Ndërlidhjet

NË UNIVERSITETIN E TETOVËS AKUZA TË NDËRSJELLA


Zërijeta Hajro - Jahjaga, Shkup Afro 13 mijë studentë, që studiojnë në këtë universitet, kërkojnë që udhëheqësit t’i lënë anash grindjet dhe të punojnë për zyrtarizimin e tij, meqë, siç shprehen ata, edhe mëtutje fati i tyre mbetet pezull… me një diplomë në xhep, që nuk njihet nga autoritetet vendëse.

Këshilli i dekanëve dhe anëtarëve të Senatit të Universitetit të Tetovës, ka konstatuar se rektorit Fadil Sulejmani i ka skaduar mandati i dytë, për rrjedhojë Senati i UT-së ka qenë i detyruar të hapë konkurs për zgjedhjen e rektorit të ri të UT-së, thotë Seadin Bexheti, nga Këshilli i dekanëve.

- Tani e kemi hapur konkursin për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës, që ka filluar më datën 2 shtator dhe do vazhdojë të jetë i hapur deri më 18 shtator. Besoj që më 1 tetor do të fillojmë me rektorin e ri të Universitetit të Tetovës. Zotit rektor i ka kaluar mandati tre vjeçar. Ka patur dy mandate tre vjeçare dhe ka 8 vjet që ne nuk kemi rektor të ri - thotë zoti Bexheti.

Nga ana tjetër, rektori aktual Fadil Sulejmani i hedh poshtë pretendimet e dekanëve dhe anëtarëve të Senatit.

- Ai është një grup komplotistësh, prapa të cilit qëndrojnë forca të errëta, qëndron qeveria e Maqedonisë, qëndrojnë interesa karrieriste dhe materialiste individësh, të partive…Ne nuk e njohim atë grup si partner, si palë. Ai është një grup prej tre dekanësh ku përfshihen gjithashtu edhe 2-3 intelektualë të rremë, që as nuk japin mësim në Universitet dhe u shkojnë prapa këtyre dekanëve - tha rektori aktual, Sulejmani.

Lidhue me këto konstatime, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Seadin Bexheti thotë:

- Nuk është e vërtetë që ne jemi grup i vogël. Njerëzit që kanë qenë titullarë, udhëheqës me të gjitha gradat shkencore dhe profesionale, që kanë përvojë mësimore që prej 25 vjetësh e më poshtë, i ka shkarkuar nga detyra. Rektori mendon se njerëzit mund të merren nga rruga dhe të futen në Universitet. Duke iu referuar ketij akti, ne e kemi kundërshtuar dhe kemi ardhur deri në këtë krizë, siç shihet tani dhe për këtë akuzohemi - vlerëson zoti Bexheti, kryetar i Komisionit për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Tetovës.

Ai mëtutje shton se rektori Sulejmani duke përdorur metoda të ndryshme ka dëmtuar edhe interesat e UT-së, vetëm e vetëm për të mbetur në postin udhëheqës në Universitetin e Tetovës.

- Nëse Fadil Sulejmani do vazhdojë të mbetet në krye të Universitetit të Tetovës, ai do të shuhet. Siç e shikoni edhe vetë ai ka shkaktuar një krizë duke i larguar profesorët. Nuk ka asgjë absolute në botë, vetëm qëndrimi i tij është absolut…ai paraqitet si shpëtimtar i Universitetit të Tetovës. Universiteti i Tetovës është kontribut i gjithë popullatës shqiptare, është kontribut i gjithë arsimtarëve që punojnë në Universitetin e Tetovës, është kontribut i Kosovës, është kontribut i Republikës së Shqipërisë, është kontribut i diasporës shqiptare. Nuk ka asnjë shqiptar që është kundër Universitetit të Tetovës - thekson Seadin Bexheti.

Lidhur me këto konstatime, rektori Fadil Sulejmani përgjigjet:

- Zoti Bexheti është në Prishtinë, merret me biznes. Është në shërbim të të huajve, në radhë të parë të pushtetit maqedonas kundër Universitetit. Të mos flasim edhe për të tjerët. Ata vetë mund të themelojnë një universitet tjetër, të bëjnë regjistrimin e studentëve e të zgjedhin rektorin e tyre. Ata nuk janë në UT - thotë Sulejmani.

Kështu…derisa të gjendet fija e lëmshit të quajtur “zgjedhjet e rektorit të Universitetit të Tetovës” rreth 13 mijë studentë, që studiojnë në këtë universitet, kërkojnë nga udhëheqësit e universitetit që t’i lënë anash grindjet dhe të punojnë për zyrtarizimin e tij, meqë, siç shprehen ata, edhe mëtutje fati i tyre mbetet pezull… me një diplomë në xhep që nuk njihet nga autoritetet vendëse.
XS
SM
MD
LG