Ndërlidhjet

MENDOHET SE GJATË MIRATIMIT TË REZOLUTËS PËR IRAKUN NUK DO TË KETË VETO


Robert McMahon, Nju Jork Gjatë javës që po kalon në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua debat intensiv lidhur me një rezolutë më të ashpër për çarmatimin e Irakut. Në këtë aspekt, duket se ka shenja, se në KS synohet një presion i fuqishëm për arritjen e konsensusit. Diplomatët thonë se, megjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga Franca dhe Rusia, duket se ka pak gjasë që këto vende të përdorin veton lidhur me rezolutën e propozuar. Takimi i ditës së Hënë me shefin e ekipit të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, Hans Blix, pritet që, në masë të madhe, do ti qartësoj gjërat.

Tri vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit me të drejtë të vetos, Rusia, Franca dhe Kina, gjatë diskutimeve të fundit, e kundërshtuan terminologjinë e propozim - rezolutës, pasi, sipas mendimit të tyre, ajo mundëson përdorimin automatik të forcës ushtarake në rast të mosbashkëpunimit të Irakut me inspektorët e armatimit. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Sergei Lavrov u deklaroi gazetarëve se në këtë propozim – rezolutë kishte kërkesa të “pazbatueshme, jo realiste”.

Por, diplomatë perëndimorë në Këshillin e Sigurimit kanë thënë se Franca do të mund ta pranoj terminologjinë e e re, nëse ajo do të jetë e pranueshme për shefin e inspektorëve, Hans Blix.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se ata e kanë paraqitur rezolutën këtë javë për shkak të urgjencës që Iraku të tregoj se ka eliminuar armatimin e vet për shkatërrim masiv.

David Malone është kryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Paqes dhe njohës i rrethanave në Këshillin e Sigurimit. Ai shpjegon se përse amerikanët nuk po bëjnë presion për miratimin më të shpejtë të rezolutës:

- Shtyrja e votimit, më duket se do të thotë, se në Uashington ende besojnë se Franca, e përmes saj edhe Rusia, do të votojnë në mënyrë afirmative për këtë rezolutë. Nuk duket se Franca do ta përdorë veton për këtë rezolutë…ndërsa duket se ka shumë pak gjasë që Rusët të vënë veto në këtë rezolutë, – tha David Malone.

Kina fillimisht ka thënë se nuk e konsideron të nevojshme një rezolutë të re, meqë, sipas Pekinit, ato ekzistueset mjaftojnë për të vazhduar inspektimin. Mirëpo, përfaqësuesi i Kinës u ka thënë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se me dëshirë do të debatoj për teksin e ri të rezolutës. Diplomatët thonë se paraqitja e nesërme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e shefit të inspektorëve, Hans Blix, në masë të madhe, mund ta qartësoj situatën.

Lidhur me këtë zhvillim, analisti David Malone nga Akademia Ndërkombëtare e Paqes, thotë:

- Një mandat i fuqishëm aktualisht i përshtatet Blixit…por ajo që atij i duhet është një orar i arsyeshëm për raportimin e kërkesave të tij në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se, lidhur me këtë çështje, ai ka arritur në një pozicion të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara dhe me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, – thotë David Malone nga Akademina ndërkombëtare për Paqe.
XS
SM
MD
LG