Ndërlidhjet

Al-Kaida një formë e re dhe vdekjeprurëse e terrorizmit ndërkombëtar


Mark Baker

Ekspertët thonë se sulmet terroriste të vitit të kaluar mbi Shtetet e Bashkuara jo vetëm që ishin të papreçedentë por edhe mund të paralajmërojnë arritjen e një forme të re dhe vdekjeprurëse të terrorizmit ndërkombëtar. Ata thonë se Al-Kaida, grupi që akuzohet për vrasjen e mëse 3 mijë njerëzve dhe që shkaktoi disa qindra milionë dollarë humbje, është më i pamëshirshëm, më ambicioz dhe më mirë i organizuar se grupet e mëhershme terroriste.
Pol Uillkinson, ekspert në Qendrën për Studimin e Terrorizmit dhe Dhunën Politike në Universitetin britanik Shën Endriu, përdor termin ‘terrorizëm i ri’ për të përshkruar Al-Kaidën. Ai thotë se ky grup paraqet rrezik më të madh për stabilitetin ndërkombëtar se grupet më tradicionale, si Armata Republikane Irlandeze, grupimi bask ETA apo Brigadat e Kuqe në Itali. Pikënisje për Al-Kaidën është kryerja e akteve shkatërrimtare, jo aq për të terrorizuar, siç ka ndodhur në të kaluarën, sesa për të vrarë një numër sa më të madh njerëzish.
“Në rastin e rrjetit Al-Kaida, mungesa e keqardhjes që ajo demontroi më 11 shtator, tregon qartazi se nëse do të kishte qasje në armatime kimike, biologjike, radiologjike apo bërthamore, sigurisht që nuk do ta vriste ndërgjegja t’i përdorte” – thotë Uillkinson.
Nga sa dihet publikisht për Al-Kaidën, e cila fajësohet edhe për bombardimin e ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Kenia dhe Tanzani më 1998 – qëllimi i saj politik duket të jetë shumë i gjerë nga ai i grupeve të mëhershme terroriste dhe lidhet me ideologjitë potencialisht më shpërthyese të radikalizmit Islamik.
Të dhënat e grumbulluara rreth veprimtarisë së grupit tregojnë se qëllimi i parë i tij, është që të dëbohen trupat amerikane të stacionuara në Gjirin Persik, e pastaj përmbysja e qeverive të disa shteteve arabe dhe myslimane, të cilat bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Së fundi, Al-Kaida kërkon të ngrejë një kalifat – një shtet të vetëm islamik që të përmbajë shumë shtete aktuale të botës myslimane.
Krahasuar me të, ambiciet politike të Hamasit në territoret palestineze apo Hezbullahut në Liban duken relativisht modeste – vëren analisti Uillkinson.
Rohën Gunaratna, autor i një libri për Al-Kaidën, pajtohet me vlerësimet e Uillkinsonit se Al-Kaida paraqet sfidë më të madhe se të gjitha organizatat para-ardhëse terroriste.
‘Al Kaida është i pari grup terrorist shumëkombësh i shekullit të 21-të. Ka anëtarë nga 40 kombësi të ndryshme dhe prani në 94 vende – shpjegon Gunaratna. Më tej ai thotë se grupet terroriste zakonisht janë të organizuara vertikalisht – me udhëheqësinë që jep urdhra dhe struktura më të ulta që kujdesen për zbatimin e tyre. Al Kaida është e organizuar horizontalisht, me celula që veprojnë pak a shumë të pavarura nga njëra-tjetra. ‘Al Kaida ka tre tipe stërvitjesh: minimale, të avancuara dhe të specializuara. Stërvitja minimale është për rekrutët. Ato të avancuarat për njerëz të cilët duhet të marrin pjesë në aksione luftimi ndaj dhe duhet të jenë të përgatitur mendërisht dhe fizikisht. Stërvitjet e specializuara janë për ata që nien me misione terroriste’, thotë Gunaratna.
Rreziku është që grupet terroriste të së ardhmes, të inkurajuara nga sukseset e Al-Kaidës, të imitojnë strukturat e saj organizative dhe strukturore. Specialistët janë të një mendje se qeveritë e përfshira në luftën kundër kësaj forme të re të terrorizmit do duhet të përshtasin strategjitë e tyre me realitetet e reja.
Ata thonë se është e pamundur tanimë për qeveritë të vepruarit më vete për luftimin e terrorizmit dhe se bashkëpunimi me nivelet më të larta, është mëse i nevojshëm.
XS
SM
MD
LG