Ndërlidhjet

NË EVROPËN QENDRORE – VËRSHIME TË PAPARA


Frika, konfuzioni dhe mungesa e informatave të duhura e komplikuan jetën e banorëve të shumtë të kryeqytetit të Çekisë, Pragës… ndërkohë që lumi Vëlltava kërcënohet të gëlltitë pjesë të tjera të qytetit.
Sirenat e emergjencës ulurijnë, ndërsa mijëra banorë të lagjeve në pjesën e vjetër të qytetit, të kuarteve Holeshovice dhe Smihov, ishin të detyruar të evakuohen. Vërshimet bënë që 50 mijë banorë të Pragës dhe dhjetra mijë të tjerë të braktisin shtëpitë.
Raportohet se të paktën 9 vetë kanë vdekur nga vërshimet në Republikën çeke.
Në Pragë, ndërtesat për rreth lumit Vëlltava, përfshirë Muzeu i kompozitorit Bedzhih Smetana, muzeu i artit bashkëkohor dhe pallati qeveritar i Lihtenshtajnit janë nën ujë. Ujërat e vrullshme e përmbytën bustin e kompozitorit. Smetana u bë i njohur me poemën simfonike kushtuar Vëlltavës, lumit më të madh të Bohemisë.
Të mërkurën, uji u kërcënua të dalë edhe nga kufijtë e qytetit të vjetër të Pragës. Kryetari i Bashkisë Igor Nemec tha se barrierat e vëna nuk do të mund ta përballojnë presionin e mëtejmë.
Nivelet e ujit e tejkaluan rekordin e para 100 viteve. Lumi tani është 7 metra mbi nivelin normal, me një sasi të ujit 40 herë më të madhe. Meteorologët thonë se të reshurat mund të pakësohen pasdite apo gjatë natës.
Të gjitha ujdhesat e qytetit janë mbuluar nga uji. Pjesë të mëdha të qytetit janë pa energji elektrike. Megjithate deri tani nuk ka patur njoftime për ndonjë plaçkitje.
Niveli i lumit Vëlltava i kërcënoi edhe qytetet Budejovice dhe Krumlov, kurse më në jug, në shtetin federal Saksoni të Gjermanisë, 6 vetë raportohet të kenë humbur jetën dhe 100 të jenë lënduar nga vërshimet në qytetet Grima dhe Eilenburg afër Drezdenit. Vërshimet e lumit Elba i kërcënojnë edhe qytetet Desau dhe Biterfeld.
Në Bavari, niveli i Danubit pak ka filluar të bjerë, kurse në Austri, nga vërshimet më të mëdha të shekullit niveli I Danubit mbetet mbi normalen, sidomos në krahinën Vahau ku është 11 metra mbi nivelin e zakonshëm. Rreth 8.000 ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar në qytetet Melk, Steir, Cvetël dhe Krems.
Ndërkohë qeveria austriake duhet të përcaktojë një ndihmë finansiare, vetëm një ditë pas akordimit të 300 milionë eurove që e shpalli dje. Vlerësimet e para për dëmet në Austrinë e Poshtme dhe të Epërme arrijnë shumën prej 3 miliardë euro.
Danubi e kërcënon edhe kryeqytetin e Sllovakisë Bratisllavë, ku është shpallur gjendje emergjente. Niveli i lumit atje është 9 metra mbi normalen.
XS
SM
MD
LG