Ndërlidhjet

SERWER:"ÇËSHTJA E KOSOVËS MUND TË VENDOSET PËRMES NEGOCIATAVE PRISHTINË - BEOGRAD..."


Daniel SERWER, kryesues i organizatës "Iniciativa Ballkanike" - Washington

EVROPA E LIRË: Zoti Server, së fundi “Iniciativa për Ballkanin” ka publikuar një studim ku përmenden tetë opsione për statusin final të Kosovës. Cilin prej tyre do të mbështesnit ju?

D. SERWER: Është bindja ime se cështja mund të vendoset vetëm në negocijata mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk më takon mua të vendos. Përpjekja jonë ishte të sqarohej se cilat janë opsionet dhe jo të përzgjedhim mes tyre.

EVROPA E LIRË: Çfarë duhet të bëjnë strukturat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë për të shmangur kundërshtimin e Kinës dhe Rusisë në rast të një debati eventual rreth statusit final të Kosovës?

D. SERWER: Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të stabilizohet shteti ligjor, që përfshin trajtimin e duhur të minoriteteve dhe të mundësojë kthimin në shtëpitë e tyre të qytetarëve të Kosovës e vecanërisht serbëve.

EVROPA E LIRË: Në raport përmenden pozicionimet relativisht të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rreth Kosovës. Në rast të hapjes së debatit, cila do të ishte shkalla e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara – duke marrë parasysh angazhimet e tyre në luftën kundër terrorizmit?

D. SERWERË: Besoj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten të angazhuara në këtë çështje. Aktualisht nuk ka dallime mes pozicioneve zyrtare në Uashington dhe Europë. Ka disa diferenca në atë se si duhet informuar opinioni në Uashington dhe në Europë, por besoj se këto dallime mund të kapërcehen dhe se Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të mbeten të angazhuara në vendim-marrjen rreth kësaj çështjeje.


EVROPA E LIRË: Kujtoj se keni thënë para disa kohësh se “nuk ka shumë gjëra që mund të arrihen vetëm nëse flitet për statusin final të Kosovës”. Përveç pra statusit final, në çfarë çështjesh të tjera mund të fokusohen palët e interesuara?

D. SERWER: Ato duhet të nisin me çështjet immediate si përshembull, të gjejnë, të kërkojnë për personat e zhdukur apo për varret e atyre që janë vrarë dhe të procedojnë nga këto çështje deri tek ato më të komplikuarat. Problemet e kufinjve, lirisë së lëvizjes, ato të nënshtetësisë, çështjet e pronësisë, ato të sigurisë për maqedonasit, kosovarët dhe serbët. Ka pra një gamë të gjerë temash dhe duhet nisur nga ato më të ngutshmet dhe që për momentin mendoj se është ajo e personave të zhdukur.


EVROPA E LIRË: Deri në vjeshtë pothuaj gjithë Ballkani do të jetë në zgjedhje. Çfarë prisnin ju prej tyre, më konkretisht si mendoni se do të reflektohen rezultatet e tyre në predispozicionin e vendeve fqinje ndaj çështjes së Kosovës?

D. SERWER: Më e rëndësishmja është që këto zgjedhje të jenë të rregullta, të lira dhe demokratike dhe kjo është ajo që pres të ndodhë në Kosovë, ku zgjedhjet e mbajtura deri më tani kanë qenë të rregullta, të lira dhe të ndershme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën që serbët dhe të tjera pakica të marrin pjesë në këto zgjedhje. Po aq e rëndësishme është që zgjedhjet rreth Kosovës të jenë të tilla. Problemi më i madh është ndoshta Maqedonia ku edhe ka një nivel të ulët dhune dhe shumë njerëz janë të shqetësuar për mundësinë e rritjes së kurbës së dhunës gjatë periudhës së zgjedhjeve.
Kështu mbarëvajtja e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës, ri-integrimi i shqiptarëve të atjeshëm në strukturat qeverisëse të Serbisë, është me rëndësi fundamentale sepse demonstron që askush në Kosovë nuk po përpiqet të vërë në dyshim kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.
Po kjo vlen edhe për zgjdhjet në Maqedoni. Çfarëdolloj çrregullimi në këto zgjedhje, qoftë nëse mendoni Kosovën apo gjetkë ku jetojnë shqiptarët, nuk do të ishte në të mire të Kosovës.
Nga ana tjetër, zgjedhjet e mira në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës do t’i inkurajonin Shkupin dhe Beogradin. Do t’i ndihmonin ato të ndjeheshin më të sigurta se mund të merren me çështjen e Kosovës në mënyrë më të drejtë dhe kjo është shumë e dobishme.

XS
SM
MD
LG