Ndërlidhjet

ILUZIONI DHE DEZILUZIONIMI: KRIZA ÇEÇENE I VJEN PUTINIT NË SHTËPI


NEW YORK TIMES

Shumica në botë e shtrojnë pyetjen nëse Rusia do të jetë në gjendje t’i lirojë 700 spektatorët dhe aktorët në teatrin e pushtuar nga kryengritësit çeçenë. Problemi më i madh është si të nxirren pengjët, të cilët gjenden vetëm 10 minuta larg mureve të pallateve të Kremlinit.
Presidenti rus Vladimir Putin erdhi në pushtet mbi valën e mbështetjeve patriotike për vendimin e tij të para tre viteve, që të dërgojë armatën ruse për t’i luftuar kryengritësit çeçenë. Ai disa herë ka deklaruar lufta nuk është fituar, por përkundër dëmeve dhe viktimave në rradhët e ushtrisë ruse, opinioni megjithatë e ka mbështetur atë.
Tani kryengritësit e kanë bërë të qartë, dhe atë në mënyrën më të pacipë, se lufta në Çeçeni jo vetëm që vazhdon, por mund të keqësohet edhe më shumë.
Duke u futur pa u diktuar me 50 guerrilë dhe arsenal të armëve dhe bombave, tre milje nga Sheshi i Kuq, kryengritësit e hoqën iluzionin se ky konflikt është përqëndruar vetëm në krahinën e trazuar, disa mijëra kilometra larg.
Duke marë peng 700 moskovitë, ata e bënë më se të qartë se lufta mund t’i prekë si ushtarët, ashtu dhe civilët, dhe me një goditje të vrasë qindra prej tyre.
“Është absolutisht e qartë se Rusia ka dështuar ta mbajë luftën çeçene brenda kufijve të Çeçenisë, ashtu siç shpresonte”, ka thënë Sergei Karaganov, drejtor i Institutit për Politikë të Jashtme në Moskë. “Ky dështim ishte suksesi i vetëm i këtij operacioni tronditës, tepër të shtrenjtë dhe të përgjakshëm,” ka thënë ai.
Presidenca e zotit Putin dhe ndërtimi i aleancës së Rusisë me Perëndimin, vetëm i kanë shtuar iluzionet e këtilla.
Zoti Putin ende gëzon nivel të lartë të besimit, duke marrë mbështetjen e tre të katërtave të rusëve në anketat e opinionit publik, përkundër vdekjes së 4 500 trupave ruse në Çeçeni.
“Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballet Putini, që kur mori postin e presidentit,” ka thënë Michael McFaul, ekspert mbi çështjet ruse nga instituti Hoover në Universitetin Standford.
“Ai ka qënë në gjendje të shtirej sikur gjërat shkojnë mirë, por kjo tregon se nuk kanë shkuar,” ka thënë ai.
Kriza e pengjeve tregon se Rusia ka fituar njëfarë kontrolli nominal mbi Çeçeninë, por çmimi i paguar u tregua tmerrësisht i lartë. Qytetet kryesore të rajonit dhe ekonomia janë në gërmadha, kurse shumica e banorëve i janë bashkangjitur kauzës së kryengritësve, shkaku i sjelljeve të kohëpaskohshme brutale të armatës ruse ndaj civilëve.
Duke iu referuar një raporti të ekspertëve gjermanë të inteligjencës, numri i viktimave ruse arrin në 10 mijë, dyfishi i të dhënave zyrtare, kurse mbështetja ndaj kryengritësve ka bërë që numri i tyre të rritet për 30 herë.
Presidenti duhet të marrë vendim për hapat e ardhshëm, ka shkruar e përditshmja ruse Izvestia. Çështja është nëse ai dëshiron të bëhet si gjenerali De Gaulle, i cili hoqi dorë nga Algjeria për të shpëtuar Francën, apo si Stalini, i cili çështjen nacionale e zgjidhi nëpërmjet deportimeve që përfshinë edhe çeçenët. Me këtë, ai në fakt, problemin e çeçenëve ia la trashëgimtarëve të vet në Kremlin. Ose, ndoshta Putini ka një zgjidhje të tretë.
XS
SM
MD
LG