Ndërlidhjet

STEINER:"GJËRAT NË KOSOVË DUHET PËRFUNDUAR NË AFAT MË TË SHKURTËR..."


Michael STEINER, shef i UNMIK-ut

EVROPA E LIRË
Si e kanë ndryshuar sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit të kaluar rolin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë?

M. STEINER
Ndryshimi edhe përfundimisht ekziston dhe ai ka të bëjë me faktin se komuniteti ndërkombëtar është përqëndruar në luftën kundër terrorizmit dhe krimit dhe nuk ka shumë vëmendje për zhvillimet tjera, por kjo është mjaft e natyrshme. Por, është një element tjetër të cilin duhet ta shqyrtojmë. Mendoj se disi mund të thuhet se 11 shtatori ka ndryshuar perceptimin e komunitetit ndërkombëtar mbi atë se sa kohë duhet për të mbaruar një punë. Lufta kundër terrorizmit ka globalizuar vëmendjen si pasojë e ngjarjeve në shtator dhe kjo do të thotë se të gjitha kryeqendrat perëndimore e kanë të qartë se angazhimi në këtë rrafsh është i gjeneratave të reja, pa caktuar afat kohor. Kjo është ajo që ka ndryshuar. Ne nuk e kemi gatishmërinë e komunitetit ndërkombëtar që këtu të angazhohet në 10 apo 12 vjetët e ardhshme. Kjo më nuk ekziston. Koha të cilën e kemi për të kryer punët në Kosovë është shkurtuar në mënyrë dramatike, prandaj gjërat duhet t’i kryejmë më shpejtë dhe duhet të planifikojmë punën tonë në një afat më të shkurtër kohor. Njëkohësisht, më duhet të them se puna duhet përfunduar. Nëse duam t’i shmangemi gjendjes së krijuar në Afganistan atëherë duhet ta kemi të qartë se nuk mund t’ia nisim një pune dhe ta lëmë atë përgjysmë. Thjesht nuk guxojmë që t’i përjashtojmë trupat e Milosheviqit nga rajoni dhe ta braktisim atë rajon, sepse nëse e bëjmë këtë, atëherë kemi zgjedhur qasjen më të keqe që pas vetes lë një vakuum. Këtë nuk guxojmë ta bëjmë assesi, meqë atëherë do të gjendeshim në pozicion më të keq se po të mos angazhoheshim fare. Duhet ta përfundojmë punën, por kohën e kemi të shkurtër.

EVROPA E LIRË
Deri në ç’masë kanë ndikuar në punën tuaj tensionet ndërkombëtare mbi çështjen e Irakut?

M. STEINER
Shikoni, fundja, cila është fuqia jonë. Fuqia jonë është të japim përkrahjen tonë në emër të komunitetin ndërkombëtar për atë që bëjmë, meqë ne këtu jemi angazhuar në emër të këtij komuniteti dhe të Këshillit të Sigurimit. Fuqia dhe mjetet tona për t’i bindur kosovarët në punën tonë varet nga intensiteti i angazhimit dhe vëmendja e komunitetit ndërkombëtar. Interesi ynë është që të shmangim vakuumin dhe të parandalojmë eksportimin e pasigurisë nga Kosova. Por, me përqëndrimin gjithnjë e më të madh të komunitetit ndërkombëtar në rajonet tjera, mendoj se çështje kruciale është fakti se nuk duhet të shkojmë në një vend të ri dhe ta harrojmë të vjetrin. Nuk dua të hyjë në dilemën nëse është hap i mençur intervenimi në Irak, kjo është një çështje tjetër. Por, unë e di se nëse bëni të diçka të re dhe harroni atë që keni nisur të bëni, problemet do të ringjallen dhe ato nuk do të zhduken. Dhe nëse e lëmë Kosovën kështu si është, të papërfunduar dhe megjithë rreziqet e eksportimit të pasigurisë në rajon, do të ishte gabim. Është absolutisht e qartë se në kuptimin historik, këtij hapi do t’i hakmerrej historia, problemi do të rikthehej në tavolinë të komunitetit ndërkombëtar.

EVROPA E LIRË
Si ndikojnë të gjitha këto zhvillime në procesin e kthimit të pakicave kombëtare, a do të shpejtohet apo ndërlikohet ky proces?

M. STEINER
Unë madje mendoj se është më i shëndoshë fakti se jemi detyruar që t’i përshpejtojmë përpjekjet tona dhe kjo nuk është fare keq, madje mendoj se ndikon në efektivitetin tonë. Është gjithashtu e shëndoshë që njerëzit, qofshin shqiptarët si shumicë apo të tjerët si pakicë, të kuptojnë se nuk mund të presin çdo gjë vetëm nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo nuk do të ndodhë. Mendoj se jemi sikur në një Garë Ndërkombëtare të Bukurisë. Pra, përkrahja e komunitetit ndërkombëtar varet nga fakti se sa është i bindur ky komunitet se përkrahja e tij shpaguhet. Pra, sa më gjatë që jemi në garë, aq gjatë popullata duhet që të punojë në sigurimin e përkrahjes së komunitetit. Në këtë kuptim, mendoj se konkurrenca do të ndihmojë në zbatimin e plotë të punës sonë. Nga ana tjetër, faktori kohë është esencial dhe nuk mund të ndryshosh për një kohë të shkurtër mendjet e njerëzve. Popullata duhet të jetë e gatshme për kthimin, qoftë pala që pranon të kthyerit qoftë ajo që don të kthehet. Dhe kjo popullatë mund të jetë e gatshme pasi të ketë kaluar një kohë nga traumat e vitit 99 dhe më parë. Jemi dëshmitarë të kthimit në Bosnjë, i cili ka ndodhur pasi që ka kaluar një kohë e caktuar. Prandaj, nëse koha që kemi për këtë punë është e shkurtër, atëherë nuk mund të kemi sukses. Po them se na duhet kohë, realitetin nuk mund ta ndryshojmë brenda nate, ndërkaq kemi shumë më pak kohë se që kemi pasur para 11 shtatorit.
XS
SM
MD
LG