Ndërlidhjet

FBI E SHTON SIGURINË PËR 4 KORRIKUN


FINANCIAL TIMES

Aeroplanët luftarakë të Shteteve të Bashkuara të mërkurën kanë fluturuar mbi Nju Jork, Uashington dhe qytetet tjera, në kuadër të sigurisë së shtuar për festat e 4 korrikut, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Për t’u përballur me shqetësimet rreth aktiviteteve të mundshme terroriste, FBI-ja ka planifikuar të vendosë më shumë agjentë të saj në qendrat kryesore operative në Uashington, kurse do të jetë e shtuar edhe prania e forcave policore në mbarë vendin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se nuk ka informacione rreth kërcënimeve të caktuara terroriste, por aksionet që do të ndërmerren, duhet të rritin ndjenjën e sigurisë tek amerikanët.
“Do të ndërmerren aktivitete të ndryshme në teren, për mbikqyrjen dhe mbrojtjen e shtuar, parandalimin më të madh, kurse në Uashington edhe operacione immediate për ndonjë ngjarje të mundshme”, ka thënë Fleischer.
Presidenti George Bush gjithashtu ka kërkuar të zbuten shqetësimet rreth sigurisë, duke thënë se amerikanët duhet të “festojnë nga zemra”.. Ai sot pritet të merr pjesë në parakalimin në Virxhinian Perëndimore, para se të ndjekë fyshekzjarret mbi Monumentin e Uashingtonit nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë.
Siguria në kryeqytet do të jetë e fortë. 500 mijë njerëzit që pritet të vijnë, do të mbikqyren nga kamerat dhe do të kontrollohen nga detektorët sapo të mbërrijnë. Do të vendosen edhe punkte të kontrollit, meqë Dita e Pavarësisë mund të jetë cak i mundshëm i sulmeve terroriste.
Amerikanët jashtë vendit gjithashtu janë paralajmëruar nga Departamenti i Shtetit, për “indiciet e besueshme”, se ekstremistët kanë planifikuar operacione për sulme të mundshme vetëvrasëse kundër interesave të Shteteve të Bashkuara.
Vërshimet e incidenteve që ndodhën gjatë javës jashtë Shteteve të Bashkuara, ku ishin përfshirë militantë të dyshuar islamikë, shumë pak i kanë zbutur shqetësimet. Policia në Gjermani dje arrestoi 7 persona, si pjesë e operacionit për mbledhjen e dëshmive rreth ngjarjeve të 11 shtatorit. Personat nga Maroko, Egjipti dhe Afganistani u liruan në mungesë të dëshmive, ndonëse prokuroria federale gjermane tha se ata mund të kenë planifikuar sulme.
Njëri prej tyre hetohej edhe më parë, për lidhje me qelinë e rrjetit terrorist Al Kaida në Hamburg, kurse një tjetër ishte arrestuar në Itali, në operacionin e përbashkët të policisë italiane dhe gjermane.
Në Pakistan, dje u vranë 7 persona, përfshirë 4 pjesëtarë të al Kaidës, në një postbllok afër kufirit me Afganistanin.
Në Jemen ndërkaq, një aktivist i dyshuar i al Kaidës, i cili kishte hyrë ilegalisht në vend, kishte arritur të ikë nga burgu. Ai ishte njëri nga 85 të dyshuarit e rrjetit al Kaida, që mbaheshin në Jemen pas sulmit në aeroplanmbajtësin Cole, ku e humbën jetën 17 amerikanë.
XS
SM
MD
LG