Ndërlidhjet

ZGJEDHJET DHE KALKULIMET


Shkelzen MALIQI



Fushata parazgjedhore në pjesën më të madhe të Kosovës po zhvillohet qetë dhe me rritme të ngadalësuara. Vetëm elektoratin serb e kanë zënë ethet e brendshme dhe brenga të jashtëzakonshme. Në të vërtetë për momentin serbët në Kosovë më shumë preokupohen me zgjedhjet presidenciale në Serbi që do të mbahen në fund të kësaj jave, sesa me zgjedhjet lokale në Kosovë. Ata janë të vetëdijshëm se rivaliteti i ashpër midis kryetarit të Serbisë Koshtunica dhe kryeministrit të Serbisë Gjinxhiç, të cilët kanë vizione të ndryshme për ardhmërinë e Serbisë dhe të raporteve të saj me Kosovën do të përcaktojë edhe fatin e tyre. Përderisa Koshtunica pa doreza u premton serbëve në Kosovë si dhe atyre në Bosnje se do të kenë mbrojtjen e Beogradit, Gjinxhiçi me ekipin e tij pragmatist më shumë shqetësohet për fatin e Serbisë në kufijtë e saj të sotëm, sesa me fatin e serbëve në Kosovë dhe Bosnje. Ministri i Financave i Serbisë Bozhidar Xheliç, një njeri i besuar i kryeministrit Gjinxhiç kohë më parë ka deklaruar hapur se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, përderisa nuk paguan kontributet dhe taksat. Hutimi dhe paqartësia e luftës për pushtet në Serbi përcillet edhe tek liderët serbë në Kosovë. Përsa është e përçarë Serbia janë të përçarë edhe serbët e Kosovës. Tek serbët as që mund të pritet zhvillimi i një fushate elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë. Vetëm pas sqarimeve në vetë Serbinë, një pjesë e liderëve dhe elektoratit serb në Kosovë do të vendosin për pjesëmarrjen eventuale në zgjedhjet lokale. Kjo varësi e trupit votues serb nga Beogradi, i vë ata vetë në një pozitë mjaft kritike karshi UNMIK-ut, që është zot shtëpie në Kosovë. Në dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur serbëve të Kosovës me përkrahjen e qeverisë serbe, u lejohej hapësira manovruese e kurzimit të pjesëmarrjes në zgjedhje me dhënien e disa koncesioneve dhe favoreve, UNMIK-u sot nuk i pranon më shantazhet, kërcënimet, memazhet masive dhe obstruksionet që kanë për qëllim ruajtjen e institucioneve paralele serbe. Në të vërtetë nuk janë serbët ata që kushtëzojnë UNMIK-un, por UNMIK-u i kushtëzon serbët, duke ua tërhequr vërejtjen se do të margjinalizohen dhe mbeten pa ndikim, nëse përcaktohen për bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë. Paralajmërimet e Rada Trajkoviç, se deputetët serbë do të tërhiqen nga parlamenti dhe institucionet e Kosovës, zëdhënësi i UNMIK-ut, Sajmon Hajzellok, e ka quajtur çmenduri të llojit të vet. Takimi i papritur midis kryeadministratorit Shtajner dhe kryeministrit serb Gjinxhiç, për të cilin nuk janë dhënë informata zyrtare mund të merret si një indikator për mostolerimin e mëtejshëm të politikës obstruktive të Beogradit në Kosovë. Rezultati i zgjedhjeve nuk do të japë vetëm sinjalin më përcaktues për qëndrimin e serbëve ndaj UNMIK-ut, dhe institucioneve Kosovare. Drejtimi i zhvillimeve në Beograd do të jetë përcaktues edhe për UNMIK-un.
XS
SM
MD
LG