Ndërlidhjet

RRËNJËT E KONTESTIT GJERMANI-SHBA SHKOJNË MË THELLË SE RETORIKA E FUSHATËS ZGJEDHORE


Ron Synovitz

Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar kancelarin gjerman Gerhard Shreder se i ka fituar zgjedhjet e fundit me një fushatë të tepruar anti-amerikanizmi.
Ari Fleischer, zëdhënësi i presidentit George Bush, ka sugjeruar se marrëdhëniet mund të jenë hijesuar nga pikëpamjet e ndryshme që Uashingtoni dhe Berlini mund të kenë ndaj sulmit të mundshëm ushtarak kundër Irakut.
Në veçanti, Bush ishte i mllefosur nga komentet e ministres gjermane të drejtësisë, e cila atë e krahasoi me Hitlerin. Ministreja, e cila prej atëherë dha dorëheqje, tha se Bush e përdorte çështjen e luftës me Irakun për t’ua heqë vemendjen amerikanëve nga problemet e brendshme.
Në samitin e NATO-s në Varshavë, sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld, marrëdhëniet i përshkroi si të helmuara.
“Nuk më përket mua t’i këshilloj vendet tjera. Një fjalë e urtë thotë: Nëse jeni në gropë, pushoni së gropuari”, tha Rumsfeld, duke mos u shprehur rreth normalizimit të marrëdhënieve.
“Presidenti, sekretari i shtetit dhe sekretari i mbrojtjes kanë marrëdhënie të vazhdueshme me të gjitha vendet e NATO-s. Jemi në fazën kur në Shtetet e Bashkuara ka pikëpamje të forta rreth gjërave që janë thënë dhe janë bërë”, tha Rumsfeld.
Steven Everts, nga Qendra për Reforma Evropiane në Londër i ka thënë Evropës së Lirë se mosmarrëveshja midis Berlinit dhe Uashingtonit ka të bëjë vetëm me zgjedhjet në Gjermani.
“Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kanë qënë nën strese. Kishin dallime mbi Lindjen e Mesme, importimin e çelikut dhe gjykatën ndërkombëtare, që u shtuan me fushatën zgjedhore në Gjermani. Është gabim të përqëndrohemi vetëm te zgjedhjet, sepse do t’i humbim nga sytë çështjet tjera që i karakterizojnë këto marrëdhënie”, thotë Everts.
Opininet e tij i ndajnë edhe ekspertë tjerë të marrëdhënieve trans-atlantike. Dominique Moisi, nga Instituti francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare thotë se shumica e evropianëve, përfshirë politikanët, heshturazi dakordohen me qëndrimet e Shrederit rreth Irakut.
“Shikuar nga Parisi, ndjehet një kënaqësi, duke e parë Gjermaninë si delja e zezë e familjes trans-atlantike. Por, Shreder vetëm e thotë atë që shumica e evropianëve e ndjejnë”, thotë Moisi, i cili mendon se situata nuk do të shkallëzohet aq shumë, sa që Gjermania të refuzojë t’u lejojë Shteteve të Bashkuara shfrytëzimin e bazave, si pjesë e fushatës ushtarake kundër Irakut.
“Nëse do të ketë luftë, do të jetë vështirë për gjermanët të mos lejojnë shfrytëzimin e bazave në territorin e tyre. Ky do të ishte pozicion shumë ekstrem për gjermanët”, thotë Moisi.
Everts ndërkaq mendon se Franca mund të jetë ajo që t’u prijë evropianëve në luftën kundër Irakut, meqë Parisi, sipas tij, ka një pozicion më të kujdesshëm, duke u përqëndruar në zbatimin e rezolutave, e jo ndryshimin e regjimit.
Presidenti francez Jacques Chirac është shprehur si vijon: “Sa i përket Irakut, kemi rënë dakord në dy çështje. E para, nevoitet çarmatim i qëndrueshëm i Irakut në pajtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara. E dyta, gjithçka duhet bërë në Kombet e Bashkuara dhe brenda kornizave të saj”.
Everts mendon se ky pozicion francez mund të jetë dominanti në Evropë.


XS
SM
MD
LG