Ndërlidhjet

NJU JORK TAJMS: Inspektorët e armatimit do të përdorin pajisje moderne


Katër vjet pasi inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara e lanë Irakun, revolucioni dixhital i ka bërë pajisjet më të vogla, më të shpejta, më të sakta dhe më të lehta për përdorim. Miliona dollarë janë investuar në teknologji, duke e hapur perspektiva të reja për zhvillimin e dedektuesve të armëve. Ekspertët thonë se përparimet u kanë dhënë inspektorëve avantazh teknik për zbulimin e armëve të Irakut. Midis këtyre të rejave teknike spikatin satelitët spiunë komercialë, të aftë që përmes fotografimeve të zbulojnë detaje nga fabrikat, ndërtesat dhe arsenalet; minisensorë të cilët në moment mund të analizojnë të dhënat e ajrit ujit dheut, për të provuar nëse ka shenja të armëve të shkatërrimit në masë. Ka gjithashtu dedektorë të transportueshëm bakteriologjikë si dhe sisteme radarësh të fuqishëm, të cilët mund të deportojnë në thellësi të mëdha për të gjetur shenja të tuneleve dhe bunkerëve nëntokësorë. Mirëpo njohuritë njerëzore dhe përvoja mbeten parësore në çdo regjim inspektimesh, citon Nju Jork Tajms, shefin e ekipit të inspektimeve të Kombeve të Bashkuara, Hans Bliks.
Bliks theksoi përparimet e jashtëzakonshme teknologjike por analistë ushtarakë kanë vënë në pah së fundi se prodhuesit irakenë të armëve kanë pasur 4 vjet kohë në dispozicion për të stërholluar mashtrimet e tyre dhe për të kuptuar plotësisht qasjen e Kombeve të Bashkuara. Përpara luftës së vitit 1991, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, Iraku prodhonte mbi 5 mijë gallonë të botulinum toksinës, substancës më vdekjeprurëse të njohur nga shkenca.
Kombet e Bashkuara kanë stërvitur 250 ekspertë për të kërkuar armët e shkatërrimit në masë të Irakut.
Tim Mekerthi, i cili ka qenë 15 herë në Irak si inspektor raketash, paralajmëron për kujdes, pasi teknologjitë e reja mund të ushqejnë shpresa për përparime të shpejta ndërkohë që mund të rezultojnë thjesht si humbje kohe dhe burimesh financiare.
Për specialistin Mekerthi, mjet thelbësor duhet të jetë intervistimi. Ka qindra shkencëtarë irakenë, të cilët mendohet të kenë dijeni për programet e zhvillimit të armëve biologjike, kimike e bërthamore, dhe inspektorët të cilët do t’i intervistojnë duhet të zhvillojnë aftësitë që të kuptojnë gënjeshtrat.
Në shtator, pas studimit të fotografive për Irakun, inspektorët e armëve identifikuan disa ndërtime të reja në zona të ndryshme bërthamore si dhe ndryshime të tjera të pashpjegueshme.
“Jemi shumë kureshtarë të shohim çfarë ka nën ato çati”, thotë Zhak Baute, kryetari i inspektorëve të armëve bërthamore.
Një teknologji e re është avioni i telekomanduar, të cilin Këshilli i Sigurimit e lejoi të përdoret në rezolutën e re të miratuar për inspektimet në Irak. Ekpertët privatë thonë se të tillë avionë mund të ndihmojnë inspektorët për të gjetur bunkerët e nëndheshëm, çështja më e rëndësishme kjo e axhendës së inspektimeve.
Vitin e kaluar një dezertor iraken, që e cilësoi veten inxhinier civil, tha në një intervistë se personalisht kishte punuar në instalimet sekrete të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore në tunele të nëndheshme. Agjencitë perëndimore të zbulimeve e kanë mbështetur fuqishëm këtë tezë – përfundon Nju Jork Tajms.
XS
SM
MD
LG