim. Gjithshka është ngarkuar me doganë të lartë. Qoftë pajisjet për teknologji, lënda e parë, apo dhe materialet. Për këtë arsye edhe malli i importuar është më i lirë sesa ai që mund të prodhohet në Kosovë, posaçërisht nëse është fjala për mallra që vijnë nga Maqedonia, Serbia apo Mali i Zi, të cilat gëzojnë disa preferenciale. Sistemi bankar ka mbetur gjysmak. Këtë më së miri e ilustron fakti se edhe më tej Banka Qëndrore merret me punë të bankave komerciale. Ndërkaq këto të fundit bëjnë punë më të ulët të nivelit bankar, kryesisht transfere të mjeteve dhe shërbimeve të ndryshme të pagesave. Në anën tjetër shërbimet si edhe mjetet i kanë shumë të shtrenjta, përkatësisht jo stimulative. Vetëm kur vërehet se një shumicë e mjeteve është në depozita e shumë pak në plasmane, atëhere është e qartë politika afariste e shtatë bankave komerciale në Kosovë. Është bërë përpjekje që të gjitha këto mangësi të mbulohen përmes donacioneve, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga Bashkimi Evropian. Por, kosovarët me të drejtë, tre vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, pyesin se ku mbetën 2 miliard dollarët e premtuar. Nëse erdhën në Kosovë pse nuk ka efekte?
XS
SM
MD
LG