Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: NËSE SHQIPTARËT ZHVILLOJNË PËRLESHJE NDËRMJET TYRE – E DIMË SE KUSH DO TË PËRFITOJ NGA KJO!


“Mendoj se ka dyshime se Unmiku ka një agjendë tjetër…mund të jetë që kjo është agjenda e një bashkëpunimi pak më të madh me Beogradin se sa që zoti Çeku dhe shumica e kosovarëve do të dëshironin” – thotë analisti i Radios “Evropa e Lirë”, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë qeveria e Kosovës në një kumtesë tha se “arrestimet e dëmtojnë procesin politik dhe demokratizimin në Kosovë”. Poashtu, zoti Rexhepi përdori fjalët “të burgosur politik”. Unmiku u përgjigj duke thënë se “këtë kumtesë e priti me keqardhje”. Si i vlerësoni ju këto zhvillime, duke pasur parasysh marëdhëniet ndërmjet administratës ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës?

PATRICK MOORE
Ajo që së pari duhet ta shohim është përbërja e qeverisë, që, siç e dimë të gjithë, është një koalicion shumëpartiak qeveritar, përfshirë këtu edhe njerëzit, partia e të cilëve drejtëpërdrejtë është prekur nga arrestimet. Nuk mendoj se qeveria ka pasur ndonjë zgjidhje tjetër pos të kritikoj arrestimet…Ajo që unë mendoj se është më interesante se sa dallimet ndërmjet qeverisë e Unmikut, është dallimi ndërmjet kumtesës së qeverisë dhe kumtesës së LDK-së, në të cilën LDK shprehet për rëndësinë e lejimit që procesi juridik të vazhdoj. Ky është një ton tjetër nga ai që dëgjuam nga qeveria. Mendoj se do të jetë interesante, që gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, të ndiqen dy gjëra: e para – a do të ketë tensione politike ndërmjet partive shqiptare; nëse shqiptarët zhvillojnë përleshje ndërmjet tyre – e dimë se kush do të përfitoj nga kjo! Çështja e dytë, që është me rëndësi të theksohet, është se deri ku do të shkojnë partitë e personave që janë arrestuar… A do të vazhdojnë me protesta ose, tash pasi e kanë bërë të veten me protesta, e shohin se me të vërtetë është koha që procesi juridik të vazhdoj dhe të lejohen gjyqet që të bëjnë punën e tyre. Nëse kjo ndodhë në Kosovë dhe nëse procesi i drejtësisë zhvillohet jo nën forcën e rrugëve por në gjyq, kjo do ti tregoj Bashkësisë ndërkombëtare se kosovarët kanë bërë një hap të sigurt përpara…se meritojnë respekt për pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëherësh, zoti Çeku ka thënë se “Kfori është partner yni strategjik”. Disa analistë thonë se kjo nënkupton se kosovarët janë shumë të gatshëm të bashkëpunojnë me trupat e Natos atje, por ata kanë disa vërejtje në raport me Unmikun?

PATRICK MOORE
Para se gjithash kur themi Kfori, kemi parasysh se amerikanët janë të involvuar…kur themi Unmiku, e dimë se kreu i tij i tashëm dhe ata të mëparshmit ishin nga shtetet e Bashkimit Evropian. Mendoj se në sjelljet e Unmikut mund të shohim disa qasje që vendet e BE-së i kanë përdorë në Maqedoni, në Bosnjë…dhe në Serbi e Mal të Zi. Mendoj se, këtë gjë, mbase, zoti Çeku e ka pasur parasysh. Pra, kjo do të thotë se me Kforin, megjithë problemet konkrete, mund të bëhet punë. Mendoj se ka dyshime se Unmiku ka një agjendë tjetër…mund të jetë që kjo është agjenda e një bashkëpunimi pak më të madh me Beogradin se sa që zoti Çeku dhe shumica e kosovarëve do të dëshironin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët Malin e Zi…Para disa ditësh, presidenti Gjukanoviq, tha në Uashington Post se “përkrahja e Shteteve të Bashkuara është e rëndësisë madhore për të ardhmen e demokracisë multietnike në Mal të Zi. Ai përdori fjalë të ashpra karshi “disa politikanëve evropianë”. Nga këndëvështrimi juaj, cili ishte mesazhi i tij?

PATRICK MOORE
Mendoj se porosia e zotit Gjukanoviq është se, sipas marrëveshjes së marsit, ndërmjet Beogradit e Podgoricës, BE-ja vazhdimisht ka ndërhyrë në punët ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që të ndryshoj nenet që ishin përcaktuar në muajin mars. Kjo është ajo që atij nuk i pëlqen. Sinqerisht, unë nuk e fajësoj atë…Ne e dimë se së paku një lider në Sanxhak dhe një në Vojvodinë janë shprehur se marrëveshja ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, lejon më pak hapësirë për minoritete për të pasur autonomi dhe të drejta se sa që ka legjislatura aktuale. Në shprehjen e Gjukanoviqit për demokraci multietnike në Mal të Zi, ai qartas, u referohet shqiptarëve në rajonin e Ulqinin dhe më gjërë. Nëse u referohemi amerikanëve duhet të përkujtojmë se në pranverë Colin Powel i tha Gjukanoviqit se, kryesisht, SHBA-të i kanë lënë rolin udhëheqës në Ballkan Bashkimit Evropian dhe se ai duhet të përpiqet të arrijë dhe të respektoj një marrëveshje me Beogradin. Mendoj se ajo që zoti Gjukanoviq e tha në këtë artikull në Uashington Post ishte: ne dhamë çdo gjë prej vetes, ne e bëmë atë që premtuam, ne ishim të mashtruar dhe tash na duhet ndihma juaj. Sinqerisht, mendoj dhe shpresoj se fjalët e zotit Gjukanoviq do të lexohen dhe studiohen gjërësisht në Uashington.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG