Ndërlidhjet

JAMES RUBIN: NGA SHQIPTARËT E KOSOVËS NUK MUND TË KËRKOHET QË SËRISH TË MARRIN URDHËRA NGA REGJIMI I BEOGRADIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë Hashim Thaçi, duke e ditur se po të refuzonte marrëveshjen në Rambuje, do të humbte miqtë amerikanë, e nënshkroi atë. Rubin e lavdëroi Thaçin edhe për demilitarizimin, duke theksuar se askund në botë nuk kishte ndodhur që një ushtri, që kishte dalë fitimtare nga lufta, të demilitarizohej aq shpejt me një marrëveshje.

“Unë thjesht nuk mund të besoj se Kosova ndonjëherë mund të lejohet të kthehet nën kontrollin e Beogradit” - ka thënë të martën në Prishtinë ish zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, James Rubin, i cili mbajti një ligjëratë në temën “Kosova pas 11 Shtatorit” dhe zhvilloi një bisedë me publikun e shumtë që ishte mbledhur në një sallë të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Ai tha se shumë gjëra kanë ndryshuar pas 11 Shtatorit si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në gjithë botën, por për dallim nga Lufta e Ftohtë, kur nuk dihej se si do të pozicionoheshin shtetet, tani të gjithë pajtohen se terrorizmi është një e keqe së cilës i duhet kundërvënë. Ish zyrtari i Departamentit të shtetit James Rubin tha se “ka ndryshuar edhe konstelacioni ndërkombëtar, prandaj edhe pozicioni i Kosovës, megjithëse nuk jam në pozicion të flas zyrtarisht, mund të them një gjë: “nuk mund të imagjinoj asnjëherë që ndonjë fuqi e madhe botërore të kërkoj nga shqiptarët e Kosovës që sërish të marrin urdhëra nga regjimi i Beogradit. Kjo nuk do të ndodhë më kurrë” - tha Rubin, duke u shprehur i lumtur që shihte njerëzit të qeshur, pa frikë dhe gjithashtu pa regjimin e Beogradit këtu.

Lidhur me Rambouille (Rambuje) ai tha se mund të kishte dy epilogë të mirë: që Serbia dhe shqiptarët të pajtoheshin me marrëveshje dhe epilogu i dytë, që ndodhi, ishte që shqiptarët të pajtoheshin me amerikanët dhe evropianët dhe atëhere NATO-ja do ta përdorte forcën.

“Për ta bërë këtë kërkohej që shqiptarët ta bënin një koncesion politik dhe të pajtoheshin duke e shmangur përkohësisht çështjen e pavarësisë dhe jo të hiqnin dorë nga pavarësia. Ky ishte një koncesion i madh” - vlerësoi Rubin, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara dëshironin të ndërhynin ushtarakisht, por jo si në Bosnje në një mision të pafuqishëm të Kombeve të Bashkuara. Prandaj kur shqiptarët u pajtuan, puna ishte e kryer, pasi marrëveshja po bëhej në Francë nga një bashkëkryesues britanik me përfshirjen e ministrit gjerman Fisher. Ai tha se bashkë me zotin Thaçi kishin vendosur për pranimin në parim dhe për shtyrjen e marrëveshjes, derisa Thaçi mori edhe pëlqimin e kolegëve të tij nga UÇK-ja. Hashim Thaçi, duke e ditur se po të refuzonte marrëveshjen do të humbte miqtë amerikanë, e nënshkroi atë. Rubin e lavdëroi Thaçin edhe për demilitarizimin, duke theksuar se askund në botë nuk kishte ndodhur që një ushtri që kishte dalë fitimtare nga lufta, të demilitarizohej aq shpejt me një marrëveshje. Për këtë edhe vetë ish presidenti Clinton e kishte përgëzuar zotin Thaçi me telefon.

Zoti Rubin iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me forcat ruse që kishin arritur së pari në Kosovë dhe tha se kjo ishte pjesë e mosbindjes së ushtarakëve ndaj Jelcinit dhe ministrit të jashtëm Ivanov, të cilët kishin garantuar se kjo nuk do të ndodhte.

“Por në fund të fundit si shumë gjëra, mendoj se kjo nuk kishte ndonjë efekt real, pasi forcat ruse në aeroport nuk mund të siguronin as ushqimin për vete… dhe në fund të fundit mbetën pa një sektor të vetin apo pa një linjë ndarëse për serbët në Kosovë, siç thuhej”- tha Rubin, duke theksuar se e vetmja çështje e pandriçuar është nëse Milosheviqi me të vërtetë ka shpresuar se rusët do ta shpëtonin edhe njëherë atë…ashtu siç e shpëtuan me muaj në Bosnjë.
XS
SM
MD
LG