Ndërlidhjet

SHEFI MBRON ROLIN E NATOS NË LUFTËN KUNDËR TERRORIT


WASHINGTON TIMES Sekretari i përgjithshëm, George Robertson tha se “e tillë çfarë është, Natoja është më e përshtatshmja për ti prirë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

Duke folur në një Institut amerikan në Washington, George Robertsoni tha se “një koalicion i përhershëm është më i mirë se një koalicion i përkohshëm”. Në këtë kuadër ai tha se “Natoja është koalicioni më i mirë”. Washington Times mëtutje shkruan se këto komente zoti Robertson i bëri duke iu përgjigjur zërave të shumtë skeptikë në Shtetet e Bashkuara lidhur me rolin e aleancës veriatlantike në luftën kundër Osam Bin Ladenit.

19 Shtetet anëtare të Natos, një ditë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit të vitit të kaluar, në bazë të nenit që parasheh mbrojtjen kolektive, kanë angazhuar aeroplana vëzhgues Avaks për të patrulluar në qiellin amerikan. Poashtu Natoja ka dërguar forca tokësore nga 14 vende, që në Afganistan po luftojnë në anën e trupave të Shteteve të Bashkuara.

Por, shkruan mëtutje e përditshmja Washington Times, Pentagoni në masë të madhe e ka anashkaluar strukturën komanduese të Natos në luftën kundër terrorizmit, duke krijuar marrëveshje të reja dypalëshe me aleatët e Natos dhe me shtete që nuk janë anëtare të aleancës, siç janë Pakistani, Uzbekistani dhe Filipinet. Poashtu, ndarje të thella brenda Natos, ekzistojnë edhe lidhur me rrezikun që paraqesin shtetet, siç janë Irani dhe Iraku.

Administrata e presdieneti amerikan Bush dhe sekretari i përgjithshëm, GeorgeRobertsoni, kanë bërë presion në fuqitë kryesore evropiane të Natos për shtimin e shpenzimeve ushtarake, që janë shumë më të vogla se sa buxheti ushtarak amerikan, shkruan Washington Times.

Mëtutje në këtë artikull transmetohen fjalët e James Steinbergut, ish ndihmës i lartë i sigurisë në administratën e Bill Clintonit që ka thënë se “presidenti Bush ende duhet ti bindë aleatët evropianë se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë seriozisht Naton” – sepse, sipas zotit Steinberg, “atje ekziston një shqetësim lidhur me qëndrimin amerikan karshi Natos”.

Zoti Robertson ka thënë se Natoja ka reagur shpejtë dhe me forcë ndaj kërcënimeve të ndërruara në periudhën pas 11 Shtatorit. Kjo gjë ka ndikuar që lufta globale kundër terrorizmit të jetë në qendër të kësaj aleance, e cila për gjysmë shekulli kishte mbrojtur Evropën Perëndimore nga sulmi Sovjetik, shkruan e përditshmja Washington Times. Sekretari përgjithshëm i aleancës ka thënë poashtu se “Natoja ose do të udhëheq në çrrënjosjen e rrjeteve terroriste ose do të përkrah operacione jo-Nato me planifikim dhe fonde” – shkruan pos tjerash, e përditshmja Washington Times.
XS
SM
MD
LG