Ndërlidhjet

EKSPERTËT THONË SE GREKËT DHE MAQEDONASIT I KANË EKZAGJERUAR SYNIMET E TYRE PËR TË DREJTËN NDAJ KULTURËS SË MAQEDONISË ANTIKE


Chicago Tribune

Kur senatorja Adeline Geo – Karis nga Illinoisi, me prejardhje greke, paraqiti rezolutën 446, kolegët e saj ishin tejet të ngarkuar me çështje të buxhetit kështu që dokumenti i saj pothuajse kaloi i pavërejtur, shkruan Chicago Tribune. Duket sikur ata kanë pasur pak njohuri se duke e miratur një rezolutë të tillë, në të cilën thuhet se gjuha dhe kultura e maqedonasve ishte helenike për 3 mijë vjet, mund të shkaktojnë diskutime që do të përfshijnë një spektër të gjërë: prej departamentit të shtetit e deri të Ballkani.

Diplomatët dhe qytetarët e shtetit të posaformuar të Maqedonisë janë të shqetësuar se Illinoisi në mënyrë të pashpjegueshme po anon në debatin kontestues kulturor me Greqinjë fqinje në temën se cili komb meriton më tepër ta përvetësoj trashëgiminë dhe emrin e Maqedonisë antike. Gazeta Chicago Tribune mëtutje shkruan se shumë maqedonas e shohin vetveten si popull të veçantë; shumë grekë, nga ana tjetër thonë se të dy kulturat ishin përzier në kohërat e lashta, duke u dhënë grekëve bashkëkohës të drejtën për trashëgiminë maqedonase.
Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në rezolutë, për të cilën senatorja Geo – Karis thotë se është shprehje e krenarisë etnike, nuk ka shenja se po zbutet. Këtë muaj maqedonasit në Çikago filluan një peticion me të cilin kërkohet tërheqja e rezolutës, shkruan mëtutje Chicago Tribune.

“Çështjet e historisë duhet ti trajtojnë historianët. Ato nuk mund të marrin përgjigje nga rezolutat politike apo deklaratat” – tha ambasadori i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili bëri të ditur se për shqetësimet e tij e ka informuar departamentin e shtetit.
Historianët kanë gjetur gjurmët e krijimit të Maqedonisë në shekullin e VII para Krishtit. Por gjatë gjithë kësaj historie, Maqedonia ishte më tepër rajon se sa shtet kombëtar, i gëlltitur me radhë nga perandoria Romake, Bizantine dhe Otomane. Pas luftës së parë botërore territori ishte ndarë ndërmjet Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, më vonë Jugosllavisë.

Ekspertët thonë se grekët dhe maqedonasit i kanë ekzagjeruar synimet e tyre për të drejtën ndaj kulturës së Maqedonisë antike dhe të pushtuesit Leka i Madh, që ishte i lindur në Pella, atëherë pjesë e Maqedonisë e tash e Greqisë, shkruan gazeta Chicago Tribune. “Nacionalistët e linjës së fortë nga të dy palët ishin përpjekur të kthehen prapa…në epokën e artë të së kaluarës” – thotë anglezi Hugh Poulton, autor i librit “Kush janë maqedonasit” dhe ekspert për Ballkanin.

Zyrtarë në departamentin amerikan të shtetit qartas nuk duan të ngatërrohen në këtë çështje delikate. Në një dokument të brendshëm, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se “ata nuk do të pozicionohen në çështjet e historisë antike dhe në çështjet që debatohen nga historianët”, shkruan, pos tjerash, gazeta Chicago Tribune.
XS
SM
MD
LG