Ndërlidhjet

Janusz Bugajski: Politikanët e Kosovës, duhet te behen force udhëheqëse në debatin për statusin final të Kosovës


Ulpiana Lama

…mendoj se çështja e statusit (të Kosovës) duhet të zgjidhet deri në fund të kësaj administrate dhe parashikoj se do të ketë intensifikim të debatit këtu në Uashington gjatë muajve dhe vitit të ardhshëm…

Janusz Bugajski
Drejtor i projektit për Evropën Juglindore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.


EVROPA E LIRË: Zoti Bugajski, rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni nuk e përligjën frikën për trazira të mundshme. Zgjedhjet u vlerësuan si të drejta dhe demokratike. Mund të parashikoni rezultatet e tyre për të ardhmen e këtij vendi?

JANUSZ BUGAJSKI: Zgjedhjet janë pjesë e një procesi në Maqedoni, jo vetëm për konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë në vend, por edhe për krijimin e një shteti që do të ishte legjitim për të gjithë qytetarët e vendit. Detyra më e rëndësishme mendoj do të jetë përbërja dhe politikat e qeverisë së re e kjo do të përcaktojë nëse Maqedonia do të ecë drejt përfshirjes së plotë demokratike apo drejt polarizimit të mëtejshëm etno-politik. Faza kritike do të jetë ajo e pas zgjedhjeve.

EVROPA E LIRË: Për herë të parë në Ballkan, krahu i ish-guerriljes fitoi në zgjedhje. Çfarë rëndësie dhe pasojash mund të ketë kjo?

JANUSZ BUGAJSKI: Është e rëndësishme të përfshihen të gjitha forcat serioze politike në procesin politik. Disa nga ish-udhëheqësit e ish-guerrilasve janë treguar të matur dhe të moderuar gjatë fushatës elektorale dhe kjo mendoj duhet të vazhdojë gjatë negociatave për një koalicion të qëndrueshëm qeverisës në Maqedoni, i cili do duhet të përfshijë përfaqësuesit shqiptarë. Një qeveri e re multietnike mund të gjenerojë nisma të reja multietnike për të ç'rrënjosur korrupsionin, që është një çështje e mprehtë, e po aq për të krijuar kushtet për rritjen ekonomike, pasi automatikisht, kushtet ekonomike do të përcaktojnë stabilitetin politik.

EVROPA E LIRË: Çfarë mund të përfitojë rajoni nga këto zgjedhje. Le të kujtojmë se zgjedhje do të mbahen në gjithë rajonin gjatë vjeshtës.

JANUSZ BUGAJSKI: Zgjedhjet në Maqedoni do të ndihmojnë që t'i risigurojnë vendet fqinje se një konflikt i mëtejshëm i armatosur mund të evitohet, por mendoj që përbërja e qeverisë së re do të vendosë nëse do të jenë të gjitha komunitetet në Maqedoni pjesë e procesit demokratizues. Mendoj se lidershipi në vend e ka kuptuar rëndësinë e vënies së themeleve paqësore për ndërtimin e një shteti multietnik legjitim dhe mendoj se kjo është e rëndësishme për fqinjët e Maqedonisë.

EVROPA E LIRË: Duket se lidershipi shqiptar i Kosovës ka ndryshuar konceptin e fushatës elektorale, duke u përqëndruar më shumë në probleme të prekshme dhe praktike. Mendoni se kjo elitë politike po dëshmohet e pjekur dhe partnere e besueshme?

JANUSZ BUGAJSKI: Politikanët e Kosovës janë jo vetëm partnerë të besueshëm në çdo debat, të themi, për statusin final të Kosovës por ata gjithashtu duhet të bëhen forca udhëheqëse në këtë debat si përfaqësuesit e dalë nga zgjedhjet e lira të popullatës së Kosovës dhe mendoj se ata duhet të shpalosin njëkohësisht vizionin sa i takon së ardhmes por edhe anë praktike për çështje që janë të rëndësishme për përditshmërinë e njerëzve të zakonshëm. Dhe në të vërtetë këto dy çështje janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën.

EVROPA E LIRË: Uashingtoni po shpreh më shumë mbështetje për pavarësinë e Kosovës, të parë qartë në rezolutat e Lantosh dhe Gilman. A parashikoni ndonjë debat të afërt mbi këtë çështje me pjesëmarrjen e palës amerikane?

JANUSZ BUGAJSKI: Një debat i tillë është i rëndësishëm, ai po afrohet dhe do të afrohet kur të ketë vendosmëri nga ana e lidershipit kosovar nga njëra anë dhe çiltërsi nga ana amerikane. Mendoj se ky process po zhvillohet por ai duhet të përshpejtohet. Është e qartë se status kuo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme. Nëse Kombet e Bashkuara e humbasin relevancën lidhur me Irakun, për aksionet që ka paralajmëruar presidenti Bush dhe Këshilli i Sigurimit nuk vepron në këtë kuadër, atëherë do të ketë më pak arsye për Uashingtonin që të vazhdojë të mbështesë misionet e tjera të Kombeve të Bashkuara, përfshirë atë në Kosovë.
Por mendoj se çështja e statusit duhet të zgjidhet deri në fund të kësaj administrate dhe parashikoj se do të ketë intensifikim të debatit këtu në Uashington gjatë muajve dhe vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG