Ndërlidhjet

SHBA: FIRMA BALLKANIKE E FURNIZON IRAKUN


LOS ANGELES TIMES

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të hapur i kanë ballafaquar liderët e Jugosllavisë dhe Bosnjes, me dëshmitë se një fabrikë e armëve nga Ballkani ka eksportuar pajisje ushtarake në Irak, dhe atë në bashkëpunim me një ndërmarrje të njohur ushtarake jugosllave.
Në Uashington, zëdhënësi i departamentit të shtetit Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara kanë “prova të qarta” për transferin e armëve.
“Zyrtarët janë zotuar për hetime të plota rreth këtyre akuzave, kurse ne presim nga autoritetet relevante në Bosnjë dhe Jugosllavi menjëherë ta ndërpresin bashkëpunimin me Irakun”, ka thënë Boucher.
Dëshmitë e gjetura, si disqe kompjutorësh dhe letra tjera, janë zbuluar gjatë një inspektimi të papritur të paqëruajtësve të NATO-s në një fabrikë armësh në Bosnje.
Një zyrtar amerikan, ka deklaruar në kushte anonimiteti se fabrika ushtarake “Orao” dhe ndërmarrja ushtarake “Jugoimport” i kanë rinovuar aeroplanët luftarakë për Irakun. Ndonëse nuk është konfirmuar ndihma në njerëz e ekspertëve teknikë serbë, ka patur raporte se disa të punësuar të kompanisë gjenden në Bagdad.
“Jugoimport” e ka selinë në Beograd, kurse fabrika “Orao” në Bjelinë, në Republikën Serbe të Bosnjes. Deri në përfundimin e luftës në 1995, të dyja ishin pjesë e kompleksit të madh industrial ushtarak.
Nëse Jugosllavia shpejt nuk ia del në krye me incidentin, asaj mund t’i zvoglohen gjasat për t’iu bashkangjitur organizateve ndërkombëtare të perëndimit, si Partneriteti për Paqe, dhe të fillojë bisedimet për hyrje në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ne duam të bëjmë gjithçka për t’i sjellur ata në familjen e vendeve të Perëndimit, por ata duhet të kuptojnë se ka edhe kufinj, dhe ky është njëri prej tyre”, ka thënë një anëtar i lartë i Senatit.
Qeveria jugosllave përmes një deklarate njoftoi se e ka suspenduar ish gjeneralin e armatës Jovan Çekoviç, drejtues të ndërmarrjes “Jugoimport”, si dhe një ndihmës të ministrit të mbrojtjes, ndërsa ka urdhëruar edhe mbylljen e zyrës së ndërmarrjes në Bagdad.
Ministri i brendshëm Dushan Mihajlloviq ka thënë se do të hapen hetime të plota. Ai edhe vetë është në bordin drejtues të ndërmarrjes, por ka mohuar çdo dijeni për shitjen e armëve Irakut.
Dëshmitë e gjetura nga paqëruajtësit, janë konfirmuar edhe nga ministri i brendshëm.
Në një letër drejtuar ministrisë së mbrojtjes të Irakut, të datës 25 shtator, zyrtarët e ndërmarrjes “Jugoimport” kanë kërkuar nga irakienët të heqin emrin e fabrikës “Orao” nga të gjitha dokumentat, dhe të fshijnë instrukcionet për përdorimin, të shkruara në gjuhën serbo-kroate. Në letrën gjithashtu shkruan, se në rast të ndonjë kontrolli nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara, ekspertët e “Jugoimport”-it, brenda 10 ditësh do t’i çmontonin pajisjet, që irakienët të mund t’i fshehin, kurse më pas, për 10 ditë tjera, sërish t’i montojnë ato.

XS
SM
MD
LG