Ndërlidhjet

CIA: IRAKU I KA RINGJALLUR PROGRAMET E ARMËVE TË NDALUARA


NEW YORK TIMES

CIA sot bëri të ditur se Iraku ka përfituar nga tërheqja e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për të rifilluar prodhimin e armëve kimike, thellimin e përpjekjeve për të zhvilluar armë biologjike dhe ka ringjallur programin e armëve bërthamore.
“Që kur inspektimet përfunduan më 1998, Iraku i vazhdoi përpjekjet për armët kimike, e gjallëroi programin raketor dhe ka shtuar investimet në armët biologjike”, pohon raporti i fundit i CIA-s, duke shtuar se “shumë analistë vlerësojnë se Iraku po ristrukturon programin armëve bërthamore”.
Gjatë ngritjes së çështjes për një fushatë të mundshme kundër Irakut, administrata e presidentit Bush i ka cituar përpjekjet e Irakut për të prodhuar armë bërthamore, dhe është kërcënuar se do të përdorë forcën për rrëzimin e qeverisë së Bagdadit, nëse Sadam Huseini nuk bie dakord me inspektime të përimta dhe pa kufizime.
Raporti i CIA-s thotë se Iraku ndoshta nuk do jetë në gjendje të sigurojë armë bërthamore deri nga mesi i dekadës, nëse nuk do t’i sigurojë materialet e nevojshme nëpërmjet tregut të zi. Por, CIA thotë se nëse materiali bërthamor do të trafikohet në Irak, qeveria mund ta prodhojë armën bërthamore brenda një viti.
“Megjithëse Sadam Huseini ndoshta nuk zotëron armë bërthamore ose material të mjaftueshëm për prodhimin e tyre, ai mbetet i vendosur që t’i përvetësojë ato” thuhet në raport.
Ndërkohë, zbulimi britanik ka konluduar se Iraku nuk mund të prodhojë armë bërthamore të paktën për dy vjet nëse do sigurojë materialin e nevojshëm, ndërsa sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike, Iraku mund të përdorë materialin për prodhimin e bombave brenda disa muajve.
Sipas raportit, “Iraku i ka rindërtuar fabrikat e armëve të shkatërruara nga bombardimet amerikane. Bagdadi e ka rifilluar prodhimin e agjentëve kimik në rast lufte”.
CIA vlerëson se Iraku ka disa qindra tonë agjentësh të tillë, që mund t’i futë nëpër kokat raketore, bombat apo mbushjet artilerike.
Sa i përket armëve biologjike, të gjitha aspektet kyçe të programit ofensiv ishin aktive, dhe shumica e elementeve janë më të avancuar se ç’ishin para luftës së Gjirit Persik.
Iraku ka një fuqi mbrojtëse prej disa dyzina raketa Scud, ndërsa britanikët kanë vlerësuar se Iraku ka rreth 20 raketa të tilla.
Raporti përmend se Iraku i ka vazhduar programet raketore të ndaluara nga Kombet e Bashkuara. Pas luftës së Gjirit Persik, Kombet e Bashkuara ia ndaluan Irakut zotërimin e raketave tokë-tokë me rreze veprimi mbi 90 milje. Por raporti i ri i CIA-s thotë se Iraku ka përdorur punën e tij për sistemet e lejuara, si mbulesë për zhvillimin e raketave me rreze të largët veprimi.
CIA gjithashtu vlerëson se Iraku është përpjekur të transformojë aeroplanin L-29 në një aeroplan të teledirigjuar për shpërndarjen e gazit helmues dhe agjentëve biologjikë.
Në raport nuk thuhet nëse inspektimet do arrijnë të çarmatosin Irakun.
“Në mungesë të inspektorëve, Bagdadi tashmë zotëron aftësi të konsiderueshme për të punuar në programet e ndaluara, pa e rritur rrezikun e zbulimit”. Raporti më tej thotë se përpjekjet e mëdha të Irakut për të mbajtur në fshehur gjithçka, ka shkaktuar që informacionet për shumë aspekte të programeve të tij për armët e shkatërrimit në masë të mbeten të pazbuluara.

XS
SM
MD
LG