Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: KA MJAFT GJËRA QË ZYRTARËT MUND T’I BËJNË PA QENË NEVOJA QË TË KUNDËRSHTOJNË UNMIKUN


“Mendoj se, meqë kemi autoritete të zgjedhura, pavarësisht nëse i duan apo jo ndërkombëtarët, ata duhet t’u tregojnë njerëzve se kanë respekt për kosovarët duke respektuar vullnetin e përfaqësuesve të zgjedhur…nëse duan që demokracia të funksionoj” – thotë Patrick Moore, analist i Radios “Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Para se gjithash dëshiroj të diskutojmë lidhur me planin e Shtajnerit për Mitrovicën. Deputetët shqiptarë në Kuvend nuk ishin të kënaqur për shkak se ky plan nuk ishte diskutuar me anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Poashtu disa serbë nuk janë të kënaqur. Bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë përkrahje të fuqishme këtij plani. Në këto rrethana a është e mundshme që ky plan të funksionoj?

PATRICK MOORE
Ashtu siç e thatë dhe ju, këtu kemi një situatë mjaft të çuditshme. Mendoj se ka disa serbë, të cilët e kundërshtojnë këtë plan dhe duan ndarjen, duan të institucionalizojnë ndarjen e Mitrovicës dhe eventualisht të Kosovës. Ata, nga komuniteti ndërkombëtar, janë paralajmëruar shumë herë, në shumë mënyra, se nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi… Çështja qëndron në faktin se serbët, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga shqiptarët, duhet të binden se serbët që janë nga Kosova edhe duhet të jetojnë atje, se mund të përfitojnë shumë gjëra nëse do të jenë pjesë e një qeverie të përbashkët, e një të ardhme të përbashkët…dhe se të drejtat e tyre dhe interesat e tyre do të respektohen. E rëndësishme është të kenë bindjen se shqiptarët do t’i respektojnë të drejtat dhe interesat e tyre, në mënyrë që këta njerëz të mos kenë më frikë dhe të mos insistojnë më që të kenë praninë e Beogradit. Vetëm sjellja e tillë e shqiptarëve do t’i bindë serbët se nuk kanë nevojë për Beogradin dhe mbajtja larg e Beogradit është hapi i parë drejt konsolidimit të çdo çështjeje apo ndonjë hap drejt pavarësisë dhe njerëzit nuk duhet ta harrojnë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket sikur përsëri do të kemi mospajtime ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës të zgjedhura në mënyrë demokratike. Nga këndvështrimi juaj, ku gjendet linja e qartë e ndarjes së autorizimeve të këtyre dy autoriteteve. A ekziston ajo?

PATRICK MOORE
Naturisht që nuk ekziston dhe përsëri kjo është pjesë e problemit. As hartuesit më gjenialë të kushtetutave që mund të ketë patur bota, nuk mund të hartonin një plan perfekt për Kosovën pasi kushtet ishin tepër të komplikuara. Ajo që ne kemi këtu është faktikisht e njejta situatë e çuditshme që ekziston dhe në Bosnje që nga Dajtoni…pra ekziston një protektorat ndërkombëtar, i cili do të dekretoj dhe urdhëroj institucionet demokratike dhe sjelljen demokratike… edhe kur njerëzit të përfshirë në këto procese votojnë për diçka që ndërkombëtarët nuk e duan. E gjithë kjo është një situatë mjaft paradoksale. Mendoj se meqë kemi autoritete të zgjedhura, pavarësisht nëse i duan apo jo ndërkombëtarët, ata duhet t’u tregojnë njerëzve se kanë respekt për kosovarët duke respektuar vullnetin e përfaqësuesve të zgjedhur, nëse duan që demokracia të funksionoj dhe nëse duan t’u tregojnë njerëzve që nuk po i trajtojnë si ndonjë koloni e botës së tretë në shekullin e 19. Kjo do të thotë, gjithshtu, se do të ishte një fillim i mirë për parlamentin që të qëndronte larg çështjeve që janë nën përgjegjësinë mjaft të qartë të UNMIKut, siç janë, marrëdhëniet ndërkombëtare. Mendoj se është një provokim i panevojshëm për zyrtarët e zgjedhur që të angazhohen në politikën e jashtme, në një kohë kur është mjaft e qartë se është një përgjegjësi e UNMIKut. Ka mjaft gjëra që zyrtarët mund t’i bëjnë pa qenë nevoja që të kundërshtojnë UNMIKun. Mendoj se përgjegjësia e madhe i mbetet UNMIKut që të respektojë vullnetin e zgjedhur të kosovarëve dhe ne e dimë se cili është ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Po e diskutoj këtë çështje duke menduar në grevën e arsimtarëve në Kosovë. A mendoni se qeveria e Kosovës është e aftë të merret me këtë grevë duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale ndërmjet ndërkombëtarëve dhe kosovarëve?

PATRICK MOORE
Sapo mësuam që kryeministri i Kosovës i bëri thirrje FMN, Bankës Botërore dhe UNMIKut që të ndihmojnë me fonde për këtë çështje, të ndihmojnë mësuesit të kenë një rrogë më të lartë se 127 Euro në muaj, por do të shikojmë se çfarë përgjigje do të ketë kjo thirrje. Komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të bëjë diçka, që do të shërbente për përmirësimin e gjendjes në Kosovë dhe do të punoj me autoritetet e zgjedhura. Ky është një lloj bashkëpunimi. Askush nuk mund ta mohoj rëndësinë e zhvillimit të një sistemi të mirë arsimor. Por nuk mundet të ketë një sistem të mirë arsimor, nëse mësuesit nuk paguhen mirë dhe nëse ata nuk kanë rroga të larta – më të mirët do të largohen nga vendet e punës! Nëse duhen mësues të mirë dhe, mendoj që ky është investimi thelbësor për të ardhmen e Kosovës apo të çdo vendi, duhet t’u ofrohen rroga të mira. Shpresoj se ndërkombëtarët janë mjaft të zgjuar për ta kuptuar këtë gjë. Rritja e pagave të mësuesve më shumë se 127 Euro në muaj nuk duhet të jetë një detyrë e pamundur, nëse merren parasysh sasitë e parave që shpenzohen në infrastrukturë apo në ushtri nga komuniteti ndërkombëtar. Investimi te mësuesit dhe te sistemi arsimor nuk kushton aq shumë dhe ky është një rast për ndërkombëtarët dhe për qeveritarët që të dëshmojnë se po merren seriozisht me çështje me të vërtetë të rëndësishme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG